Gara mes kandidatëve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike është ndalur në Krujë. Konventa e Krujës u prit nga qindra të rinj të zonës dhe u përshëndet nga i ngarkuari i kryesisë z Aldo Bumçi. Deputeti Bumçi vlerësoi rolin e të rinjve dhe garën e ideve për drejtimin e këtij forumi ndërsa theksoi frymën e bashkëpunimit mes kandidatëve dhe të rinjve të tjerë në Partinë Demokratike. Nga ana tjetër, z Bumçi kërkoi që të rinjtë shqiptarë të angazhohen në politikë për të garantuar ndryshimin në vend duke i ftuar ata në Partinë Demokratike.

Tre kandidatët në garë Belind Këlliçi, Ervin Salianji dhe Orjela Nebijaj kanë debatuar sot mbi mundësitë dhe punën që duhet të bëjë Forumi Rinor i Partisë Demokratike për të qënë më aktiv pranë të rinjve, në çdo problematikë apo kauzë të tyre. Të tre kandidatët kanë në platformat e tyre që forumi duhet të jetë gjithmonë pranë kauzave të të rinjve. Ata ndanë ide për mënyrat se si duhet të qasen ndaj shqetësimeve të të rinjve dhe si duhet të mbështeten kauzat e të rinjve kudo ka padrejtësi ndaj tyre.

Nesër konventa e debatit të të rinjve zhvendoset në Korçë ku një tjetër temë debati i pret 3 kandidatët në garë teksa ajo po afron drejt gjysmës së saj.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 23 Nentor 2015