Kryetari i PD, Lulzim Basha, u takua me fermerë në Çestije, Njësia Administrative Kajan, Belsh. Zoti Basha dëgjoi me vëmendje shqetësimet për mungesën e subvencioneve, për largimin e të rinjve, për mungesën e investimeve në infrastrukturë, që e bëjnë edhe më të vështirë përballjen me këtë realitet të hidhur ekonomik.
Një nga çështjet që zoti Basha bisedoi gjatë takimit me fermerët, është ajo e korrupsionit me fondet e bujqësisë.
“Kjo padrejtësi, – sipas Bashës, – dëshmon jo vetëm babëzinë e kësaj qeverie, por edhe arrogancën me të cilën kanë tjetërsuar fondet IPARD të BE-së, që në vend që të shkojnë për fermerët, kanë shkuar për resorte për qeveritarët dhe klientët e tyre.”
“Ndaj, dhënia fund e pandëshkueshmërisë në çdo nivel të qeverisjes dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit, janë prioritet për Partinë Demokratike, implementimi i të cilave do të ndihmojë çdo sektor të jetës ekonomike dhe politike, duke prodhuar mirëqenie për qytetarët shqiptarë”, – tha Basha gjatë bisedës me fermerët.
Bujqësia është prioritet për PD, tha zoti Basha, – duke u ndalur ne tre shtylla:
1- Subvencionet per njësi prodhimi.
2- Infrastruktura (rrugët, uji, energjia, magazinimi, frigoriferimi, agropërpunimi.)
3- Aksesi në treg.
Fermerit ti garantohet që prodhimi t’i shitet me fitim, si kudo në botë, orientimi i fermerit dhe çertifikimi i produktit.
“Një nga çështjët më të rëndësishme që kërkon zgjidhje të shpejtë, është çështja e pronës”, – theksoi kryetari i PD-së.