Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Dibër:
Në funksion të interesit publik dhe interesit Kombëtar, në përputhje dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë strategjik euro-atlantik. Ky është një proces që natyrisht merr kohë, por mbi të gjitha është një proces i cili ka nevojë dhe duhet të ngjall shpresën kudo. Shqiptarët kanë nevojë për ndryshim real jo artificial. Dibra ka nevojë për ndryshim real, Shqipëria ka nevojë për ndryshim të vërtetë. Dhe instrument tjetër, përveç angazhimit politik nuk ka. Një nga hiletë, jo vetëm të këtyre dy viteve, por tash sa kohë, është mërzia gjoja me politikën si proces. Kjo është një hile për t’i larguar njerëzit nga angazhimi politik. Sa më shumë të largohen njerëzit nga angazhimi politik, aq më shumë zgjatet jeta në pushtet e atyre që qeverisin. Kjo është një aksiomë e njohur botërisht. Ndaj të parët dhe më të interesuarit për t’i çmotivuar, për t’i demotivuar, për t’i larguar, për t’i çangazhuar dibranët dhe shqiptarët nga angazhimi politik, janë ata që sot kanë pushtetin. Sa më pak dibranë, sa më pak të rinj dhe të reja të Dibrës, Bulqizës, Matit dhe të gjithë Shqipërisë, të kenë një interes dhe një angazhim politik, aq më e garantuar është vazhdimi i keqqeverisjes.Ndaj dhe detyra jonë e parë është t’u shpjegojmë njerëzve se civilizimi, qytetërimi botëror që nga momenti që njerëzit kanë dalë nga shpellat dhe kanë ndërtuar komunitetet e tyre, qytetet e tyre, shtetet dhe Kombet e tyre, nuk njeh mjet tjetër për t’i ndryshuar gjërat, për t’i bërë gjërat më mirë sesa angazhimi politik. Njësoj si me futbollin, nuk është një lojë e keqe, mund të jetë një lojë shumë e bukur, natyrisht mund të jetë dhe një lojë shumë e mërzitshme, kjo varet nga cilësia e ekipeve. Edhe politika nuk është e keqe në vetvete. Në fakt është i vetmi instrument për të ndryshuar, është i vetmi instrument për t’i bërë gjërat më mirë, të mirë a të keqe, politikën e bëjnë njerëzit, e bëjnë politikanët.