Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë takimit që pati me fermerët e Gramshit ka komentuar edhe buxhetin e qeverisë për vitin 2024. Zoti Basha shprehet se ky buxhet edhe pse është më i madhi në historinë e vendit, shpenzimet që ka parashikuar qeveria nuk shkojnë për sektorët që ndihmojnë drejtpërdrejtë qytetarët. Sipas tij, shpërndarja e fondeve është bërë për 9 veta që e konsiderojnë veten pronarë të Shqipërisë dhe që janë tre politikanë, tre oligarkë dhe tre pronarë mediash.
Në videon që ka shpërndarë në rrjetin social facebook, kreu i PD shkruan se në skenën politike ku premtimet janë të shumta, detyra themelore e opozitës është të qëndrojë aleate vigjilente e qytetarëve.
Postimi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha:
Në skenën politike ku premtimet janë të shumta, detyra themelore e opozitës është të qëndrojë aleate vigjilente e qytetarëve. Ndërsa qeveria shpalos miratimin e një buxheti të lartë, aspekti kritik qëndron tek shpërndarja me zgjuarsi e fondeve.
Esenca e një ekonomie në rritje shpesh neglizhohet dhe shoqërohet me injorim të shtyllave themelore si infrastruktura dhe mbështetja e domosdoshme për fermerët. Teksa çmimet ngrihen dhe taksat rriten, qytetarët kërkojnë mbështetje të dukshme.
Zbardhja e videos;
Basha: Kështu që gjëja e parë që na takon ne si demokratëv, është të kemi një ndjesë të thellë për gjithçka që s’kemi bërë apo që kemi bërë keq në raport me fermerët, në rport me pronarët, në raport me të përndjekurit, në raport me rininë, në raport me sipërmarrjen. Kemi bërë shumë gabime, kemi bërë dhe faje që sigurisht kemi bërë dhe të mira. Se unë s’jam nihilist, nuk jam nga ata që mohon gjithçka për hir të interesave të momentit. Por ama gjërat duhet t’i shikojmë ashtu siç janë, pa i shtrembëruar, pa i nxirrë por edhe pa i zbardhur, në mënyrë që të nxjerrim mësime dhe mos të përsërisim më gabime. Ndaj gjëja e parë në këtë që po flasim, ta përmenda Kosovën jo kot. S’ka pse të flisja unë për Zvicrën kur ja ku e ke Kosovën, shqiptarë për shqiptarë. Pse e mban kokën lartë fermeri i Kosovës, ndëkoh që ju nuk dini ku ta fusni kokën? Sepse merr subvencione. Sepse ka fabrikë patatinash, sepse ka kantin vere, pra ka shtetin në krahun e vet. Shtetit i paguan taksat, por ama dhe shteti ta kthen duke të mbështetur me subvencione, me infrastrukturë dhe duke i garantuar aksesin në treg. Kaq ka në dorë shteti, të garantojë aksesin në treg. A mundet ta bëjë dhe Shqipëria këtë? Sigurisht që mundet. Dhe këtu është paradoksi. Kur ti thua që kam buxhetin më të madh bë histori, 7 miliardë euro, si nuk gjen ti para për t’i dhënë subvencione fermerëve? Pse nuk gjen ti para për të investuar në rrugët e fshatrave, ujitjen, kullimin, magazinimin, aksesin në treg. Ça të mire, çfarë dobie sjell buxheti më i madh në histori në qoftë se ti nuk arrin dot të ndihmosh 1 në 3 shqiptarë që ropatet në bujqësi dhe në blegtori? Do të thotë që ky buxhet nuk është për njerëzit. Ky buxhet është për 9 vetat që e konsiderojnë veten pronarë të Shqipërisë. Tre politikanë, tre oligarkë, tre pronarë mediash. Ti në qoftë se thua buxheti më i madh dhe i bën të gjithë degët koncesione e PPP, e favore të miqve të tu, ky nuk është buxheti i shqiptarëve. Taksat ia merr shqiptarëve, por nuk ia kthen si shërbime. Ndaj gjëja e parë është t’i shohim gjërat ashtu siç janë. Mos të pranojmë më telenovela dhe propagandën me të cilën ushqehen nga mëngjesi deri në darkë njerëzit përmes ekraneve të televizioneve. Hapini sytë, kjo është e para. Pë atë që the, të ikësh. Besom, unë kam ikur vet, 19 vjeç kam qenë kur kam ikur sepse nuk gjeja zgjidhje për atë që doja. Unë e dija që Shqipëria në 93-shin, kur ke lindur ti, nuk më ofronte mua shkollimin që unë doja, edhe kam ikur. Por ama kam ikur me bindjen që do kthehem.