Vendim Komision Apelimi nr 2

Partia Demokratike e Shqipërisë

Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës                                                        

 

VENDIM

Numër 2, datë 29.08.2023

Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës, i kryesuar nga Kryetarja Flutura Açka, në seancën e datës 29.08.2023 mori në shqyrtim çështjen me

 

Kërkues:                              Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqësuar nga Indrit Sefa, në mungesë

Objekti:                                Interpretimin e dispozitave statutore në lidhje me pyetjet e mëposhtme:

  • Cilat janë ato veprime (sjellje, qëndrime, deklarime, mosveprime), të çdo lloj forme apo mënyre, që përfshihen në parashikimet e nenit 27 të Statutit të Partisë Demokratike dhe për të cilat mund të merret masë disiplinore?
  • Cilat janë organet e partisë që kanë tagrin për të vendosur masën disiplinore dhe në cilat kushte?
  • Cilat janë efektet / pasojat e masave disiplinore?

Baza ligjore:                      Neni 54 i Statutit të Partisë Demokratike.

  1. Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e përfaqësuar nga Indrit Sefa i është drejtuar Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës (më poshtë në këtë vendim “Komisioni”) me kërkesën me objektin dhe bazën ligjore të cituar më lartë. Kërkesa e paraqitur në formën e hartuar nuk referon në një vendim apo veprim konkret, por kërkon që nga ana e Komisionit të bëhet një intepretim empirik i dispozitave statutore. Duke marrë shkas nga fakti që në praktikën e punës së Komisionit, përgjatë gjithë ekzistencës së tij, nuk është parashtruar asnjë kërkesë për interpretimin e dispozitave statutore, është e nevojshme të vlerësohet nëse ky Komision e ka këtë tagër statutor.

  1. Përgjigjia për ekzistencën e tagrit për interpretimin e statutit mund të arrihet nga analizimi i dy pyetjeve vijuese a) cila është hapësira që Statuti i ka lejuar Komisionit për intepretimin e dispozitave të këtij të fundit dhe b) cili është subjekti që mund të vërë në lëvizje Komisionin dhe në cilën formë.

Komisioni përmendet në Statutin e Partisë Demokratike 7 (shtatë) herë në nenet 22/4, 25/2, 27/2/3, 44/6/a, 45/2/dh dhe 54. Nenet 22/4, 25/2 dhe 27/2/3, parashikojnë të drejtën e anëtarëve që të kundërshtojnë në Komision pezullimin e të drejtës së votës apo masat disiplinore të marra ndaj tyre. Nenet 44/6/a dhe 45/2/dh parashikojnë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit dhe marrjen pjesë të kryetarit/res në Kryesinë e Partisë.

  1. Neni 54 në pikën 2 të tij përcakton se: “Komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH-së kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë, si dhe kujdeset për respektimin e rregullave të bashkëjetesës në Parti dhe normat minimale të sjelljes së anëtarëve dhe respektit ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë të partisë”. Në interpretim të këtij neni të statutit rezulton se tagrat e Komisionit janë a) shqyrtimi i kërkesave të anëtarëve kundër masave disiplinore dhe b) respektimi i rregullave të bashkëjetesës ndërmjet anëtarëve dhe organeve të partisë. Në formulimin e kësaj fjalie është përdorur togfjalëshi “si dhe” ç’ka nënkupton që tagrat a) dhe b) të cituara më lartë janë të pamvarura nga njëra-tjetra dhe ndërlidhja e tyre nuk është automatike. Pika 2 e cituar më lartë përdor (si një nga tagrat e Komisionit) togfjalëshin “respektimin e rregullave të bashkëjetesës”. Ky togfjalësh nuk gjendet i reflektuar në asnjë vend tjetër në Statut e për pasojë është rasti që të bëjmë një interpretim të kuptimit të tij në lidhje me pikën dhe nenin ku është përfshirë.

  1. Si rregull i përgjithshëm një parti politike krijohet si bashkim vullnetar i anëtarëve të saj, të cilët e konkretizojnë vullnetin dhe objektivat e tyre nëpërmjet aktit të themelimit të partisë, statutit (që është akti me të cilin rregullohet jeta e brendshme e këtij bashkimi vullnetar) dhe akteve e vendimeve të nxjerrë në zbatim të tij. Në këtë kuptim bashkëjetesa nuk është gjë tjetër veçse respektimi i rregullave të dakordësuara nga të gjithë anëtarët në dokumentin “Statut” dhe akteve të nxjerrë në zbatim të tij. Përcaktimi i tagrit për “respektimin e rregullave të bashkëjetesës” nuk është gjë tjetër veçse njohja e të drejtës së Komisionit për të vlerësuar veprimet e anëtarëve, kur këto të fundit pretendohet se shkelin rregullat e bashkëjetesës (Statutin) dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij.

  1. Pika 4 e nenit 54 të Statutit përcakton se: “Komisioni me kërkesë të Kryesisë së Partisë, shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qëndrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë, si dhe jep vlerësim mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit”. Nga formulimi i kësaj dispozite të Statutit rezultojnë se tagrat e Komisionit janë a) shprehja (me vendim) në lidhje me mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet apo anëtarët në raport me statutin b) interpretimi përfundimtar i dispozitave të Statutit. Në këtë kontekst rezulton se Komisioni mund të bëjë interpretimin e dispozitave statutore në lidhje me një vendim të caktuar (vlerësimin e këtij vendimi në raport me dispozitat statutore dhe akteve të dala në zbatim të tij) por mund edhe të bëjë një analizë dhe interpretim të mëvetshëm të statutit, pa qënë nevoja që ky interpretim të lidhet me një vendim apo veprim konkret.

  1. Pika 2 e nenit 54 nuk ka një parashikim në lidhje me të drejën e anëtarit për të investuar Komisionin me qëllim “respektimin e rregullave të bashkëjetesës”. Neni 24, pika 1, gërma ç) parashikon të drejtën e anëtarit për t’iu drejtuar “për çështje vetjake e të Partisë” të gjitha organeve drejtuese të saj. Formulimi i kësaj pike i njeh anëtarit të drejtën e kërkesës edhe për vënien në lëvizje të Komisionit.

  1. Nga leximi sistematik i Statutit dhe veçanërisht i pikave 2 dhe 4 të nenit 54 rezulton se të drejtën për të filluar një procedurë interpretimi të Statutit, nëpërmjet Komisionit e ka Kryesia e Partisë dhe çdo anëtar i saj.

  1. Nisur nga sa analizuar më lartë arrihet në përfundimin se:
  • Komisioni mund të bëjë interpretim të dispozitave statutore, qoftë edhe pa një referencë në veprime apo akte konkrete, dhe
  • Kryesia e Partisë ka tagrin për të adresuar Komisionin me një kërkesë për interpretimin e Statutit.

  1. Në lidhje me themelin e kërkesës së Kryesisë së Partisë vlerësojmë se pika e parë e saj shtron për interpretim pyetjen “1- Cilat janë ato veprime (sjellje, qëndrime, deklarime, mosveprime), të çdo lloj forme apo mënyre, që përfshihen në parashikimet e nenit 27 të Statutit të Partisë Demokratike dhe për të cilat mund të merret masë disiplinore?” Komisioni vlerësoi të marrë në analizë këtë pyetje në raport edhe me disa parime bazë mbi të cilat formohen dhe funksionojnë partitë politike.

  1. Partitë politike janë bashkime vullnetare njërëzish të cilët kanë një objektiv, qëllim apo platformë politike të përbashkët. Ajo që vlen të mbahet parasysh është që bashkimi është vullnetar në fazën e krijimit të partisë (momenti kur hartohet statuti i saj) ose në momentin e kërkesës për anëtarësim dhe pranimit të saj (momenti kur një person i cili nuk ka qënë pjesë e bashkimit fillestar, me vullnetin e tij vendos të bëhet pjesë e këtij bashkimi ekzistues). Nga momenti i pranimit të anëtarësisë e deri në përfundimin e saj (të vullnetshëm apo të detyruar) anëtari është i detyruar të respektojë dhe zbatojë detyrimet që rrjedhin nga akti me të cilin janë përcaktuar rregullat e bashkëjetesës në bashkimin vullnetar (statuti dhe aktet e dala në zbatim të tij).

  1. Neni 27 i Statutit të Partisë Demokratike përcakton se: 1) Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së. 2) Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike. 3) Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritetit, brenda 5 ditëve nga paraqitja e ankimit. 4) Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e Degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera. 5) Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm. 6) Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurat e dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët përcaktohen në aktet nënstatutore.

 

  1. Nga analiza e nenit 27 arrihet në përfundimin se ky nen është i përbërë nga 3 pjesë. Pjesa e parë është pika 1 e nenit e cila përcakton rastet (veprimet) që përbëjnë shkelje dhe për të cilat ndaj një anëtari të Partisë mund të merret masa disiplinore. Pikat 2, 3, 4 dhe 5 janë dispozita proceduriale që përcaktojnë organet që kanë të drejtën e marrjes së masës disiplinore, llojin e saj, mënyrën e ankimimit, si dhe rastet e jashtëzakonshme. Pika 6 ëshë dispozita deleguese, e cila krijon hapësirën e nevojshme ligjore për hartimin dhe miratimin e një akti nënstatutor i cili detajon ato që janë parimet e përgjithshme të përcaktuara në pikat 1-5.

  1. Përpara se Komisioni të merrte në shqyrtim kërkesën e paraqitur u informua në lidhje me ekzistencën e mundshme të një akti nënstatutor, sipas parashikimeve të pikës 6 të nenit 27. Nga përfaqësuesi i Kryesisë së Partisë u informuam se një akt i tillë nënstatutor nuk ekziston.

  1. Pika e parë e nenit 27, e cila lidhet me kërkesën e paraqitur nga Kryesia e Partisë parashikon tre raste në të cilat veprimet apo mosveprimet e anëtarit mund të jenë të ndëshkueshme me kufizimin e të drejtave të anëtarësisë nëpërmjet masës disiplinore. Në tërësinë e saj kjo pikë përcakton se: “Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së”. Nga analiza e kësaj pike të nenit 27 rezulton se 3 janë rastet në të cilat ndaj një anëtari mund të merren sanksione (masa disiplinore) apo mund t’i kufizohen të drejtat e anëtarit (veprim i cili gjithashtu ndërmerret nëpërmjet një mase disiplinore), a) thyerja e disiplinës; b) ndërmarrja e veprimeve dhe c) mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë (anëtarit). Pamvarësisht formulimit të ndryshëm, sipas pikave të cituara më lartë, të gjithe veprimet e mësipërme hyjnë në fushën e detyrimeve që anëtari i partisë ka ndaj saj.

  1. Statuti përcakton disa kushte, plotësimi i të cilave është i domosdoshëm për të gëzuar cilësinë e anëtarit. Këto kushte të përcaktuara nga pika 1 e nenit 22 janë a) të ketë mbushur moshën prej 15 vjeçësh, b) të pranojë kushtet e anëtarësimit (statutin e partisë dhe aktet e dalë në zbatim të tij, të drejtat dhe detyrat e anëtarit) dhe të përkrahë e mbrojë vlerat themelore të partisë dhe c) të mos jetë anëtar i partive të tjera politike.

  1. Duke anashkaluar kushtin e parë (neni 15/1/a), i cili është një kriter pjekurie për shkak të moshës, dy kushtet e tjera janë kushte të cilat janë të detyrueshme të përmbushen gjatë gjithë kohëzgjatjes së anëtarësisë. Nëse gjatë kohëzgjatjes së anëtarësisë secili prej kushteve të parashikuar në gërmat b) dhe c) të pikës 1 të nenit 15 nuk plotësohet nuk mund të kemi vazhdimësi të anëtarësisë në Partinë Demokratike dhe kjo e fundit duhet të quhet e përfunduar.

  1. Këto dy kushte duhen parë të lidhur ngushtësisht me qëllimin dhe interesin politik të partisë si dhe me detyrat dhe të drejtat e anëtarit.

  1. Detyrat (detyrimet) e anëtarit të Partisë Demokratike përcaktohen nga pika 2 e nenit 24 të Statutit. Në thelb ato janë tre a)pjesëmarrja aktive në jetën organizative dhe politike të partisë; b) pagesa e detyrimeve financiare ndaj partisë (kuota e anëtarësisë) dhe c) respektimi i disiplinës së brendshme. Këto tre detyrime të anëtarit të Partisë duhen parë edhe në dritën e të drejtave që anëtari ka gjatë kohëzgjatjes së anëtarësisë në Parti. Të drejtat e anëtarit rregullohen nga neni 24 pika 1 e Statutit e cila përcakton si të drejta të anëtarit a) të marrë pjesë e të shprehë lirisht mendimin në mbledhje; b) të propozojë, të zgjedhë dhe të zgjidhet dhe c) të drejtojë kërkesa ndaj të gjithë organeve të partisë. Nga formulimi i pikës 1dhe pikës 2 të nenit 24 rezulton se të drejtat e anëtarit janë njëkohësisht edhe detyra të tij. Pjesëmarrja aktive në jetën e partisë (që është një detyrë e anëtarit) realizohet nëpërmjet marrjes pjesë në mbledhje, shprehjes lirisht të mendimit, propozimit, zgjedhjes, të zgjedhurit dhe paraqitjes së kërkesave (që janë të drejtat e anëtarit).

  1. Pika tjetër që ka lidhje me “respektimin e disiplinës së brendshme” është formulimi pozitiv i togfjalëshit “thyerje e disiplinës” i parashikuar në pikën 1 të nenit 27 të Statutit. Nga analiza e nenit 27 arrihet në përfundimin se veprimet që futen në fushën e zbatimit të këtij neni janë a) veprimet që përbëjnë thyerje të disiplinës dhe b) veprimet që cënojnë interesat elektoralë dhe politikë të PDSH-së.

Veprimet që përbëjnë “thyerje të disiplinës”.

  1. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe fjale “disiplinë” përkufizohet si “zbatim i rreptë, i përpiktë e i detyrueshëm i ligjeve, i vendimeve, i kërkesave etj.; bindja a shprehia për zbatimin e tyre; rregulli që vendoset nga zbatimi i tyre: disiplinë e ndërgjegjshme”. Në konceptin ligjor, Statuti i një partie është kontrata që anëtarët e saj kanë lidhur me njëri-tjetrin për krijimin dhe funksionimin e saj. Në këtë kontekst Statuti është ligji mbi të cilin bazohet ndërtimi dhe funksionimi i një partie politike. Statuti ëshë ligji bazë në mbështetje dhe për zbatimin e të cilit organet e partisë nxjerrin akte të tjera me fuqi të njëjtë zbatimi për të gjithë anëtarët e Partisë.

  1. Neni 13 i Statutit ka përkufizuar dhe përcaktuar pikërisht “Disiplinën e brendshme”. Kjo dispozitë në pikën 2 të saj përcakton se: “Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Çdo vlerësim apo nismë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Anëtarët e PDSH-së veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH-së.

  1. Statuti i Partisë Demokratike përcakton jo vetëm të drejtat dhe detyrimet e anëtarit por dhe mënyrën e ndërtimit të infrastrukturës së partisë, mënyrën e marrjes së vendimeve dhe hierarkinë e organeve të saj. Parë në këtë këndvështrim “Thyerja e disiplinës” nuk është gjë tjetër veçse moszbatimi i dispozitave statutore (këtu jemi në rastin e mospërmbushjes së detyrimeve që i lindin drejtpërdrejt anëtarit nga Statuti) dhe / apo i vendimeve të organeve të partisë. Vendimet e organeve të partisë mund të kenë karakter individual, në rastin kur i drejtohen një anëtari të vetëm, apo karakter të përgjithshëm, kur përcaktojnë norma sjellje, qëndrime politike apo organizative. Vendimet me karakter individual janë të detyrueshme për zbatim vetëm nga anëtari të cilit ato i drejtohen, ndërkohë që vendimet me karakter të përgjithshëm janë të detyrueshme për zbatim nga çdo anëtar i partisë.

  1. Në kontekstin material “thyerja e disiplinës” mund të manifestohet ose realizohet me veprime ose mosveprime. Në rastin e veprimeve jemi në kushtet kur anëtari me anë të veprimeve aktive kundështon ose sillet në kundërshtim me një dispozitë të Statutit, apo të një akti nënstatutor (vendim i organeve drejtuese të Partisë) i cili mund të ketë karakter të përgjithshëm ose karakter individual. E njëjta sjellje mund të materializohet edhe nëpërmjet mosveprimeve. Vlen të theksohet se aktet nënstatutore, të dala në mbështetje dhe zbatim të Statutit mund të jenë të karakterit organizativ (akte që ngarkojnë detyra specifike) apo të karakterit politik. Jemi në rastin e veprimeve kur anëtari me deklarime, qëndrime publike, veprime aktive të karakterit individual apo në grup, kundërshton, apo sillet në kundërshtim me detyrën që i është ngarkuar, atij individualisht ose strukturës në të cilën bën pjesë, apo qëndrimin politik të organeve drejtuese të Partisë të shprehura me anë të vendimeve. Jemi në rastin e mosveprimeve kur anëtari nuk zbaton, individualisht ose në grup, detyrën që i është ngarkuar, atij individualisht ose strukturës në të cilën bën pjesë, nuk përmbush funksionin për të cilin është zgjedhur apo nuk mbështet haptazi, publikisht dhe në mënyrë demonstrative, qëndrimet politike të organeve drejtuese të Partisë të shprehura me anë të vendimeve.

  1. Bazuar në sa arsyetuar më lartë ky Komision arrin në përfundimin se: “thyerje e disiplinës” konsiderohet çdo veprim, pamvarësisht formës aktive apo pasive, i cili është në kundërshtim me një vendim me karakter të përgjithshëm të organeve të partisë. Veprimi është në formë aktive kur anëtari ndërmerr veprime aktive për moszbatimin e një vendimi të organit të partisë, veprime që mund të jenë në formën e shprehjes apo qëndrimeve publike, ose në formën e veprimeve të konkretizuara me akte të çdo lloj forme. Veprimi është në formë pasive kur pamvarësisht detyrimit për të zbatuar vendimin e organit, anëtari nuk zbaton detyrën funksionale, apo detyrën e ngarkuar posaçërisht me anë të vendimit.

Veprimet që “cënojnë interesat elektoralë dhe politikë”

  1. Partia politike krijohet me qëllim jetësimin e një projekti, programi apo platforme politike. Ky qëllim realizohet në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet aktivitetit politik dhe gjatë fushatave zgjedhore nëpërmjet aktivitetit elektoral. Interesi elektoral është pjesë e interesit politik, pasi është ky i fundit i shprehur në një hapësirë të kufizuar kohore e cila fillon me fillimin e fushatës elektorale dhe mbaron me përfundimin e zgjedhjeve. Në këtë kontekst i gjithë aktiviteti i Partisë (nëpërmjet organeve dhe anëtarëve të saj) është një aktivitet politik. Interesi politik dhe elektoral i një partie politike është përçimi i platformës apo projektit politik dhe krijimi i një shumice votuesish që e mbështesin këtë platformë apo projekt. Nisur nga ky interes, të gjithë veprimet e organeve apo anëtarëve të partisë duhet të kenë si synim arritjen e qëllimit politik e për pasojë çdo veprim ose mosveprim që nuk mbështet apo cënon këtë synim është një akt që cënon interesat elektoralë dhe politikë të Partisë.

  1. Statuti ka parashikuar si një nga të drejtat e anëtarit lirinë e shprehjes, por duke e përcaktuar këtë të fundit si një liri që mund të ushtrohet brenda strukturave të Partisë Demokratike. Ky përfundim arrihet nga intepretimi sistematik i neneve 16; 24/1/a; 24/2/ç dhe 27/1 të Statutit. Neni 16 i Statutit përveçse ka garantuar lirinë e shprehjes së mendimeve, opinioneve, qëndrimeve dhe/apo platformave ka garantuar që në mbledhjet e organeve të Partisë, në rastin e ekzistencës së një mendimi “pro” dhe një mendimi “kundër” të dëgjohet së paku një përfaqësues për çdo qëndrim. Formulimi i nenit 16 përveçse krijon dhe garanton hapësirën për shprehjen e lirë të mendimit krijon edhe një mekanizëm të kufizuar për momentin dhe vendin në të cilin mund të shprehet ky mendim. Fjalia e parë e nenit 16 përcakton se: “Çdo anëtar ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij në strukturat dhe organet e PDSH-së, të cilat kanë për detyrë të garantojnë dhe respektojnë shprehjen e mendimit ndryshe”. Togfjalëshi “…strukturat dhe organet e PDSH-së” është një mekanizëm kufizues i cili përcakton se liria e shprehjes nuk mund të ushtrohet në çdo kohë dhe në çdo vend por mund të ushtrohet nëpërmjet marrjes pjesë në mbledhjet e organeve të partisë, ose nëpërmjet kërkesave drejtuar këtyre organeve (sipas parashikimeve të gërmës ç) të pikës 1 të nenit 24). Në terma praktikë një mendim / propozim apo qëndrim i cili ngrihet në mbledhjen e një organi të partisë dhe nuk merr shumicën e votave në vendimmarrje është një mendim i pakicës e për pasojë nuk përputhet me vendimin, propozimin apo qëndrimin e shumicës. Si i tillë ai nuk mund të shpërndahet, shprehet apo publikohet jashtë mbledhjeve të organeve të partisë pasi do të vinte ndesh me qëndimin e shumicës, që është edhe qëndimi zyrtar i partisë politike.

  1. Ekuilibri ndërmjet lirisë së shprehjes dhe cënimit të interesave elektoralë dhe politikë është i brishtë dhe është detyrë e organit që merr masën disiplinore të vlerësojë deri ku shtrihet liria e shprehjes që i garantohet anëtarit nga Statuti dhe ku përfundon ajo. Në marrjen e masës disiplinore duhet patur parasysh fakti nëse anëtari e ka pasur mundësinë të shprehë lirisht qëndrimin, propozimin apo platformën e tij, dhe nëse këto të fundit i janë nënshtruar diskutimit apo votimit. Nëse e drejta statutore e shprehjes është shteruar në mbledhjet e organeve vendimmarrëse të partisë dhe organi ka dalë me një vendimmarrje, çdo veprim i mëtejshëm i anëtarit në kundërshtim me këtë vendimmarrje është një veprim në cënim të interesave elektorale dhe politike të Partisë.

  1. Bazuar në sa analizuar dhe parashtruar më lartë ky Komision arrin në përfundimin se: “veprim që cënon interesat elektoralë dhe politikë” është çdo veprim i cili shpreh, mbështet publikisht, synon të arrijë një qëllim apo objektiv të ndryshëm nga ato të miratuar apo shprehur me vendime të organeve drejtuese, lokale apo qëndrore të Partisë, për çështje organizative apo politike, është një veprim i cili cënon interesat elektoralë dhe politikë të PDSH-së.

 

  1. Pyetja e dytë e shtruar për intepretim nga ana e Kryesisë së Partisë është “Cilat janë organet e partisë që kanë tagrin për të vendosur masën disiplinore?”. Në formulimin e pyetjes Kryesia ka kërkuar interpretimin e Statutit në lidhje me subjektin që ka tagrin e marrjes së masës disiplinore ndaj anëtarëve të Partisë.

  1. Proçedura për marrjen e masave disiplinore dhe organet që mund t’i marrin ato përcaktohen nga pikat 2, 3, 4 dhe 5 të Nenit 27 të Statutit. Këto pika përcaktojnë se: “ Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike. 3. Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritetit, brenda 5 ditëve nga paraqitja e ankimit. 4. Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga Kryesitë e Degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga Kryesia e Partisë për të gjitha rastet e tjera. 5. Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, Kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim Kryesisë së Partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm”. Nga intepretimi i pikave të mësipërme të nenit 27 rezulton se tagrin për të marrë masa disiplinore ndaj anëtarëve të Partisë e kanë: a) Kryesia e Degës (për anëtarët e partisë të regjistruar në këtë degë); b) Kryesia e Partisë (për të gjithë anëtarët e tjerë) dhe c) Kryetari i Partisë (në rastet urgjente dhe me miratimin e mëpasshëm të Kryesisë së Partisë).

  1. Neni 44 i Statutit, i cili rregullon funksionimin dhe kompetencat e Këshillit Kombëtar ka një rregullim të veçantë për masat disiplinore. Në gërmën dh) të pikës 5, përcakton se Këshilli Kombëtar ushtron të drejën e “shpalljes së masave disiplinore për anëtarët e Këshillit Kombëtar apo Kryesisë së PDSH-së”. Në pikën 7 të nenit 44 gjithashtu përcaktohet se: “Në rastin e masave disiplinore vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave.”. Gërma dh) e pikës 5 dhe pika 7 e nenit 44 duhen parë të lidhura edhe më mënyrën e funksionimit dhe vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar nga njëra anë si dhe me parashikimet e nenit 27 me llojet dhe tagrat e organeve në marrjen e masave disiplinore nga ana tjetër. Nga analiza kumulative e këtyre dispozitave rezulton se gërma dh) e pikës 6 të nenit 44 është një dispozitë që përcakton tagrat apo të drejtat që Statuti i njeh Këshillit Kombëtar, ndërsa pika 7 e nenit 44 është një dispozitë që rregullon procesin e propozimit të vendimeve dhe shumicën e kërkuar për vendimmarrje. Bazuar në këtë analizë, dispozitat e marra së bashku duhet të lexohen në këtë formë: “Vendimi për shpalljen e masave disiplinore për anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së PDSH-së merret me 2/3 e votave”. Ky formulim është në të njëjtën linjë rrjedhje llogjike me fjalinë e fundit të pikës 2 të nenit 27 e cila përcakton se: “Ato (masat disiplinore) mund të bëhen publike”. Pikërisht në këtë kontekst dhe bazuar mbi këto dispozita statutore Kryesia e Partisë në rastin e marrjes së një mase disiplinore, (ndaj një anëtari të Këshillit Kombëtar apo Kryesisë së PDSH-së) mund të kërkojë përfshirjen në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar edhe marrjen e vendimit për shpalljen e kësaj mase. Nga ky formulim derivon kufizimi i tagrave të Kryesisë së Partisë për shpalljen (bërjen publike) të masave disiplinore të marra ndaj anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe/apo Kryesisë së Partisë pa një vendimmmarrje të Këshillit Kombëtar.

  1. Organizimi i Partisë Demokratike ndahet në dy nivele të përgjithshme a) Nivel i Degës dhe b) Niveli i organeve drejtuese qëndrore. Në nivelin e Degës bëjnë pjesë, a) Seksionet, b) Grupseksionet c) Kryesia e Degës dhe d) Kryetari i Degës. Ndërkohë në nivelin qëndror bëjnë pjesë a) Kuvendi Kombëtar, b) Këshilli Kombëtar, c) Kryesia e Partisë, d) Kryetari i Partisë d) Nënkryetarët e Partisë, e) Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretarët funksionalë, f) Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës, g) Komisioni Zgjedhor dhe h) Bordi Financiar.

  1. Statuti parashikon në nenin 48 të tij një strukturë qëndrore e cila organizon Deputetët e Partisë në Kuvendin e Shqipërisë të quajtur Grupi Parlamentar. Kjo strukturë pamvarësisht parashikimit statutor të saj është një strukturë politike që ka për qëllim vetëm rregullimin e përfaqësimit parlamentar të programit dhe qëndrimeve politike të Partisë dhe si e tillë nuk është strukturë me detyrë organizative, sikurse të gjitha strukturat e tjera të cituara më lartë. Për shkak se deputetët janë ex officio anëtarë të Kuvendit Kombëtar dhe të Këshillit Kombëtar marrja e masave disiplinore në ngarkim të tyre është e njëjtë me atë të anëtarëve të këtyre dy strukturave.

  1. Komisioni vendosi të analizojë anëtarësinë e Kuvendit Kombëtar nisur nga fakti që ky i fundit është organi më i lartë statutor i Partisë dhe nga fakti që në përbërje të tij marrin pjesë strukturat lokale dhe ato qëndrore të Partisë.

  1. Kuvendi Kombëtar rregullohet nga neni 43 i Statutit. Sipas formulimit të pikës 1 të këtij neni Kuvendi Kombëtar përbëhet i gjithi nga delegatë ex officio (delegatë për shkak të një pozicioni që ata mbajnë në strukturën e Partisë Demokratike). Delegatët mund të ndahen në dy grupe nga të cilat grupi i parë përbëhet nga delegatët që e përfitojnë mandatin për shkak se mbulojnë një pozicion në Degët e Partisë si a) Kryetarët seksioneve b) Sekretarët e grupseksioneve, c) Anëtarët e Kryesisë së Degës, d) Anëtarët e këshillave bashkiakë dhe e) Koordinatorët tematikë apo Koordinatorët e procesit zgjedhor. Kjo kategori delegatësh ka cilësinë e anëtarit dhe e zhvillon jetën partiake në nivel Dege. Për këtë shkak për këtë kategori organi që ka të drejtën në rradhë të parë të marrë një masë disiplinore është Kryesia e Degës. Kufizimi i tagrave për marrjen e masës disiplinore nga Kryesia e Degës bazohet në kompetencën territoriale të Degës, e cila është përgjegjesë vetëm për aktivitetin e anëtarëve të saj në njësinë territoriale që mbulon. Për pasojë koncepti i aktivitetit të anëtarit lidhet më së shumti me vendin në të cilin anëtari ushtron pjesën më të madhe të aktivitetit të tij politik dhe partiak. Në këtë kontekst duhet mbajtur parasysh që për shkak të mënyrë së organizimit të Partisë të gjithë anëtarët e saj janë të regjistruar në një nga seksionet e Partisë, ose në një nga Degët e saj, kjo edhe për faktin që anëtarësimi është i lidhur ngushtësisht me vendbanimin e anëtarit. Grupi i dytë i delegatëve të Kuvendit Kombëtar janë a) anëtarët e Këshillit Kombëtar, b) anëtarët e Kryesisë së Partisë dhe c) Deputetët. Aktiviteti politik i deputetëve, anëtarëve të Kryesisë së Partisë dhe Anëtarëve të Këshillit Kombëtar realizohet në një nivel më të lartë se aktiviteti politik i Degës. Për pasojë këta të fundit nuk mund të jenë subjekt i masave disiplinore të marra nga Kryesia e Degës. Pika 2 e nenit 27 përcakton se masat disiplinore merren sipas rastit nga “Kryesia e Degës ose Kryesia e Partisë”. Në formulimin e fjalisë është përdorur lidhëza “ose” ç’ka nënkupton që tagrat e Kryesisë së Partisë mbivendosen me tagrat e Kryesisë së Degës dhe e para ka të drejtë të vendosë marrjen e masave disiplinore edhe për anëtarët e Degëve. Ndryshimi në tagrat e Kryesive lidhet vetëm me nivelin (kombëtar apo lokal) në të cilën anëtari ndaj të cilit kërkohet të merret masa disiplinore e zhvillon aktivitetin e tij politik.

  1. Anëtarët e organeve qëndore zgjidhen nga Këshilli Kombëtar. Për shkak të kësaj zgjedhje ata mund të jenë anëtarë të Kryesisë së Partisë, Anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe Anëtarë të Kuvendit Kombëtar. Statuti nuk ka parashikuar një rast të veçantë për marrjen e masës disiplinore ndaj anëtarëve të organeve drejtuese qëndrore që zgjidhen nga Këshilli Kombëtar ç’ka nënkupton që ky pozicion nuk gëzon një trajtim të diferencuar. Vlen të theksohet se sipas parashikimeve të nenit 27 masa disiplinore merret ndaj anëtarit të Partisë. Kjo do të thotë, sikurse kemi interpretuar gjerësisht më lartë, që asnjë pozicion politik apo administrativ në strukturat e partisë, nuk gëzon një trajtim preferencial apo të veçantë në raport me detyrimet që lindin nga anëtarësia. Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia janë të njëjta për të gjithë anëtarët e Partisë, pamvarësisht pozicionit që ata mbajnë apo ushtrojnë në hierarkinë e Partisë Demokratike. Masa disiplinore mund të jepet për shkak të shkeljes së detyrimeve që anëtari ka ndaj Partisë dhe Statuti nuk ka parashikuar që këto detyrime janë të ndryshme po pozicione të ndryshme. Ndryshimi ndërmjet anëtarit të thjeshtë të Partisë dhe anëtarit të organeve drejtuese qëndrore të saj, Deputetit, Anëtarit të Këshillit Kombëtar apo Anëtarit të Kuvendit është vetëm organi i Partisë që ka tagrin e marrjes së masës disiplinore. Duke rimarrë në arsyetim kufizimin e tagrave të Kryesisë së Degës është e vetëkuptueshme se për sa kohë funksioni që ushtron anëtari është më i lartë se ai i Kryesisë së Degës organi vendimmarrës për masën disiplinore është Kryesia e Partisë.

  1. Pyetja e tretë e paraqitur nga Kryesia e Partisë është “Cilat janë efektet / pasojat e masave disiplinore”. Pika 2 e nenit 27 të Statutit parashikon mundësinë e marrjes së tre masave disiplinore ndaj anëtarit a) paralajmërimi, b) pezullimi dhe c) përjashtimi.

  1. Masa disiplinore “Paralajmërim” prodhon efekte vetëm në kartelën (dosjen personale) e anëtarit, në të cilën regjistrohet i gjithë aktiviteti politik dhe partiak i tij. Kjo e fundit shërben për vlerësimin e anëtarit në funksion të meritokracisë dhe zhvillimit të karrierës së tij politike. Statuti nuk ka parashikuar çfarë ndodh në rastin e marrjes së disa masave disiplinore të paralajmërimit apo sa herë mund të merret kjo masë apo kur shuhet ajo. Pika 6 e nenit 27 i ka deleguar, pa specifikuar, të drejtën e nxjerrjes së akteve nënstatutore, e drejtë që në gjykimin e Komisionit duhet të ushtrohet nga Kryesia e Partisë, si organi më i lartë ekzekutiv i saj.

  1. Masat disiplinore “Pezullim” dhe “Përjashtim” janë masa që parashikohen jo vetëm në pikën 2 të nenit 27 por edhe në gërmën c) të pikës 1 të nenit 25. Sipas përcaktimit të kësaj pike, marrja e këtyre masave ndaj anëtarit passjell pezullimin e të drejtës së votës së tij. Ky rregullim i nenit 25 parashikon marrjen e masave disiplinore “Pezullim” dhe “Përjashtim” ndaj anëtarit, i cili gëzon vetëm të drejtën e votës dhe jo funksione të tjera të zgjedhura apo ex officio në strukturat e Partisë.

  1. Duke marrë në analizë masën disiplinore “Pezullim” rezulton se qëllimi i kësaj mase është pezullimi i anëtarësisë së personit nga partia politike. Pezullim do të thotë ndërprerja, për një afat të caktuar, të të drejtave që anëtari përfiton nga anëtarësimi në partinë politike. Ajo që duhet patur në konsideratë në analizimin e kësaj mase disiplinore është fakti që të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një funksioni të zgjedhur apo ex officio janë të prejardhura nga anëtarësia. Pezullimi i anëtarësisë nuk mund të shoqërohet me vazhdimësinë e funksioneve në të cilat anëtari është i zgjedhur apo i gëzon ex officio. Në kushtet kur ndaj anëtarit të Partisë merret masa disiplinore “Pezullim” efekti është pezullimi i anëtarësisë së tij e për pasojë të këtij pezullimi edhe humbja e përkohshme e të gjitha funksioneve, të zgjedhura apo ex officio, të cilat anëtari gëzon brenda strukturave të Partisë.

  1. Një rast specifik që duhet trajtuar për shkak të pozitës së vecantë është ai i Deputetit. Deputetët janë anëtarë të Partisë e për pasojë u nënshtrohet të njëjtave rregulla si të gjithë anëtarët e tjerë. Diferencën e bën fakti që mandati i Deputetit është i dhënë nga organi shtetëror për shkak të rezultatit zgjedhor e nuk i nënshtrohet dispozitave statutore. Në këtë rast lind pyetja “cili është efekti i masës disiplinore “pezullim” mbi anëtarin që gëzon cilësinë e Deputetit?”. Sikurse arsyetuam më lartë, pezullimi prodhon efektet mbi anëtarin e partisë, për të drejtat që ai i përfiton nga cilësia e anëtarit dhe që rrjedhin prej saj. Në rastin e Deputetit, masa disiplinore nuk mund të sjellë efekt mbi mandatin e tij, apo mbi ushtrimin e funksionit të Deputetit por vetem mbi të drejtat që Deputeti gëzon për shkak të anëtarësimit në Partinë Demokratike. Marrja e masës disiplinore “Pezullim” ndaj një anëtari që është njëkohësisht edhe Deputet do të pezullojë të drejtën e votës së këtij të fundit në të gjitha organet statutore të Partisë, përfshi këtu edhe Grupin Parlamentar.

  1. Në marrjen e masës disiplinore “Pezullim” organi vendimmarrës duhet të mbajë në konsideratë faktin që kjo masë është me karakter të përkohshëm e për pasojë vendimi duhet të jetë me afat ose i lidhur me një veprim tjetër, plotësimi i të cilit është kushti për përfundimin e efektit të masës disiplinore të pezullimit.

  1. Masa disiplinore “Përjashtim” është masa më e rëndë dhe efekti që prodhon është ai i përfundimit të njëanshëm të anëtarësisë së anëtarit. Statuti në pikën 1 të nenit 26 të tij përcakton se anëtarësia përfundon në 3 raste a) kur anëtari vdes (zgjidhja natyrore) b) kur anëtari largohet me kërkesën e tij dhe c) kur anëtari përjashtohet (zgjidhjet e njëanshme). Largimi i anëtarit me kërkesën e tij mund të ndodhë në dy mënyra. Në rastin e parë largimi bëhet me kërkesë të shkruar të anëtarit dhe kjo mund të konsiderohet si forma e dokumentuar e përfundimit të anëtarësisë nga anëtari. Në rastin e dytë largimi mund të bëhet me veprime konkludente. Jemi në rastet e përfundimit të anëtarësisë me veprime konkludente kur anëtari me anë të veprimeve të tij nuk përmbush më kushtet bazë të anëtarësisë. Përgjithësisht kjo ndodh me mosrespektimin e kushtit të parashikuar në pikën 1 të nenit 22 të Statutit, mospërkrahjen e vlerave të Partisë Demokratike ose anëtarësimin në një parti tjetër politike.

  1. Përjashtimi është përfundimi i anëtarësisë me vullnetin e organeve të Partisë, pamvarësisht vullnetit të anëtarit. Me marrjen e kësaj mase disiplinore përfundon anëtarësia e anëtarit në Partinë politike e për pasojë edhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej saj së bashku me funksionet që anëtari ka në organet e Partisë.

Në përfundim Komisioni, në zbatim të nenit 54 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me qëllim interpretimin e dispozitave statutore në përputhje me kërkesën e Kryesisë së Partisë

VENDOSI

 

  1. Veprimet (sjellje, qëndrime, deklarime, mosveprime), të çdo lloj forme apo mënyre, që përfshihen në parashikimet e nenit 27 të Statutit të Partisë Demokratike dhe për të cilat mund të merret masë disiplinore janë:
  • çdo veprim, pamvarësisht formës aktive apo pasive, i cili është në kundështim me një vendim me karakter të përgjithshëm të organeve të Partisë. Veprimi është në formë aktive kur anëtari ndërmerr veprime aktive për moszbatimin e një vendimi të organit të Partisë, veprime që mund të jenë në formën e shprehjes apo qëndrimeve publike, ose në formën e veprimeve të konkretizuara me akte të çdo lloj forme. Veprimi është në formë pasive kur pamvarësisht detyrimit për të zbatuar vendimin e organit, anëtari nuk zbaton detyrën funksionale, apo detyrën e ngarkuar posaçërisht me anë të vendimit.
  • çdo veprim i cili shpreh, mbështet publikisht, synon të arrijë një qëllim apo objektiv të ndryshëm nga ato të miratuar apo shprehur me vendime të organeve drejtuese, lokale apo qëndrore të Partisë, për çështje organizative apo politike, është një veprim i cili cënon interesat elektoralë dhe politikë të PDSH-së.
  1. Kryesia e Partisë ka tagrin e marrjes së masës disiplinore ndaj cilitdo anëtari të Partisë, pamvarësisht funksionit që ai ka brenda saj, ekzekutiv, politik apo të zgjedhur, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, Anëtarin e Kryesisë, Anëtarin e Këshillit Kombëtar dhe Anëtarin e Kuvendit Kombëtar.
  2. Masat disiplinore prodhojnë këto efekte/pasoja:
  • “Paralajmërimi” shënohet në skedën personale të anëtarit dhe vlerësohet së bashku me të gjithë elementët e tjerë për zhvillimin e karrierës politike brenda partisë.
  • “Pezullimi” sjell ndërprejen e të drejtës së votës dhe të ushtrimit të të  gjitha funksioneve në organet e Partisë përgjatë periudhës për të cilën është vendosur pezullimi apo deri në plotësimin e kushtit ndalues. Për Deputetët pezullimi sjell pezullimin e të drejtës së votës në të gjitha organet statutore të Partisë në të cilat bëjnë pjesë, përfshirë Grupin Parlamentar.
  • “Përjashtimi” sjell përfundimin e njënashëm të anëtarësisë dhe të gjithë të drejtave që rrjedhin prej saj.
  1. Ky vendim i njoftohet kërkuesit Kryesia e Partisë Demokratike dhe publikohet në faqen zyrtare të Partisë.

 

KRYETARE

FLUTURA AÇKA