Të nderuar deputetë,

Të dashur bashkëqytetarë,

Pasi kanë vjedhur nga ju 250 milionë dollarë vetëm nga Doganat dhe Tatimet, vetëm në 9 muajt e fundit, Edi Rama doli dje në stilin e tij të propagandës bajate gjeti disa koka turku. Kemi 10 muaj që denoncojmë pa reshtur me fakte dhe me shifra vjedhjen në dogana dhe tatime por kryepërgjegjësi ka heshtur. Mediat kanë transmetuar dëshmi rrëqethëse nga punonjës të antikontrabandës mbi sistemin e vjedhjes që rilindja ka ngritur në dogana. Raportet e “Croën Agents” kanë detajuar skemat e vjedhjes dhe të përhapjes së saj në të gjithë sistemin. Kryepërgjegjësi nuk reagoi asnjëherë në 10 muajt, madje u përpoq ta mbulonte këtë vjedhje duke sulmuar opozitën. Dje më në fund e pranoi, pranoi se qindra milionë  dollarë janë vjedhur por prapë u mundua që përgjegjësinë ta heqë nga vetja dhe të fajësojë disa punonjës doganash.

A ka shqiptarë që ta besojë se pa urdhrin e Edi Ramës dhe marionetave të tij ngrihet trau i Doganave për kontrabandën e cigareve dhe të naftës, apo mallrave të tjera të akcizës.

Qëllimi i tij është të bënte shfaqje, hiqej sikur  nuk ka qenë fare këtu, sikur nuk ka ditur gjë, sikur nuk ka dorë në batërdinë që po bëhet atje prej dy vjetësh dhe sidomos nga muaji  janar i këtij viti e këndej; na hiqet pra sikur sapo e zbuloi.

Ky ishte njeriu që i tha shqiptarëve se do kishin 16 miliardë dollarë më shumë në buxhet nga sistemi i tyre avantazhues fiskal. Ky ishte që i premtoi shqiptarëve se do kishin 240 milionë dollarë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit nga miradministrimi.

Çfarë ndodhi ?Në arkën e shtetit deri në fund të vitit do mungojnë 326 milionë dollarë në dogana dhe tatime. Nga vjedhja e pandalshme e këtyre kusarëve politikë.

Sot, shqiptarët janë 326 milionë dollarë më të varfër vetëm dogana dhe tatime. U janë marrë vetëm nga doganat dhe tatimet 1 milionë e 200 mijë lek në familje prej tre anëtarësh, vetëm në 10 muaj. Edi Rama dhe banda e tij është 326 milionë dollarë më e pasur. Në xhepat e tyre gjenden 326 milionë dollarë që u kanë borxh shqiptarëve. Ja pse e ka dashur votën tuaj.

Bën skena në oborrin e doganave.

Si për të thënë që nuk i kam vjedhur unë, po ju. Tregon me gisht si hajdutë punonjësit e vet. Tregon me gisht popullin e vet si informal dhe kontrabandist. Kur është vetë autori.

Kontrabanda e cigares, naftës dhe artikujve të tjerë të akcizës është një nga kapitujt  me të zi  të oligarkisë Rama-Meta, është një skemë kriminale  e vënë në zbatim me vetëdije të plotë nga  Edi Rama dhe ministrat e tij të rrethit të ngushtë  bashkë me  kontrabandistët  me damkë të oborrit qeveritar.

Vetëm nga cigarja humbja është më shumë se 50 milionë dollarë kontrabandë këtë vit. Miliona dollarë të tjerë i mungojnë arkës së shtetit dhe kanë përfunduar në kontot dhe xhepat e kontrabandistëve dhe kumbarove të tyre në qeveri nga kontrabanda e naftës. Në veçanti nga futja me kontrabandë e naftës “Virgin”, që është tregtuar në pikat e shitjes me shumicë si naftë e mirë, duke sjellë dëme të pariparueshme për makinat e tyre.
Përsëris thirrjen për hetimin me urgjencë të kësaj skeme kriminale.
Kjo skemë ka nisur me emërimin  në postet kyçe në  dogana dhe tatime të  personave të përzgjedhur me dorë si marioneta të kryeministrit dhe ministrave  të klikës, persona që janë caktuar në ato detyra  për të garantuar rrjedhën e kontrabandës dhe evazionit për llogari të Edi Ramës dhe bandës së tij oligarkike.

Drejtori i vërtetë i Përgjithshëm i Doganave ka qenë dhe është Edi Rama.

Gropa e madhe e deficitit në dogana dhe tatime është një provë e gjallë nga njëra anë e dështimeve, nga ana tjetër e kusarisë gjigante në këto sektor.
Qeveria por edhe Prokuroria ka pasur mundësi të vihet në zotërim të dokumenteve të krimit që kanë vënë në dispozicion vendet mike.

Historia e doganave në qeverisjen e Edi Ramës nuk është një shaka që mund të likuidohet me operacione plastike apo me përplasjet teatrale çizmesh nga ky palo kryeministër, me disa shkarkime punonjësish për bujë, për t’i hedhur publikut syve dhe për të hequr përgjegjësinë nga vetja.

Duhet hetim, hetim i thellë dhe urgjent: ku kanë shkuar 326 milionë dollarët. Duhet ndëshkim  i ashpër, konform ligjit, i gjithë zinxhiri i personave përgjegjës- zyrtarë të lartë dhe kontrabandistë me damkë, që kanë vjedhur paratë e qytetarëve në këto shuma marramendëse.

Duhet transparencë plotë dhe shteruese për qytetarët ku kanë shkuar, kush i ka marrë paratë e tyre?

Në gjykimin politik, duhet një analizë  e thellë.  Kush i bëri këto lloj emërimesh? Pse u lejua që gjendja të degradonte në këtë shkallë në dogana dhe tatime, sektorë që konsideroheshin nga partnerët ndërkombëtarë falë edhe investimeve e tyre ndër vite, si ndër më të stabilizuarit.

Ky që bën sikur i zgjua nga gjumi, edhe pse ka pajtuar kompaninë “Croën Agents” dhe normalisht ka qene kurdoherë i mirë informuar për gjendjen në dogana.

Ky nuk e bën dot këtë analizë sepse është  vetë përgjegjësi numër një për gjendjen e krijuar, vetë kreu i kontrabandës. Situata në  dogana, sikundër në sektorë të tjerë shëndoshet vetëm me largimin e tij nga kreu i qeverisë.

Sot dua ti them se ta harrojë se mund të mbulojë me gjethe  fiku batërdinë e qeverisë së tij në dogana.  E gënjen mendja se mund  t’i vjedhë doganat e vendit,  dy vjet për vetë dhe për kontrabandistët e tij,  të vjedhë  dy vjet dhe  pastaj të mendojë se njerëzit nuk do të kujtohen në pjesën e mbetur të mandatit.

Doganat dhe tatimet janë një krim i ngulur, një plagë e hapur në zemër të ekonomisë kombëtare, pra edhe çdo familje shqiptare që do të shërohet vetëm më transparencë, vetëm me drejtësi dhe ne do ta bëjmë këtë.

Këtë javë siç ishte njoftuar në kalendarin e Kuvendit, prisnim të  futej për shqyrtim në Kuvend projektligji i grupit tonë parlamentar për hetimin ndërkombëtar të aferës “ÇEZ”. Rama dhe Meta e shtynë përsëri, por nuk mund ta shtyjnë pafund. Të enjten e javës se ardhshme nuk do të ketë më asnjë  justifikim, asnjë alibi për të mos e futur në seancë.

Ne nuk tërhiqemi pa zbardhur aferën më të madhe të bërë në kurriz të shqiptarëve, aferën “CEZ” prej 600 milionë eurosh. Ne nuk tërhiqemi pa zbardhur aferën “CEZ-DIA”. Ndërkohë që milionë euro vidhen shqiptarëve, njerëzve iu merret shpirti për bukën e gojës.
Dyshja Rama-Meta kishte bërë gati për të futur projektligjin për disa amendamente Kodin Penal, ku vendin kryesor e zënë dispozitat e terrorit ndaj biznesit përmes gjobave të rënda dhe dënimeve me burg.

Këtej bën sikur po i liron  lakun  sipërmarrjes së vogël duke kopjuar si një ngelës në panik propozimet  të shkëputura nga programi i opozitës, nga ana tjetër i rrit  gjobat dhe i përgatit burgun ashtu siç di ky palo kryeministër që ka parë me sy çdo shqiptar në këto dy vite: në mënyrë brutale, selektive e të padrejtë.

Sipërmarrësit e njohin mirë. Isha sot në takimin e radhës me disa prej tyre, e para dy ditësh në Selenicë, këtej bën sikur na heq taksat ne dhe me një gjobë të vetme na merr sa për 50 vite taksë, më thanë në Selenicë.

Po ta lemë këtë qeveri të përfundojë mandatin vetëm me taksat e rritura për duhanin, çmimin e energjisë, taksën e shtuar të naftës prej 240 lekë për litër, unë paguaj 7.2 milionë lekë në katër vite, më tha një përfaqësues i biznesit të vogël sot.

Nga një anë, i trembur nga protestat e sipërmarrësve dhe nga paralajmërimet e opozitës, bën sikur po  largon skuadronet  e tatimorëve nga bizneset, sërish duke kopjuar keq dhe pa i kuptuar zgjidhjet e ofruara nga Partia Demokratike. Nga ana tjetër ndërsen kundër tyre me ligësi të shtuar repartin e sapokrijuar të spiunëve skotën e zuzarëve me  faturat  e gjobave  dhe fletë-thirrjeve  në gjykatë nëpër duar.

Kurdo që ky ligj të vijë, ne nuk do të mjaftohemi të votojmë kundër me vendosmëri dhe përbuzje paketën e terrorit kundër bizneseve. Ne do ta demaskojmë nen për nen, e paragraf për paragraf me argumente të karakterit politik dhe profesional, do ta denoncojë  publikisht si një akt të arbitraritetit  dhe poshtërimit të sipërmarrjes nga qeveria Rama-Meta; do ta denoncojë si një projekt  të mendjeshkurtësisë, që nuk do të sjellë asgjë pozitive për ekonominë e vendit, por do të stresojë dhe tkurrë  më tej  sipërmarrjen, punësimin, vetëm do të rrisë më tej  abuzimet  dhe korrupsionin në tatime.

Reformat apo ndërhyrjet rregullatore  kanë qenë dhe janë gjithnjë të nevojshme, por ato duhen bërë  gjithnjë  në konsultim me sipërmarrjen, e cila nuk është dhe s’mund të pranojë kurrë të trajtohet si një subjekt i kapur në faj nga politika, aq më pak nga banda e Edi Ramës me 40 hajdutë.

Vetëm një kryeministër  me mendësi pushtuesi, pa  vizion, pa plan, pa zgjidhje për njerëzit, nisen me  zhurmë e me bujë  gjoja në gjueti të kontrabandës dhe evazionit dhe kur vjen puna  tek rezultatet mbledhin më pak të ardhura se plani i ulur dhe rrisin me 73 mijë persona numrin e të shpunësuarve për shkak të marrëzisë së tyre, vetëm në dy muaj.

Nuk behët ekonomi në shoqërinë e hapur me mendësinë e një kapoje burgu. Nuk behët ekonomi duke goditur nismën e lirë, që është  vetë  mrekullia dhe mekanizmi i ekonomisë së tregut.

Ne jemi çdo ditë në komunikim me sipërmarrës të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, jemi çdo ditë në bashkëbisedim, në kërkim bashkë me ta, të zgjidhjeve me të mira për të  frenuar rrokullisjen dhe filluar ringritjen. Ne kemi zgjidhje sepse jemi parti e lirisë. Qeveria është pa zgjidhje, qeveria është shkaktarja e gjendjes  së rendë sepse ka  si armë të vetme arbitraritetin, dhunën, terrorin, burgun.

Refreni i arbitraritetit të kësaj qeverie, i kërbaçit të saj  të  ngritur kundër sipërmarrjes dhe qytetarëve, është ai që dëgjojmë rëndom nga megafonët dhe nga kryemegafoni: “Po bëjmë shtet”,“Po bëjmë reforma”.

Madje kanë arritur deri aty sa eksodin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera duan ta shpjegojnë si një reagim ndaj reformave që po bëjnë. Ky është delir i pastër, kjo është marrëzi e pastër. Kjo është poshtërsi. Çfarë reformash? Cilat reforma? Reforma nuk ka! “Reforma” në gojën e Edi Ramës dhe megafonëve të propagandës së tij është një çarçaf i ndyrë për të mbuluar vjedhjen e parasë dhe pasurisë publike, për të justifikuar kapjen e institucioneve dhe shtetit, vendosjen  e sundimit të qeverisë  në vend të sundimit të ligjit.
Çfarë shteti pretendojnë të bëjnë, çfarë shteti mund të bëjnë  ky që ndërsa  i marrin kacidhen  e  fundit  pronarit të një dyqani të vogël, u ngrenë traun e kontrabandës qindra milionë euro miqve, shokëve, klientëve, ortakëve, më të cilët sigurisht  ndajnë  paratë e pista!  Si mund të bëjë shtet Edi Rama me shokë që paratë e taksapaguesve ua jep miqve, klientëve, ortakëve, papulëve, carapulëve, kokëdhimëve, beqajve, leskajve, nushëve me tendera  me prokurim të drejtpërdrejtë apo me gara të stisura, të degjeneruara?

Si mund të bëjë shtet  një kryeministër  që u hapi  dyert e institucioneve kryesore trafikantëve, tutorëve të prostitucionit, vrasësve dhe banditëve, që mban Ministër të Brëndshëm  pronarin e taksisë së drogës, kumbaron, ndërlidhësin dhe garantin e narkotrafikantëve në qeveri, shokun e Shullazit, Saimir Tahirin?

Ne i  kemi denoncuar dhe do të vijojmë të denoncojmë me fakte konkrete bëmat e  këtij palo ministri; kemi denoncuar e do të vazhdojmë të denoncojmë me emra konkretë lidhjet e tij me botën e krimit. Derisa të largohet nga detyra, derisa të përgjigjet ligjërisht për shkeljet  dhe dhunimin e ligjeve të republikës.

Partnerët e kanë kapur duke u shfajësuar para narkotrafikantëve të goditur nga policitë mike.

Dje, përfaqësuesi më i lartë i aleatit tonë strategjik, SHBA, në  Tiranë, ambasadori Lu,  vuri sërish gishtin dhe foli me emra për  kriminelin  Arben Frroku, vrasësin e komisarit të policisë Dritan Lamaj, që  u lejua të arratisej nga kjo qeveri pak përpara se të dënohej me burgim të përjetshëm dhe për  Emiliano Shullazin, të akuzuarin për  disa vepra penale, por që ka kartabiankën e lidhjes së njohur  me Ministrin e  Brëndshëm.

Prononcimi  i ambasadorit të SHBA-së është një paralajmërim i fortë dhe pa dyshim i adresuar, nga një vend mik, për  gjithë zgjatimin dhe përfaqësimin politik të krimit në Shqipëri; është një sinjal i fortë dhe një inkurajim i madh  për elitën e pastër politike, për prokurorët dhe gjyqtarët  me integritet,  për  qytetarët shqiptarë,  pa kontributin e vendosur të të cilëve nuk mund të fitohet  beteja me krimin.

Përgjigja jonë është votimi me urgjencë dhe zbatimi me urgjencë i ligjit për dekriminalizimin. Është përgatitja pa humbur kohë dhe votimi pa humbur kohë i  një reforme të standardeve  demokratike në drejtësi.

Duke iu kthyer  paketës së terrorit ndaj biznesit, të cilën ky kërkon ta shesë si një vepër të re të shtetformimit, dua ti kujtoj sentencën e lashtë sa vetë koncepti i shtetit se: Morali i shtetformimit,  edukimi  nga lart i respektit për ligjin buron nga shembulli që jep vetë qeveria.

Qeveria Rama-Meta jep çdo ditë shembullin e keq të shkeljes së ligjit, shembullin e keq të zbatimit me dy standarde të ligjit, shembullin e keq të  daljes mbi ligjin.

Qytetarët tani i njohin mirë.

Shembulli më i keq i qeverisë Rama-Meta vetëm e thellon të keqen që ka mbërthyer ekonominë, rendin, gjithçka.

Dyfytyrësia e  qeverisë  Rama-Meta vetëm e prish shtetin.

Hipokrizia e saj vetëm e shkatërron  ligjin.  Shteti normal  do të fillojë me largimin e saj.

Dhe largimi i kësaj qeveri ka nisur. Biznesi i vogël ka ndërprerë kontratën me këtë qeveri, nuk e njeh më. Mijëra familje, qindra mijë qytetarë nuk e njohin më, me aktin që ka firmosur duke lënë vendin në shenjë proteste.
Tregtarët, të larguarit nga detyra padrejtësisht janë në protestë, studentët gjithashtu. Të gjithë këta, nuk e njohin më këtë qeveri. Sheshi para kryeministrisë por edhe sheshet dhe rrugët kudo në qytetet e vendit janë kthyer në manifestin e ndërprerjes së kontratës me Edi Ramën e qeverinë e tij të zhytur në korrupsion.

Miqtë, partnerët ndërkombëtar e kanë ngelur në klasë, me raportin e progresit ku u deklarua vetëm regres, me qëndrimet publike që flasin qartë e pa dorashka.
Numërohen me gishta dhe janë shumë pak ata që e pranojnë Ramën dhe Metën, ca papulë e carapulë që po majmen, vetëm kaq.
Ndaj them, largimi i qeverisë ka nisur.

Edi Rama nuk mundet t’ia hedh më askujt, nuk mund të mbulojë me propagandë vjedhjen e parave në dogana, tatime e tendera.
Nuk mund të mbulojë lidhjet e ministrave me krimin dhe as kriminalizmin e qeverisjes. Nuk mund të mbulojë krizën ekonomike dhe rritjen e papunësisë.
Asnjë mashtrim apo manovër nuk e zgjat dot qeverisjen e tij.
Partia Demokratike, unë, ju, çdo përfaqësues i opozitës duhet të ngrihet në këtë nivel përgjegjësie, të këtij realiteti të ri politik, ku qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë alternativën për të dalë nga gremina, për të kthyer besimin, për të pastruar institucionet e zyrat nga krimi, për të ringjallur ekonominë e mirëqenien e vendit.

Ora po afron që shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre.


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ne mbledhjen e grupit parlamentar, 18 Nentor 2015