Kryetari i PD, Lulzim Basha, ishte sot në fshatin Goriçan, në Berat, ku takoi fermerët e kësaj zone me të cilët ndau planin e PD për të kthyer vëmendjen ndaj bujqësisë, pasi sipas tij “Shqipëria ka mundësi pa fund, thjesht duhet që ato të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët”.
“Me fermerët e Goriçanit, që me djersën e tyre e kanë kthyer këtë zonë në një nga më prodhueset. Dëgjova me vëmendje shqetësimet e tyre për mungesën e tregut, neglizhencën totale nga autoritetet përgjegjëse dhe mungesën e mbështetjes, që shpesh herë i detyron të flakin produktet, duke i çuar drejt falimentit. Prodhimet e tyre nuk duhet të mbushin kanalet, investimet e tyre nuk duhet të shkojnë dëm, ata dhe fermerët anembanë vendit meritojnë më shumë. Meritojnë një politikë që është në shërbim të tyre, që subvencionet dhe grantet e BE-së i përdor për të nxitur prodhimin vendas, jo klientelizmin korruptiv të qeverisë. Partia Demokratike është në krah të tyre, Shqipëria ka mundësi pa fund, thjesht duhet që ato të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët tanë. Ky është synimi ynë, për këtë ne po diskutojmë dhe bashkëpunojmë me të gjitha gurpet e interesit, për të ndërtuar alternativën që qytetarët presin dhe meritojnë”, – shkruan Basha.