Demokrate, demokratë, mbështetëse dhe mbështetës të Partisë Demokratike, shqiptare e shqiptarë kudo që jeni; Gëzuar këtë ditë, ditën e lirive tona politike, ditën e lirisë së shqiptarëve, ditën e themelimit të Partisë Dmeorkatike, partisë së idealeve tuaja më fisnike. Ndaj dhe sot, unë dua të përulem me nderimin më të pakufijshëm, mirënjohjen më të thellë, para veprës së Azem Hajdarit, studentëve liberatorë, intelektualëve dhe qytetarëe të Tiranës, që 25 vjet më parë nxorrën shqiptarët nga mbretëria e terrorit më të egër, barbarive më mizore, izolimit më të thellë, mjerimit më të skajshëm dhe themeluan me guximin e tyre në kufijtë e legjendës, pluralizmin politik, Partinë Demokratike, si parti e vërtetë opozitare, në tërë memorien e gjatë tonë kombëtare.

Azem ti je gjallë!

Unë sot dua të përulem, me nderimin më të madh, para jush, demokratë dhe demokrate, në këtë sallë, kudo që jeni në çdo skaj të Shqipërisë, jashtë saj, kudo në botë, në emigracion, në diasporë, për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme, që i keni dhënë dhe i jepni sot Partisë Demokratike.

Gjatë këtyre 25 viteve, ndoshta mijëra e mijëra herë i kam thënë vetes, se kam lindur me fat, se kam lindur me këmishë, sepse isha njëri prej jush, dhe ne së bashku Shqipërinë e gremisur në honet e historisë e ngritëm në rrugën e lirisë, e hapëm drejt Europës, vendosëm liritë dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve, e integruam atë në Këshillin e Europës, e integruam në NATO, e çuam në statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, Shqipërinë, Angolën apo Ugandën e Europës ne e nxorrëm nga mjerimi ekstrem, të ardhurat për frymë u rritën nga 204 në 11 mijë dollarë.

Ndaj dhe unë dua t’u garantoj se do vazhdoj përpjekjet e mia gjithë jetën time, së bashku me ju, për ju, për ndërtimin dhe lartësimin e idealeve dhe vlerave që besoj.

Viktor Hygo ka shkruar në një vjershë të tij, dhe unë po ia marr hua sot këtu: Sikur 1 mijë të mbeteni, do të mbetem njëri prej jush! Sikur 100 të mbeteni, do të mbetem njëri prej jush! Sikur vetëm 1 të mbetet, do të jem njëri prej jush!

Rroftë Partia Demokratike! Zoti i bekoftë demokratët! Zoti bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj, shqiptarët kudo ku janë!

Ne mblidhemi sot, pasi me besimin tonë të palëkundur tek vota e lirë, liria dhe vlerat e saj, vlerësuam, respektuam plotësisht votën e shqiptarëve, proçeduam me një transferim të rregullt të pushtetit, pa menduar kurrë se liritë e shqiptarëve, se qeveria e tyre në dy vite, do të rrokullisej ndoshta dhe me shpejtësinë më të madhe se në kohërat më të zeza të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Këto dy vite, ata që erdhën në pushtet shndërruan qeverinë e shqiptarëve në një organizatë kriminale të përbërë nga hajdutët e shtetit, hajdutët e pasurive tuaja, ata përdorën votën tuaj, ata përdorën votën e shqiptarëve për të vjedhur, për të përvetësuar, për të plaçkitur çdo orë, çdo ditë, çdo javë pasuritë e tyre, për të dhunuar moralin e tyre, për të rrënuar votën e tyre.

Një kushtrim vjen nga thellësitë e qenies sonë, një kushtrim vjen nga ata që përmbysën diktaturën, një apel drejt guximit tuaj. Dhe unë u them se guximi juaj sot është 100 herë më i madh se sa guximi ynë në vitet ’90. Sepse ne ishim burra dhe gra, djem dhe vajza të rritur në skllavëri, të rritur në shtypje, të rritur në barbari.

Ne me qindra mijra herë kishim ndjerë rrahjen e zemrave tona nga frika e terrori, kurse sot ne jemi 25 herë më të guximshëm, 25 herë më të fuqishëm, 25 herë më të qartë për të mbrojtur liritë tona, për të mbrojtur votën, për të mbrojtur qenien tonë.

Ndaj dhe thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit që kemi, të ngrihemi në lartësinë e guximit që kërkon koha.

Ky vrasës i shpresës duhet të marrë sa më shpejtë atë që meriton. Fundin. Koshin e plehrave të etërve të tij. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike sa më parë.

Demokrate dhe demokratë,

Prova është e jona, kushtrimi është i yni, thirrja është e jona, të mos presim asnjë një orë, asnjë ditë, se çfarë do të bëjnë shqiptarët, por të shohim çfarë do bëjmë vet për të inkurajuar ata, për ti organizuar ata, për ti mbledhur ata, për t’u rikthyer atyre shpresën, besimin, se Shqipëria, e bukura e dheut s’meriton të largoheni por meriton të luftojmë, të punojmë me guxim të madh për ta vendosur atë në rrugën e lirisë.

Demokrate dhe demokratë, edhe një herë ju përshëndes miqësisht.

Ju ftoj secilin prej jush, çdo shqiptar, çdo demokrat, të mendojë nga mëngjesi në darkë për të gjitha format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar sa më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo vit qindra mijëra të rinj, që po shkreton këtë vend, që i ka dhënë Shqipërisë reputacionin e Sirisë përsa u përket azilantëve politikë, që po i vdes njerëzit në burgje, që po i vdes njerëzit në kasolle të ftohta duke i lënë pa energji dhe pa çdo gjë, që po ndërton përsëri parajsën e bijve të etërve mizorë mbi liritë e shqiptarëve.

Në këmbë, në këmbë, në këmbë! Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”


Fjala e ish kryeministrit Sali Berisha në 25 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015