Vendim Komision Apelimi nr 1
Partia Demokratike e Shqipërisë
Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës
VENDIM
Numër 1, datë 26.07.2023
Komisioni i Apelimit Integritetit dhe Etikës, i kryesuar nga Kryetarja Flutura Açka, në seancën e datës 26.07.2023 mori në shqyrtim cështjen me
Kërkues: Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqsuar nga Indrit Sefa, sipas vendimit numër 17, datë 25.03.2023.
Person i interesuar: Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm
Objekti: 1. Shqyrtimin e përputhshmërisë së vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike numër 59 prot, datë 22.07.2023 me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.
- Shfuqizimin e këtij vendimi si një akt në kundërshtim me dispozitat statutore.
Baza ligjore: Neni 54, pika 4 të Statutit të Partisë Demokratike.
Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e përfaqsuar nga Indrit Sefa me vendimin numër 17, datë 25.07.2023 i është drejtuar Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës me kërkesën me objektin dhe bazën ligjore të cituar më lartë. Pasi ka administruar kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues të saj, Komisioni, në zbatim të fjalisë së fundit të pikës 4 të nenit 54 të statutit ka njoftuar personin e interesuar për zhvillimin e seancës dëgjimore, duke i parashtruar mundësinë e pjesmarrjes në seancë apo të depozitimit të akteve, provave, pretendimeve dhe parashtrimeve në rrugë shkresore.
Nga provat e administruara në dosje rezulton se me datë 25.07.2023 në median e shkruar dhe atë audiovizive është publikuar shkresa me këto të dhëna: “Vendim numër 59 prot, datë 22.07.2023 me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”. Nuk rezulton që kjo shkresë, në formën e saj të publikuar të jetë administruar nga protokoll/arshiva e Partisë Demokratike. Numërtimi i kësaj shkrese me numrin 59 të protokollit nuk është në vijimësi të numrave që gjenden në librin e protokollit në zotërim të administratës së Partisë Demokratike.
Në mungesë të këtyre elementëve provues lidhur me administrimin dhe protokollimin e këtij dokumenti nga administrata e Partisë Demokratike, Komisioni mori në shqyrtim dokumentin me prezumimin që përfaqson vullnetin e shkruar të nënshkruesit të tij. Në kushtet kur ky vullnet është shprehur në një akt të shkruar publik, i cili nuk është kundërshtuar në asnjë rast nga subjekti nënshkrues, i cili fillon një process të bazuar në dispozitat statutore dhe ka për qëllim të prodhojë efekte që ndikojnë mbi Partinë Demokratike dhe si tillë është një akt që duhet të shqyrtohet nga Komisioni.
Vendimi numër 59 prot, datë 22.07.2023 është një vendim i cili në bazën ligjore të tij ka pikën 4 të nenit 46 të Statutit të PDSH, dispozitë e cila aktivizohet ose bëhet e zbatueshme në raste specifike dhe për zbatimin e së cilës kërkohet të plotësohen disa kushte. Në këtë kontekst Komisioni vendosi që për nevoje të interpretimit të statutit të shtrojë për diskutim përpara vlerësimit të themelit të kërkesës, pyetjet:
- cili është roli i sekretarit të përgjithshëm në thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar sipas nenit 46 pika 4?
- cili është lloji i vendimit që mund të marrë Këshilli Kombëtar në rastet kur ai thirret nga Sekretari i Përgjithshëm sipas pikës 4 të nenit 46?
- cfarë lloj votimi duhet të përdoret në rastet e mbledhjes së Këshillit Kombëtar sipas pikës 4 të nenit 46?
- cili është roli i Këshillit Kombëtar në rastet e mungesës së nënkryetarëve të cilët mund të komandohen në pozicionin e Kryetarit të Partisë?
Përpara se të analizojmë pyetjet e parashtruara më lartë duhet të rendisim në rend kronologjik ngjarjet e ndodhura në Partinë Demokratike, përsa i përket zgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve. Në strukturën e Partisë Demokratike rezultojnë të ekzistojnë 4 (katër) vende për pozicionin Nënkryetar. Me vendim të Këshillit Kombëtar të vitit 2021 në pozicionin e nënkryetarit janë zgjedhur znj. Jorida Tabaku, znj. Grida Duma, z. Agron Gjekmarkaj dhe z. Enkelejd Alibeaj.
Me datë 09 mars 2022 znj. Grida Duma ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetares së Partisë. Me datë 10 mars 2022 z. Agron Gjekmarkaj ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetarit të Partisë. Me njoftim publik datë 21.03.2022 të Sekretarit të Përgjithshëm njoftohet komandimi i Z. Alibeaj në detyrën e Kryetarit të Partisë, pas refuzimit të znj Tabaku për të marrë pjesë në garën për komandimin nga Këshilli Kombëtar të njërit prej nënkryetarëve në funksionin e Kryetarit të Partisë.
Zoti Alibeaj me datë 17 maj 2023 dha dorëheqjen nga ushtrimi i detyrës së Kryetarit të Partisë. Zonja Tabaku me datë 06 qershor 2023 dha dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetares së Partisë Demokratike.
Nga sa relatuam më lartë rezulton se sot jemi në kushtet kur nga 4 nënkryetarët e zgjedhur nga Këshilli Kombëtar në vitin 2021 është në detyrë vetën z. Alibeaj.
Vlen të theksohet se akti i komandimit nga Këshilli Kombëtar është një akt që duhet të pranohet edhe nga i komanduari. Përsa i përket Znj. Tabaku, rezulton se në dy raste ka refuzuar të marrë përsipër drejtimin e partisë, duke dhënë së fundmi edhe dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetares. Në rastin e z. Alibeaj është dhënë dorëheqja nga pozicioni i të Komanduarit, duke ruajtur pozicionin e Nënkryetarit, akt i cili barazohet me mospranimin e vijimësisë së komandimit në pozicionin e Kryetarit nga ana e tij.
Me datë 06 qershor 2023 Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të çelë procesin zgjedhor për pozicionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, proces i cili finalizohet me datë 29 korrik 2023.
Me datë 22 korrik 2023 Sekretari i Përgjithshëm vendos të thërrasë Këshillin Kombëtar, mbledhje e cila në kuptim të nenit 46, pika 4 të statutit duhet të komandojë një nga nënkryetarët në pozicionin e kryetarit të partisë.
Kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është zgjedhur znj Arta Sakja, e cila më pas është dorëhequr nga ky pozicion dhe aktualisht vendi është në kushtet e vakancës.
Këshilli Kombëtar gjen rregullim në Statut nëpërmjet neni 44 të tij. Ky nen përcakton se:
- Drejtimi i mbledhjeve të Këshillit Kombëtar bëhet nga Kryetari i Këshillit (pika 4).
- Mbledhjet e Këshillit Kombëtar thirren nga Krytari i Partisë ose Kryesia e Partisë ose me kërkesë të 1/4 së anëtarëve të Këshillit Kombëtar drejtuar Kryetarit të Partisë (pika 5)
- Këshilli vendos me votim të fshehtë për emërimin dhe shkarkimin nga detyra të Nënkryetarëve të Partisë (pika 6 gërma a).
Statuti ka marrë parasysh edhe situatat e jashtëzakonshme të cilat mund të krijohen gjatë jetës së partisë, sic është edhe situata e vakancës së pozicionit të Kryetarit të Partisë. Për këtë shkak është parashikuar mekanizmi i komandimit të një prej nënkryetarëve në pozicionin e kryetarit. Ky mekanizëm është materializuar në statut nëpërmjet pikës 4 të nenit 46 e cila përcakton se: “… Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”.
Funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm përcaktohet dhe rregullohet nga neni 47 i Statutit i cili përcakton se: “Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin e partisë, si dhe për funksionimin e përditshëm të saj. Ai organizon dhe ndjek zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qendrore të partisë në degët e PDSH-së”.
Në përgjigje të pyetjes së parë të shtruar përpara Komisionit se cili është roli i sekretarit të përgjithshëm në thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar sipas nenit 46 pika 4?, nga analiza në tërësi e dispozitave statutore rezulton se:
- Sekretari i Përgjithshëm ka në kuptim të pikës 4 të nenit 46 tagrin dhe detyrën për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Ky tagër kufizohet vetëm në njoftimin e mbledhjes dhe rendit të ditës së saj. Në këtë rast rendi i ditës është i paracaktuar nga dispozita statutore e për pasojë nuk mund të jetë vecse “Komandimi i nënkryetarit në pozicionin e Kryetarit të Partisë. Këto tagra kufizohen vetëm në njoftimin e mbledhjes sipas rendit të ditës të paracaktuar nga vetë dispozita statutore.
- Sekretari i Përgjithshëm nuk mund të drejtojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe as të marrë rol drejtues në këtë mbledhje. Ushtrimi i funksineve drejtuese në mbledhje është ushtrim i kompetencave dhe detyrave të një organi tjetër që është Kryetari i Këshillit Kombëtar.
- Organizimi i mbledhjes së Këshillit, si dhe drejtimi i saj janë pjesë e tagrave të Kryetarit të Këshillit, përfshirë edhe protokollimin, mbajtjen e procesverbalit të mbledhjes, saktësimin e prezencës apo cdo veprim tjetër që lidhet në mënyrë aktive dhe të drejtëpërdrejtë me organizimin dhe mbarëvajtjen e Këshillit Kombëtar. Këto tagra janë të patjetërsueshme e nuk mund të ushtrohen nga asnjë organ apo person tjetër pa autorizimin apo miratimin e Këshillit Kombëtar, përfshirë këtu edhe Sekretarin e Përgjitshëm.
Në përgjigje të pyetjes së dytë se cili është lloji i vendimit që mund të marrë Këshilli Kombëtar në rastet kur ai thirret nga Sekretari i Përgjithshëm sipas pikës 4 të nenit 46?, nga analiza në tërësi e dispozitave statutore rezulton se:
- në rastet kur mbledhja e Këshillit Kombëtar thirret nga Sekretari i Përgjithshëm në zbatim të pikës 4 të nenit 46, Këshilli mund të marrë vendim vetëm për Komandimin në detyrën e Kryetarit të Partisë të njërit prej nënkryetarëve të saj.
- Këshilli Kombëtar nuk mund të ndryshojë apo të shtojë rendin e ditës duke përfshirë në këtë rend pika të tjera të ndryshme nga ajo e përcaktuar në pikën 4 të nenit 46. Ky përfundim arrihet nga leximi sistematik i pikës 4 të nenit 46 dhe pikës 4 të nenit 44. Pika 4 e nenit 44 parashikon se 1/4 e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mund të kërkojnë mbledhjen e tij (formulim që nënkupton edhe ekzistencën e një pike apo rendi dite të përcaktuar, si pasojë edhe të përcaktimeve të pikës 7 të nenit 44 e cila i njeh tagrin e propozimit të vendimeve vetëm Kryetarit dhe Kryesisë). Kjo kërkesë i drejtohet Kryetarit të Partisë, i cili më pas thërret mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Në mungesë të kryetarit të partisë ose të vakancës së tij mungon institucioni ndaj të cilit mund të drejtohet kërkesa e për pasojë pamundësia praktike për të përcaktuar dhe përcjellë një pikë në rendin e ditës. Pikërisht për këtë shkak mbledhja e thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm sipas pikës 4 të nenit 46 nuk mund të ketë në rendin e ditës (lexo propozim për marrje vendimi) një pikë të ndryshme apo më shumë sesa ajo për komandimin e nënkryetarit në detyrën e kryetarit të partisë.
Në përgjigje të pyetjes së tretë se cfarë lloj votimi duhet të përdoret në rastet e mbledhjes së Këshillit Kombëtar sipas pikës 4 të nenit 46? nga analiza në tërësi e dispozitave statutore rezulton se:
- Statuti nuk përcakton një formë votimi specifik të komandimit të nënkryetarit në detyrën e kryetarit të partisë. Neni 19 i Statuti parashikon llojet e përgjithshme të votimit të cilat ndahet në votim të hapur dhe votim të fshehtë. Votimi i fshehtë është i zbatueshëm kur parashikohet shprehimisht në statut ose kur kërkohet nga 1/6 e anëtarëve me të drejtë vote.
- Pamvarësisht këtij rregullimi të përgjithshëm vlen të theksohet se në rastin e marrjes së vendimit, nga ana e Këshillit Kombëtar, për komandimin e nënkryetarit në detyrën e kryetarit të Partisë jemi në rastin e një votimi që bëhet për një person dhe jo të një votimi që bëhet për një cëshjte. Duke marrë për analogji parashikimet e 36 pika 1, 44 pika 6, gërma a) dhe 46 pika 2, rezulton se në rastet e votimit për një pozicion si ai i kryetarit të degës, sekretarit të përgjithshëm, nënkryetarit të partisë, kryetarit të partisë apo komsionieve të ndryshme votimi është gjithnjë i fshehtë. Edhe rasti i marrjes së një vendimi për komandimin në detyrën e kryetarit të partisë të një prej nënkryetarëve jemi në kushtet e një votimi për person votim i cili duhet të jetë gjithnjë i fshehtë.
Në përgjigje të pyetjes së katërt se cili është roli i Këshillit Kombëtar në rastet e mungesës së nënkryetarëve të cilët mund të komandohen në pozicionin e Kryetarit të Partisë? nga analiza në tërësi e dispozitave statutore rezulton se:
- Nisur nga sa arsyetuar më lartë se rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i thirrur sipas pikës 4 të nenit 46 nuk mund të ndryshohet dhe se Këshilli mund vetëm të marrë vendim për komandimin e njërit prej nënkryetarëve në detyrën e kryetari, rezulton i qartë përfundimi se në rast se jemi në kushtet kur nuk kemi më nënkryetarë mungon individi që duhet të komandohet. Në këtë rast e vetmja alternativë mbetet ajo e fillimit të procesit zgjedhor për zgjedhjen e Kryetarit pasi vakanca e njëkohshme e pozicionit të Kryetarit të Partisë dhe Nënkryetarëve të saj krijon pamundësinë objektive për vendimmarrje të Këshillit Kombëtar.
Duke u kthyer tek themeli i cëshjtes objekt shqyrtimi rezulton se me vendimin numër 59 prot, datë 22.07.2023 Sekretari i Përgjithshëm ka vendosur të thërrasë Këshillin Kombëtar duke përcaktuar si rend ditë “Shqyrtimi i dorëheqjes së Nënkryetarit të Partisë nga drejtimi i Partisë dhe diskutime/vendimmarrje për zbatimin e nenit 46, pika 4 të Statutit të PD”.
Nisur nga sa analizuar dhe parashtruar më lartë në lidhje me tagrat e Sekretarit të Përgjithshëm në zbatim të pikës 4 të nenit 46 të Statutit rezulton se vendimi i mësipër është në kapërcim të tagrave dhe kompetencave të tij. Nga formulimi i rendit të ditës del qartë se Këshilli thirret për shqyrtimin e dorëheqjes. Ky formulim nënkupton që Këshillit i parashtrohet për vendimmarrje miratimi ose jo i dorëheqjes së paraqitur nga Nënkryetari i komanduar në detyrën e kryetarit. Së pari dorëheqja është një akt i njëanshëm që nuk i shqyrtohet miratimit. Dorëheqja nuk i është paraqitur një organi të përvecëm të Partisë Demokratike nga i cili pritet miratimi i saj. Dorëheqja si akt i njëanshëm i prodhon efeket e saj me veprime konkludente dhe jo me akte miratuese. Formulimi i rendit të ditës në këtë formë krijon edhe një kundërshti ligjore të brendshme. Pika 4 e nenit 46 është e zbatueshme në momentin që është konstatuar tashmë vakanca në ushtrimine funksioneve të Kryetarit të Partisë dhe kërkohet që kjo vakancë të plotësohet. Në rastin kur dorëheqja duhet të miratohet ligjërisht nuk jemi në kushtet e vakancës e për pasojë Sekretari i Përgjishëm nuk mund të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar për plotësimin e saj. Ky është shkaku se pse në rendi i ditës (sikurse arsyetuar gjerësisht më lartë) të mbledhjes së Këshillit Kombëtar për marrjen e vendimit për komandimin e nënkryetarit në pozicionin e kryetarit të partisë duhet dhe mund të ketë vetëm një pikë, atë të marrjes së këtij vendimi.
Nga formulimi i rendit të ditës rezulton se nuk kemi vetëm një pikë por dy pika të ndryshme në të. Ndonëse formulimi është bërë në një fjali të vetme qartësisht kjo fjali mund të ndahet në dy pjesë të vecantë dhe të mëvetshme. Sipas formulimit të fjalisë rezulton se rendi i ditës është a) Shqyrtimi i dorëheqjes së Nënkryetarit të Partisë nga drejtimi i partisë; b) diskutime/ vendimmarrje për zbatimin e nenit 46, pika 4 të Statutit të PD. Ky fakt vërtetohet edhe nga përdorimi i lidhëzës “dhe” e cila qartëson që jemi në kushtet e një rendi dite me 2 pika. Në analizë të pikës së dytë të rendit të ditës rezulton se edhe kjo e fundit nuk është formuluar konform parashikimeve të pikës 4 të nenit 46 të Statutit. Sikurse kemi argumentuar gjerësisht më lartë rendi i ditës jo vetëm nuk mund të jetëi ndryshëm nga formulimi që vetë pika 4 e nenit 46 përcakton, por edhe se ky rend dite nuk mund të ketë më shumë se një pikë për shkak se është e pamundur të përdoret mekanizmi i kërkesës së 1/4 të anëtarëve të Këshillit Kombëtar pikërisht si pasojë e vakancës së Kryetarit të Partisë.
Pretendimi tjetër i kërkuesit Kryesia e Partisë Demokratikë lidhet me zhvillimin online të mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
Ky Komision se vlerëson se në analizë të dispozitave statutore, duke marrë në konsideratë natyrën e vendimit që duhet të merret me votim të fshehtë, në një mbledhje të Këshillit Kombëtar, të thirrur sipas pikës 4 të nenit 46, organizimi i saj tërësisht online është në kundështim me dispozitat statutore.
Duke ju referuar analizës më sipër në këtë vendim lidhur me natyrën dhe formën e votimit të fshehtë që duhet të zbatohet në rastin e vendimi për komandimin e nënkryetarit në detyrën e kryetarit, duke vlerësuar se mbledhja e Këshillit Kombëtar në formatin online zhduk tërësisht mundësinë e zbatimit të votimit të fshehtë si formë vendimmarrëse arrijmë në përfundimin se ka papajtueshmëri thelbësore me dispozitat statutore të kësaj forme organizimi dhe se kjo e fundit mund të vlerësohet si e aplikueshme për cdo pikë të rendit të ditës e cila nuk përfshin votimin e fshehtë.
Përvec sa më sipër Komisinoi vlerëson se Sekretari i Përgjithshëm është në kapërcim të kompetencave të tij dhe se përcaktimi nga ana e tij në vendim të formës së organizimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar është përtej tagrave që i njeh statuti. Pika 4 e nenit 46 dhe pika 1 e nenit 47 nuk krijojnë asnjë premisë për marrjen e tagrave në lidhje me mënyrën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm. Në analizë të dispozitave statutore organizimi, mbarëvajtja dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar janë tagra dhe atribute ekskluzive të Kryetarit të Këshillit dhe si të tilla nuk mund të ushtrohen nga asnjë organ tjetër i partisë pa delegim nga Këshilli Kombëtar, organi i cili zgjedh Kryetarin e tij.
Në tekstin e vendimit numër 59, datë 22.07.2023 rezulton se është cituar si bazë ligjore për organizimin e mbledhjes online pika 7 e nenit 9 të vendimit numër 2, datë 15.01.2022 “Për miratimin e rregullores së brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”. Pala kërkuese Kryesia e Partisë Demokratike solli në cilësinë e provës Draft rregulloren e publikuar në faqen zyrtare të Partisë Demokratike më datë 15.01.2022, datë në të cilën në testin e vendimit numër 59 deklarohet se është miratuar me vendimin numër 2, datë 15.01.2022 të Këshillit Kombëtar.
Komisioni me shkresën numër 21/1 prot, datë 26.07.2023 i kërkoi palës së interesuar Gazment Bardhi vënien në dispozicion të këtij akti me qëllim vlerësimin e pikës 7 të nenit 9 të saj. Ky dokument nuk iu vu në dispozicion Komisionit për shyrtim nga personi i interesuar. Në mungesë të këtij dokumenti dhe për sa kohë mungojnë prova të qarta që kjo rregullore a) të jetë miratuar nga Këshilli Kombëtar dhe b) të jetë miratuar në një formë të ndryshme nga ajo e draft rregullores të vënë në dispozicion nga pala kërkues, vlerësojmë se nuk provohet ekzistenca ligjërisht e rregullores në tërësi dhe e pikës 7 të nenit 9 në vecanti. Për sa më sipër arrijmë në përfundimin se mungon baza statutore për organizmin e një mbledhje të Këshillit Kombëtar tërësisht online.
Në përfundim Komisioni, në zbatim të nenit 54 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë
Vendosi:
- Pranimin e kërkesës së kërkuesit Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
- Shfuqizimin e vendimit numër 59, datë 22.07.2023 të Sekretarit të Përgjithshëm me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”
Kryetare
Flutura Acka