DEKLARATA E DEPUTETES DHE ANËTARES SË KRYESISË SË PD, ERALDA TASE

 

 

Të nderuar qytetarë,

 

Qeveria shqiptare ka dështuar të prodhojë institucione të cilat janë të efektshme dhe kanë aftësinë të prodhojnë politika favorizuese kundrejt qytetarëve. Si çdo institucion tjetër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është subjekt i një sërë parregullsive dhe shkeljeve proceduriale të cilat reflektohen në raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shetit.

Vlen të theksoj se në këtë raport të KLSH evidentohet një mungesë regjistrimi në librat e kontabilitetit dhe pasqyrat financiare për periudhën 2021- 2022, të tokave bujqësore që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural administron, (në sipërfaqe totale 19,033.95 ha), duke cenuar transparencën dhe pasqyrimin e plotë të të dhënave pasurore në administrim të Ministrisë. Situata pritet të jetë e ngjashme edhe për periudhën 2023 – 2024 nisur nga të dhënat paraprake.

Në fakt, të dhënat që marrim nga këto raporte të KLSH, vërtetojnë se një ministri e tillë ka aftësine absolute për të bërë çorap gjithë sektorin. Me dashje ose jo, çorba e gatuar nga ligësia dhe paaftësia e institucioneve të rilindjes ka bërë që:

Në vitin 2022 dhe 2023, rritja e bujqësisë ishte afër zeros, madje në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit të kaluar u kthye në negative (-0.5% në periudhën korrik-shtator). Blegtoria sidomos po vuan më shumë, siç tregon dhe tendenca e rënies së gjedhëve e prodhimit të qumështit. Kujtojmë protestën e fundit të blegtorëve të jugut, ku mes të tjerash ata kërkuan rregullim të tregut të importit të mishit i cili po shkakton rënie drastike të shitjes së produktit vendas, duke i vendosur familjet shqiptare që ushqehen nga biznesi i blegtorisë në risk të madh për faliment.

Janë të panumërta thirrjet nga fermerët në të gjithë vendin, të cilët po e gjejnë veten në kushtet kur produktet e tyre nuk shiten dhe ata detyrohen t’i flakin. Një vit prodhohet grur me shumicë për shkak se Ministria e Bujqësisë i udhëzon të bëjnë këtë gjë, e më pas vitin pasardhës, produkti mbetet stok i pashitur ndërkohë që institucionet përgjegjëse heshtin dhe nuk marrin masa.

Problemet e bujqësisë në qarkun e Fierit janë të panumërta, por një informacion i fundit që mbërrin në Partinë Demokratike vjen specifikisht nga fshati i Sukut, ku fermerët po hedhin poshtë prodhimin e kastravecit për shkak se grumbulluesit kanë rënë dakord për blerjen e produktit nën kosto. Asnjë ndërhyrje nga ministria.

Fundi i këtij regjimi do ta shpëtojë Shqipërinë, është e vetmja mënyrë.

Partia Demokratike e ka një plan të mirëstudiuar për bujqësinë, një program i cili do ti jap fund korrupsionit dhe abuzimet në kurriz të fermerëve shqiptarë dhe subvencionim të prodhimeve që të mos detyrohen ti hedhin më.

 

Faleminderit!