Sekretari i PD për Sigurinë Kombëtare dhe Koordinimin Euro-Atlantik, Xhemal Gjunkshi, ka bërë një denoncim ku pohon se Dibra është pa energji elektrike. Sipas tij qyteti është izoluar nga bora dhe braktisur nga shteti.
Reagimi i plotë:
Gjendje e rënduar në Dibër, ku si pasojë e rreshjeve të dendura, rrjeti energjitik pësoi defekt dhe energjia u ndërpre pothuajse gjithë ditën. Ndërkohë në shumicën e njësive administrative zotëron errësira dhe ndërhyrja për riparimin e rrjetit, është e pamundur nga bllokimi i dëborës. Rrugët në pjesën më të madhe janë të pakalueshme nga ngricat dhe për pasojë qarkullimi i automjeteve është i pamundur në akset si: rruga Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë, Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë; Peshkopi-Kuben-Sllovë, Kukës etj. Edhe pse lajmet e propagandës thonë se, punonjësit dhe firmat e bashkisë po pastrojnë gjithë kohës rrugët, shumë banorë më thonë se, gjendja mbetet ende rënduar. Në kushtet kur rreshjet vazhdojnë me intensitet, i bëj thirrje ministres së energjetikës deputetes Belinda Balluku dhe bashkisë të shtojnë makinerit e borëpastrimit dhe ekipet e ndërhyrjes së emergjencave. Mos harrojmë se emergjencat shëndetësore janë të pashmangshme në periudhën e dimrit dhe një bllokim i rrugëve mund të sjellë pasoja fatale për të moshuarit dhe fëmijët e sëmurë.