Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në vijim të turit “Fjalën e kanë qytetaret” u takua me banorë të fshatit Paçram. Zoti Basha u njoh me shqetësimet e banorëve, që nga abuzimet me faturat e energjisë elektrike e deri tek pamundësia për të siguruar bukën e fëmijëve. Banorët i bënë të ditur zotit Basha kushtet e mjerueshme ku jetojnë, dhe si të mos mjaftonte kjo furnizimi me energji elektrike është aq i dobët sa mund ta përdorin vetëm për ndriçim. Ndonëse asnjë nga pajisjet elektroshtëpiake nuk u punojnë për shkak të tensionit të ulët, janë gjobitur nga OSHEE me nga 5 milionë lekë, me pretendimin se kanë ndërhyrë në sahat, kur sipas banorëve nuk kanë as sahat, as energji elektrike. Ndonëse janë ankuar në të gjitha zyrat e OSHEE-së askush nuk i ka dëgjuar shqetësimet e tyre dhe asnjë nuk ka verifikuar situatën në terren.
Banor: Shkova drejt e te KESH-i, më tha ti je gjobit more djalë se e ke konsumimin pak. Ça është ajo familje që konsumon kaq pak? Nuk kam energji, hajde verifikoni, por askush nuk na ka dëgjuar.
Banor: Me 30 mijë lek asistencë jam vetë i katërti. Pa punë, pa gjë në botë. 35 mijë lek aforfe muaj për muaj. Kur kam pa letrat në Shkodër, jo kaq. Po s’kam qenë unë në shtëpi, kush ka qenë ai që ka shkrujt emrin aty edhe më ka shku debia 5 milionë lekë. Jam detyru kam thënë hajde këputi se unë nuk kam mundësi me apliku as me u marr me atë punë. Më mirë rri pa dritë e nuk mund të lë fëmijën pa ngrënë e pa pi.
Banore: Na s’kërkojmë mëshirë, kërkojmë vetëm të drejtat tona. Asgjë s’kërkojmë prej askërkujt.
Banor: Janë dëmtu njerëzit me ka 10 milionë, 15, 20. Unë kur shkoj me pagu atje gjej njerëz që i kanë ka 15-20 milionë tanë.
Banor: 4 milionë e 700 i kam pagu unë pasha këtë diell.
Basha: Këto lekë që i paguani ju energjisë elektrike, fatura aforfe që i paguani ju normalisht OSHEE-së. A e dini ku po shkojnë? Të gjitha po shkojnë te carapulët, tek papulët, pra po shkojnë tek Edi Rama. Pse rriten taksat ? Pse rritet borxhi? Që të kenë mundësi me vjedh këta dhe jo me ju përmirësu jetën ju. Ne kamatëvonesat do ti falim që ditën e parë në pushtet.
Një tjetër shqetësim i fermerëve është dhe NIPT-i. Ata i thanë zotit Basha se janë të detyruar për të shitur qumështin e një apo dy lopëve që kanë për të siguruar të ardhurat me minimale për familjen, por tani nuk e shesin dot sepse duhet të kenë NIPT, e që të marrin NIPT-in u duhet të paguajnë 600 mijë lekë siguracione.
Banor: 80 përqind e popullsisë këtu në fshat jetojnë me nga një lopë. Edhe i ka thanë me hap NIPT-in pas Vitit të Ri nuk e merr qumështin e baxhos pa hap NIPT-in. Për me hap NIPT-in duhet me pagu 600 mijë lekë siguracione. Për me hap NIPT-in për një lopë vetëm këtu ka ba vaki, në qeverinë tonë. Unë kam punu në Greqi, kam kenë në Itali, kam qenë gjithkund. Ça bahet këtu nuk është bë kurrkund.
Banor: Gjatë fushatës elektorale u tha banorëve prodhoni duhan se do ta rregullojmë na. Edhe kur vjen puna shkon e kap një fakir aty me një a dy kile duhan se donë me i çu bukë fëmijëve në shpi. Ndërkohë që gjithë këta që merren me problemet e drogës ikun në drejtim të paditur. Nuk e kuptoj se si është kjo punë. Ky dhjetor është i vonum. Ne na ka ra thika në asht me kohë. Tashi e ka kalu ashtin.
Basha: Ta nisim me 8 dhjetor përballjen në Tiranë, një përballje pa kthim për largimin e kësaj qeverie. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj që kalon është një ditë, një javë, një muaj më shumë hajdutëri e vjedhje e parave tuaja. Nuk ka pse t’ia zgjasim kohën të keqes. T’ia shkurtojmë kohën të keqes, t’ju japim edhe një herë mundësi ju të zgjidhni me votën tuaj qeverinë që meriton.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27 Nentor 2015