Nga Namir Lapardhaja*

 

Në oqeanin e ngrirë të Shqipërisë diktatoriale, ku rrena mbizotëronte si dallgë e nënujshme të vërtetash të fshehura, u shfaq një lundrues i guximshëm dhe delikat: gazeta “RD”.

Si një lundër e vogël, ajo lundroi mbi akujt e ngrirë dhe erdhi nga thellësia e të vërtetave që kërkonin të dilnin në sipëfaqe.

Kjo gazetë, e para opozitare në një vend të mbytur nga oqeani i gënjeshtrave, u bë deti i lirisë dhe i ndryshimit, duke kontribuar, veçanërisht në fazën e saj fillestare, si tribun i shtypit të lirë.

Dalja e numrit të parë, shpërndarja dhe leximi aq masivisht, janë tregues i etjes për liri, i nevojës për ndryshim, i një pakënaqësie të akumuluar që kërkonte një tis drite për ta nxjerr jashtë qenies dhe për t’u bërë diell që ngroh të gjithë shoqërinë.

Përvjetori i saj jo vetëm që përkujton fillimin e asaj drite të zbehtë në errësirën e zezë të diktaturës, por shënon një kapitull vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt lirisë së fjalës dhe demokracisë.

“RD” nuk ishte thjesht një gazetë; ajo ishte një manifest i guximit dhe i shpresës në një kohë kur të dyja ishin thellësisht të nevojshme.

“RD” nuk ishte një altoparlant propagande, që ushqehej nga mediokrit dhe mungesa e talentit, por ajo që në nisje të saj mblodhi pranë vetes disa prej penave më të mira të kohës, disa prej intelektualëve më mendje hapur dhe disa prej njerëzve që, pavarësisht në diktaturë, kishin guxuar me ato mundësi të vogla që kishin jo vetëm për t’u shfaqur ndryshe, por edhe për të menduar dhe shkruar ndryshe, çka shumë prej tyre i kishte penalizuar, duke i hedhur nga punë komode në rëndomtësinë e ndërmarrjeve të punës së krahut.

Kjo ishte më e pakta që mund të paguhej si haraç në një periudhë të errët.

E vërteta është mjeti thelbësor për të arritur te liria.

Në kontekstin e Shqipërisë, me fatin e saj historik dhe politik, roli i mediave, dhe veçanërisht i gazetave si “Rilindja Demokratike”, bëhet edhe më i rëndësishëm.

Këto mjete janë dritare përmes së cilave e vërteta mund të nxirret dhe shfaqet përpara publikut, duke sfiduar deformimet dhe pengesat e lirisë së shprehjes.

 

Vetëm e vërteta mund të na shpëtojë dhe çlirojë nga prangat e gënjeshtrave, ndaj ne jemi mbledhur këtu jo vetëm për të përkujtuar lavdinë e “Rilindjes Demokratike”, sepse lavdinë dhe rënien i ndan një fije e hollë, por edhe për të reflektuar për ato që nuk kanë shkuar mirë, për të treguar se gazetat nuk mund të shndërrohen në mjete të agresionit ndaj kundërshtarëve brenda llojit apo për t’u shndërruar në servile ndaj kryetarit të radhës, se servilizmi dhe konformizmi në një kohë dhe moment kur duhet bërë pikërisht e kundërta, janë e keqja e vetes dhe e organizatës, janë sëmundje prej së cilës duhet të shkëputemi dhe çlirohemi, sepse lavdia e dikurshme e “RD-së” u ngrit mbi parimet e antikonformizmit, të arsyes, të guximit dhe përpjekjes intelektuale për të thënë disa të vërteta që nuk ishin në modë, ashtu siç edhe rënia e saj u përshpejtua nga devijimi dhe deformimi i kësaj rruge, duke e tkurrur në një gazetë të thjeshtë partiake dhe duke e humbur rrugën për te lexuesi.

Nuk do ta kisha pranuar ftesën e Lulzim Bashës për të qenë drejtues i “RD-së” në një kohë shumë të vështirë si kjo që kemi kaluar, nëse kjo ftesë nuk do të ishte shoqëruar me kërkesën e tij për një gazetë jo servile ndaj kryetarit, moderne dhe të lexueshme për të gjithë.

Sfida e sotme e RD-së është të shndërrohet në një gazetë ideologjike të së djathtës dhe të gjithë nuancave të saj, mirëpo një gjë e tillë shkon paralelisht me ngritjen dhe forcimin e Partisë Demokratike, sepse kriza dhe problemet e saj, me ose pa dëshirën tonë, reflektojnë edhe në brishtësinë e gazetës.

Media, në përgjithësi, dhe gazetat, në veçanti, janë thelbësore për shoqëri që synojnë demokracinë dhe transparencën.

Pavarësisht sfidave të shumta, deformimeve që vijnë si pasojë e nevojës për ekzistencë, ose pengesave të mundshme që mund të vijnë nga shtypja e pushtetit apo të vetcensuruarit për nevoja ekonomike, puna e tyre mbetet jetike.

Ato jo vetëm që informojnë publikun në një kohë kur pushteti do ta dezinformojë atë, por edhe formojnë një platformë debati dhe diskutimi të lirë, të cilat janë thelbësore për zhvillimin dhe përparimin e një shoqërie.

Në Shqipëri, si në çdo vend tjetër, pavarësisht problemeve të shumta që kanë mediat, ato luajnë dhe duhet të luajnë një rol të pakrahasueshëm në nevojën e sotme që ka shoqëria për ndryshim, për hapje të garës dhe për të krijuar kushte të barazisë së tregut të lirë.

Ato ndihmojnë në rrëzimin e miteve dhe propagandës, duke zbuluar të vërtetat e fshehura dhe duke ndriçuar rrugën drejt një të ardhmeje më transparente dhe të lirë.

Kjo punë e madhe, sado e vështirë apo e deformuar të duket, mbetet një detyrë e domosdoshme për të mbajtur gjallë shpresën dhe guximin në zemrat e atyre që synojnë liri dhe drejtësi.

Pavarësisht sfidave me veten, nuk duhet të harrojmë se mazhoranca që kemi përballë mbështetet në industrinë e manipulimit dhe synimi i saj i vetëm është të bindë të gjithë shoqërinë se ky realitet nuk mund të ndryshohet, se është vendosur nga të fortët dhe ne nuk mund t’i mundim dot ata.

Ndaj, RD ka lindur dhe vijon të ekzistojë edhe për të mposhtur dekurajimin, për t’i dhënë zë të pazëshmes, për të luftuar heshtjen dhe murin e së pandjeshmes që ka zënë sytë e arsyes.

 

*Kryeredaktor i “RD-së”. Shkrimi është fjala përshëndetëse e mbajtur në 33-vjetorin e themelimit të gazetës.