DEKLARATA E NËNKRYETARIT DHE DEPUTETIT TË PD, KRESHNIK ÇOLLAKU, PËR GAZETARËT JASHTË PARLAMENTIT

 

Duke qenë se në sallë po bëhet gjithmonë e pamundur për të marrë të drejtën për të folur, siç ju e dini unë kam interpelancë me kryeministrin e vendit, shtrova pyetjet, dëgjova me shumë durim shtjellimin e tij prej një orë e gjysmë dhe normalisht pas procedurës duhej të kisha pasur mundësinë për të bërë replikën time, duke qenë se drejtpërdrejtë u përmenda apo u atakova. Mjerisht, në sallë po ndodh një aleancë e çuditshme, kryetarja e Kuvendit refuzon të plotësojë këtë detyrim që ka karshi meje si deputet kërkues i interpelancës dhe të më jap fjalën. Fjala shkon në mënyrë të çuditshme tek deputet që përfaqësojnë një grup opozitar, por jo grup të Partisë Demokratike. Dhe pavarësisht kësaj, duket se ka një aleancë për të mbajtur në heshtje atë që paralajmërova dje, kjo është një aleancë e heshtur në parlamentin e Shqipërisë mbi Kosovën dhe situatën e saj. Është paraqitur një draftë rezolutë për t’u votuar. Një rezolutë shumë e varfër, shumë minimaliste, ku dhe tek ky tekst, e thash dhe në sallë, ku dhe tek ky tekst dhe ju jeni gazetarë, ju lutem mund ta hulumtoni apo të pyesni kolegët e dy palëve të aleancës, qoftë Rithemelimin qoftë Partinë Socialiste. I referohet sulmit në datën 24 si një njësi terroristësh serb. Është pikërisht ajo çfarë thotë Aleksandër Vuçiç. Aleksandër Vuçiç nuk e ka mohuar se kanë qenë serb që kanë sulmuar, por serb të Kosovës. Aleksandër Vuçiç mohon implikimin e Beogradit lidhur me këtë sulm. Dhe është e papranueshme që në tekstin e rezolutës të Parlamentit të Shqipërisë, të pohohet ajo çfarë Vuçiç deklaron, që janë terrorist serb, po, por Beogradi nuk ka lidhje se janë serb të Kosovës. Këtë kërkon Vuçiç dhe këtë në mënyrë ose të painformuar, ose dashakeqe po inflirtohet edhe në tekstin e rezolutës të parlamentit të Shqipërisë. Dhe kjo është e papranueshme dhe ky tekst është I papranueshëm. Unë kam kërkuar futjen e tre amendamenteve të cilat do të përpiqen të rekuperojnë sado munden këtë tekst amorf, të pakuptimt. Nuk e di se si do të reagojë kryetarja e Kuvendit, shumica, sepse duket sikur ka një akordim të plotë midis shumicës socialiste dhe pjesës opozitare të Rithemelimit, për ta mbyllur këtë debat, për ta heshtur këtë debat dhe për të shkuar tek kjo rezolutë e pakuptimtë, e pangjyrë, e cila nuk gjen guximin as të opozitës serbe në Kosovë për të folur dhe për të akuzuar Vuçiçin. Rezoluta e parlamentit tonë sot, ky tekst, ku I referohet njësive terroriste serbe pa thënë qartësisht, me zërin e Republikës së Shqipërisë, jo duke u fshehur pas Kosovës se dërguesi dhe drejtuesi politik I asaj çfarë ndodhi në veri të Kosovës është Aleksandër Vuçiç me një plan të qartë, aneksimin e veriut të Kosovës, ne s’kemi thënë asgjë, në rast se ky parlament sot nuk ka guximin të thotë dhe këtë.