Kreu i PD, Lulzim Basha, përkujtoi sot edhe Komandantin Legjendar, Adem Jashari, në ditën e lindjes së tij. Zoti Basha së bashku me deputetë dhe anëtarë të kryesisë se PD, bëri homazhe pranë varrit të Adem Jasharit në Prekaz dhe familjes Jashari.

 

“Ndërsa sot gëzojmë frytet e lirisë, e mes sfidash po ndërtojmë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, kujtojmë dhe përulemi me nderim përpara sakrificës sublime të Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili vuri gjakun e tij dhe të familjes së tij në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur”,- tha kryetari i PD pasi vendosi kurora me lule në Memorialin e familjes Jashari.

 

“Duke nderuar sakrificën e tyre, – tha kreu i PD, – të gjithë duhet të kujtojmë përgjegjësinë tonë për të çuar në fund amanetin e të rënëve, për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë që fituam me gjak, për një komb në paqe, të sigurt dhe të përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve në cilindo vend që jetojnë: Në Republikën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedoninë e Veriut e kudo anembanë botës”.

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha zgjodhi kullen e Isa Boletinit dhe Memoralin e Adem Jasharit për të kujtuar e nderuar të gjithë ata që kontribuan dukë sakrifikuar jetët e tyre për lirinë dhe pavarësin e shqiptarëve.