Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deputetë dhe qytetarë të Tiranës kanë përkujtuar sot në orën e ngritjes së flamurit 103 vjet me parë, Ismail bej Vlorën. Kurora me lule u vendosen pranë shtatores së tij . Kryetari i Partisë Demokratike uroi që kjo ditë  e madhe të bashkojë shqiptarët në një vullnet të ri për t’ju rikthyer shembujve shtetformues të Ismail bej Vlorës e themeltarëve të tjerë të shtetit të pavarur shqiptar, e për të lartësuar edhe njëherë virtytin, duke mundur njëherë e përgjithmonë vesin dhe krimin e ngritur në system.
“Jemi këtu me qytetarë të Tiranës për të përkujtuar në këtë orë të madhe të historisë, orën kur 103 vite më parë kur Ismail bej Vlora e ngriti flamurin shqiptar dhe deklaroi pavarësinë e Shqipërisë, veprën e pavdekshme të babait të pavarësisë dhe burrave të tjerë të cilët sakrifikuan gjithçka për shtetin shqiptar të lirë e të pavarur. Shembulli i Ismail bej Vlorës, shembujt e bashkëluftëtarëve të tij që shkrinë gjithçka për pavarësinë e Shqipërisë, që sakrifikuan jetët e tyre, pasuritë e tyre. Për fat të keq, sot bie në kontrast të thellë me sjelljet antishtetare dhe atyre që në kurriz të shtetit shqiptar, e të qytetarëve shqiptarë jo vetëm që nuk japin por marrin pasuritë publike të shqiptarëve. Qoftë kjo ditë një ditë e madhe qe të bashkojë shqiptarët në një vullnet të ri për t’ju rikthyer shembujve shtetformues të Ismail bej Vlorës e themeltarëve të tjerë të shtetit të pavarur shqiptar, e për të lartësuar edhe njëherë virtytin, duke mundur njëherë e përgjithmonë vesin dhe krimin e ngritur në sistem. I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Ismail bej Vlorës”, tha Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Nentor 2015