“Ka ardhur koha që shoqëria të çlirohet njëherë e mirë nga prangat që i mbajnë akoma duart e lidhura. Asnjë xhelat i djeshëm nuk mund të jetë një shenjtor i sotëm, ndaj duhet pa humbur kohë miratimi i ligjit për pastrimin e figurës”, – kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë bisedës në familjen e Myrteza Gjinit nga fshati Shullbater, ish i persekutuar politik.
Basha tha se PD dhe shoqëria i janë borxhlinj këtyre që luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë edhe në ditët më të errëta të kombit tonë.
Sipas kreut të PD, brezi i ri duhet të mësojë atë çka ndodhur gjatë regjimit komunist ndaj dhe duhet futur lëndë e posaçme në shkolla.
“Historia jonë meriton të njihet dhe ata që kanë vuajtur torturat çnjerëzorë meritojnë çdo kontribut për të pasur një shoqëri të vetëdijshme si parakusht për suksesin dhe mos përsëritjen e së kaluarës”, – tha Basha.
Statusi i plotë:
Kënaqësi të vizitoja sot familjen e Myrteza Gjinit, ish-i persekutuar politik, në fshatin Shulbater.
Ne u jemi borxhlinj këtyre që luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë edhe në ditët më të errëta të kombit tonë.
Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë aq më pak deformimi i të shkuarës, por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur.
Ka ardhur koha që shoqëria të çlirohet njëherë e mirë nga prangat që i mbajnë akoma duart e lidhura. Asnjë xhelat i djeshëm nuk mund të jetë një shenjtor i sotëm, ndaj duhet pa humbur kohë miratimi i ligjit për pastrimin e figurës që nuk do të jetë vetëm një distancim njëherë e mirë nga diktatura gjakatare 50-vjecare, por edhe një apologji për mbi 30 vite të munguara. Ne u detyrohemi kaq atyre që jetën e humbën nga armët e regjimit gjakatar, atyre që u lindën apo rritën në kampet e internimit, u dergjën burgjeve të diktaturës, të dhunuar nga një pushtet që kapardisej në luksin e bllokut të udhëheqjes, ndërsa populli terrorizohej dhe zhytej në mjerim të paimagjinueshëm.
Historia jonë meriton të njihet dhe ata që kanë vuajtur torturat çnjerëzorë meritojnë çdo kontribut për të pasur një shoqëri të vetëdijshme si parakusht për suksesin dhe mos përsëritjen e së kaluarës. Ne duhet të fusim në sistemin arsimor edukim të veçantë për këtë periudhë të errët të historisë tonë, dhe sa me pare të ngrihet muzeu në kujtim të viktimave të komunizmit.