DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ANËTARI I KRYESISË, GAZMENT KODUZI

Mjaftoi një shkëndije elektrike për të bërë shkrum e hi shëndetësinë “falas” të qeverisë.

Zjarri i rënë në urgjencën e sapo përuruar të QSUT, ka lënë pa shërbim qytetarët, të cilët përballen vetëm me fasadën e djegur të investimit të bujshëm përuruar nga vetë Edi Rama.

Në këtë urgjencë, nuk ofrohet asnjë shërbim, renimacioni nuk funksionon, ndërsa kanë rënë pothuajse krejtësisht shërbimet e tjera në këtë godinë.

Kjo ka cënuar rëndë shëndetin dhe xhepat qytetarëve, të cilët detyrohen të bëjnë zgjidhje të vështira: ose të shkojnë dhe paguajnë nga xhepi në sektorin privat, ose të presin dhe shpresojnë që shëndeti nuk përkeqësohet derisa të marrë shërbimet shëndetësore nga sektori publik.

Pra, pas personelit shëndetësor që ka marrë rrugët e Europës, edhe qytetarët tashmë janë të detyruar nga shëndetësia falas të marrin rrugët.

Ngjarja pak ditëve më parë në urgjencën e QSUT, tregoi edhe njëherë se kjo qeveri nuk është e interesuar për të ofruar shëndetësinë që duan shqiptarët, por thjesht fasadat e bukura për të fshehur mjerimin e shëndetësisë që ka ofruar prej 11 vitesh qeverisja e Rilindjes.

Edhe zjarri erdhi si shkak i cilësisë së dobët të punimeve, çka provon se shëndetësia falas, është thjesht fasada e një dështimi që shqiptarëve u kushton shëndetin e shpesh jetën e tyre.
Gjithashtu, provon qartë se sistemi i shëndetësisë, ashtu si çdo sektor tjetër, është i pushtuar nga korrupsioni, aferat korruptive e është viktimë e babëzisë rilindase.

Partia Demokratike ka denoncuar dhe do të vijojë të denoncojë me forcë korrupsionin dhe fasadën me të cilën qeveria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në kurriz të shëndetit të shqiptarëve.

Për PD, shëndetësia është një nga prioritetet madhore, dhe me specialistët më të mire, do të ofrojë për shqiptarët një program shpëtimi për shëndetësinë, për ti dhënë fund shëndetësisë së fasadës, për të mbajtur këtu mjekët e të kthejë besimin e shqiptarëve për mjekun e shëndetësinë shqiptare.