Marrëveshja e Qeverisë shqiptare me Cez-in për nga përmasat  po konsiderohet prej shqiptarëve sot si  më tronditësja e këtyre 25 viteve demokraci. Të papriturat dhe skandalet kanë shoqëruar njëri-tjetrin këto muaj, duke nxjerrë para opinionit publik një prej aferave më të mëdha korruptive, ku mungesa e transparencës, dëmi dhe zhvatja e disa miliona eurove janë të dukshme. Mjafton të kujtojmë faktet, tani të zbardhura nga opozita dhe media për të perceptuar dëmin e shkaktuar nga kjo marrëveshje e cila në të vërtetë mund të jetë realizuar vetëm për të mbuluar atë që tani rëndom po quhet vjedhja e shekullit.
Dhe nuk mund të quhet ndryshe marreveshja që u lidh në mungesë të plotë te trasparencës, duke perjashtuar nga negociatat Avokatin Nderkombëtar të Shqipërisë. Marrëveshja nuk mori parasysh asnjë dokument të ofruar nga kompanitë këshilluese, dokumenta të cilat provonin qartësisht  detyrimin e  njohur dhe të drejtpërdrejte të CEZ kundrejt Qeverisë Shqiptare. Përmes saj, qeveria shqiptare i fali amnisti të plotë dhe paralizoi institucionet shqiptare për të ndërmarrë çdo lloj hetimi te metejshem mbi CEZ, apo për të bashkepunuar për ndonjë hetim të ndermarrë nga prokuroria shqiptare. Vetëm si dëm ekonomik po t’i referohemi kontrollit të lartë të shtetit kap shifrën marramendëse prej 479 milionë eurove.

Ajo çfarë ka ndodhur, duke pasur parasysh edhe ekonominë e këtij vendi,  është një krim financiar i përmasave të papara dhe të padëgjuara në Europë. Është e para herë në historinë e një vendi që një konflikt i këtyre përmasave financiare të zgjidhet pa një analizë të hollësishme ligjore, me negociata në fshehtësi të plotë,  pa pjesëmarrjen e avokatit ndërkombëtar të palës tonë, pa pjesëmarrjen e vlerësuesit financiar  edhe të 500 milion euro me fatura, fatura të pranuara madje nga të dy palët. Nëse në përllogaritjen e ketij dëmi merren  parasysh edhe tarifat më të larta që paguan aktualisht konsumatori shqiptar, si rrjedhojë e mospërmbushjes së kontratës së privatizimit dhe deklaratës rregullatore nga ana e CEZ –it, atëherë gropa financiare është shumë më e madhe dhe ky mund të quhet krimi i dytë i kësaj marrëveshje, duke ia faturuar këtë vjedhje të shekullit, shqiptarëve.

Aq më e dhimbshme vjen kjo situatë kur e kupton që aksioni i famshëm për vjeljen e faturave të papaguara të energjisë elektrike, i kryer shpeshherë aq dhunshëm  ndaj konsumatorëve familjarë, na del që nuk është bërë për të përmirësuar  furnizimin  me energji elektrike, apo parandaluar gjoja kolapsin, por është bërë për të mbuluar këtë vjedhje dhe mungesë të jashtëzakonshme përgjegjësie në marrëveshjen me CEZ. Dhe tani, pasi u ka plasur skandali në duar, pasi është realizuar grabitja më e madhe e parave publike, dalin dhe deklarojnë se do t’u falim kamatë-vonesat. Kjo e fundit mund të quhet edhe një prej akteve më të pashembullta të imoralitetit politik.
Këto janë faktet e fshehura nga sytë e qytetarëve, faktet e fshehura opinionit publik. Por me këtë qeverisje, asgjë nuk të bën më përshtypje, pasi skandalet që për fat të keq po ndjekin me shpejtësi njëri-tjetrin, sa po bëhen monotone, duke mbuluar skandali-skandalin.

Po dëgjojmë çdo ditë mega-afera korrupsioni, sapo doli në skenë marrëveshja korruptive miliona euro me ÇEZ, vjen menjëherë ajo e ilaçeve, që pasohet nga ajo e hemodializës, ndiqet nga 600 milionët e Aluiznit, e deri tek 700 milionët anti-stres të OSHEE-së. Tenderi i OSHE-së flet shumë jo vetëm si vlerë monetare, porse si një anti-vlerë njerëzore. Janë vetëvrarë 6 shqiptarë për shkak se nuk kanë pasur të paguajnë 20 mijë lekë të vjetra. Janë me mijëra shqiptarë të cilëve u janë prerë dritat nga pincat e pamëshira të këtij shteti fund e krye të korruptuar, që ka lënë dy 90 vjeçare në errësirë, përkatësisht në Mirditë dhe në Lezhë, në Shkodër një 93 vjeçari të verbër, që jeton i vetëm mes katër muresh të një dhome, i priten dritat pasi i janë faturuar 1 milion lekë dhe përveç errësirës së syve i shtoni edhe mungesën e energjisë.  Ndërkohë, ata që i paguajnë janë nën një terror të vazhdueshëm që të mos kapërcejnë jo një ditë, por një 1 orë nga afati pasi u vendoset kamatë.
Prandaj në këto rrethana është i domosdoshëm hetimi ndërkombëtar,  për aferën më të madhe korruptive në historinë e këtij vendi, atë të marrëveshjes me CEZ,  për të treguar që nuk mund të tolerohet më vazhdimi i këtij seriali skandalesh korruptive.

Ashtu siç e parashikon dhe projektligji i paraqitur sot në kuvend, një hetim ndërkombëtar garanton kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe gjithëpërfshirëse, nga organe ligj-zbatuese të huaja,   për   faktet   e   bëra   publike   lidhur   me   akuzat   për   cështjen   “CEZ – shpërndarje sh.a.” me Qeverinë shqiptare.  Të 14 nenet e këtij projektligji nuk cënojnë as kushtetutën  dhe as kodin e procedurës penale, por vetëm i japin hapësirën e duhur ligjore  për hetimin mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.

Pa një hetim ndërkombëtar vështirë se do të mund të identifikohen vepra penale, sidomos për humbje që janë mbuluar prej një pakete marrëveshjeje sovrane mes qeverisë shqiptare dhe CEZ. Këtu është arsyeja që këmbëngulet që të mos lejohet hetimi ndërkombëtar. Edhe pse e keni miratuar me votat tuaja në parlament marrëveshjen, duke i dhënë dhe mbrojtjen ligjore, prapë se prapë i druheni hetimit ndërkombëtar, sepse më e pakta që mund të bëjë do të konfirmojë vërtetësinë e shifrave stratosferike të lëshimeve që ka bërë qeveria për të mbyllur hesapet me CEZ-in. Do të konfirmojë përgjegjësinë e saj politike për tu tërhequr nga arbitrazhi ndërkombëtar, për paragjykimin e vendimit të arbitrazhit, për transparencën e munguar  të marrëveshjes, për mbylljen me ligj për hapjen e saj, e për mbi të gjitha për dëmin e madh ekonomik që i keni shkaktuar shqiptarëve.  E gjithë kjo aferë duhet të hetohet dhe duhen nxjerrë përgjegjësit.
Kemi të drejtën legjitime të  kërkojmë t’i hapet rrugë një hetimi ndërkombëtar, për arsyet e vetme se është çështja më e madhe korruptive dhe që rëndon mbi gjithë shqiptarët, por edhe sepse, kjo drejtësi nuk garanton transparencë dhe paanësi.
Ne kërkojmë hetim ndërkombëtar dhe projekt-ligji i sjellë në parlament nga opozita i jep zgjidhje të drejtë dhe të besueshme këtij problemi .

E dimë shumë mirë që prokuroria shqiptare nuk do të mundet të hetojë një çështje ku janë të përfshirë zyrtarët më të lartë të saj, nuk mund ta bëjë dot! Hetuesit shqiptarë mund të vihen nën presion nga drejtuesit kryesor politikë dhe shtetërorë që po akuzohen.
Kur në një çështje janë të përfshirë drejtpërdrejt kryetari i qeverisë, ministrat e qeverisë, kur Parlamenti i ka lidhur duart prokurorisë për të bërë hetime për çështjen e zgjidhjes së marrëveshjes, pra kur vetë Parlamenti e ka thënë ndalohen të hetohen akuzat, tregon se organet shqiptare të hetimit dhe të gjykimit janë të pafuqishme për ta zbardhur plotësisht këtë çështje.
Aq më tepër absurde duket insistimi i mazhorancës për t’ ia lënë organeve të drejtësisë shqiptare, tani kur prej muajsh kanë vënë në shënjestër këto organe duke i quajtur si më të korruptuarat, duke ushtruar edhe një presion të jashtëzakonshëm politik gjatë gjithë kësaj periudhe, nën moton për nevojën e një reforme thelbësore në drejtësinë shqiptare.
Marrja e prokurorëve të huaj vetëm e rrit besueshmërinë e hetimit. I bën qytetarët të besojnë se në këtë vend nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar dhe pa dalë e vërteta e zhdukjes së miliona eurove. Vetëm një hetim ndërkombëtar mund tu tregojë shqiptarëve se sa i kapur është shteti i rilindjes nga pazaret me CEZ-in.
Prandaj thëniet e disa ministrave dhe përfaqsuesve të qeverisë gjatë këtyre ditëve se hapja e rrugës së hetimit ndërkombëtar e bën Shqipërinë një Republikë Bananesh; se Hetimin ndërkombëtar nuk e njihka legjislacioni shqiptar, e duke i quajtur këto kërkesa, absurditete, nën pretekstin se ky është vend sovran, janë të pabaza.

Një hetim ndërkombëtar, jo vetëm që nuk ia heq sovranitetin shtetit të shqiptarëve, përkundrazi, i bën të besojë këta të fundit se jetojnë në një shtet të së drejtës, se pasuria dhe një prej sherbimeve më jetike siç është energjia elektrike, që lidhet me cilësinë e tyre të jetesës, por edhe drejtpërdrejtë me xhepin e tyre, nuk mund të jetë fusha ku luajnë më të korruptuarit e këtij vendi.
Miratimi i këtij projektligji, jo vetëm i hap rrugë një hetimi të plotë dhe të vërtetë mbi aferat e mësipërme korruptive dhe antiligjore, por mbi të gjitha provon se Shqipëria është një shtet demokratik, kur krimet hetohen dhe autorët e përgjegjësit duhet të ndëshkohen sipas ligjit.

Shpresa e ndokujt se kjo qeveri mund të korigjohet ka marrë fund. Shteti ka rënë kaq keqas, sipas një përllogaritjeje  të shpejtë të azilkërkuesve, duke përfshirë dhe 200 mijë aplikimet  për lotarinë amerikane, na rezulton se rreth 20% e shqiptarëve tentojnë të braktisin vendin e tyre.
Ky duhet të jetë rekordi më i zi, për një vend normal që nuk është në gjendje lufte. Një qeveri e tillë në një shtet dhe shoqëri normale nuk e ka te drejtën për të qeverisur.

Ndërkohë që djemtë e disave këtu zgjedhin cilin tendër abuziv të përvetsojnë, djali  im më pyet: Si mendon të iki nga ky vend? Tendenca e nënave është të mbajnë pranë feminë e tyre, po s’mund të jem aq hipokrite sa ti them “rri”. Si djali im janë  60% e të rinjve shqiptarë. Këtë nuk e them unë, por studimi i fondacionit gjerman Friedrich Ebert, i cili nxjerr në pah faktin shqetësues që 60% e të rinjve duan të emigrojnë jashtë vendit, duke renditur si faktor kryesor arsyet ekonomike.

Ju jeni nje model i vecante vrasesish, ju po vrisni shpresen e te rinjve, shpresen e shqipetareve. Per kete Kodi Penal nuk parashikon denim, por shpresoj qe shqipetaret te bejne vetegjyqesi dhe kjo vetegjyqsi te fillojne nga 8 Dhjetori.


Fjalimi në Kuvend e deputetes të Partisë Demoktratike, Irma Kopliku, 3 Dhjetor, 2015