Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka vijuar takimet edhe ditën e sotme për programin e PD. Në një postim në Facebook, Basha ka diskutuar edhe për të përndjekurit të cilët vijojnë të përballen me ata që i persekutuan dhe i përndoqën. Kreu i PD jithashtu thotë se një shtyllë tjetër kryesore në program janë edhe ish pronarët ku zgjidhja e çështjes së pronës është angazhimi kryesor i PD.
Postimi i plotë:
Me grupin e punës për programin diskutuam për të përndjekurit dhe pronarët.
Edhe sot të përndjekurit përballen me ata që i persekutuan dhe i përndoqën. Që historia e genocidit komunist në Shqipëri të mos gjejë kurrë, jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim, duhet rishikuar legjislacioni për pastërtinë e figurës së zyrtarëve.
Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë aq më pak deformimi i të shkuarës, por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur.
Pronarët janë një tjetër shtyllë e PD, të cilëve u kemi një borxh të madh. Kanë 33 vite që zvarriten dhe janë degdisur në grupin më të diskredituar në Europë, sepse nuk gëzojnë një të drejtë themelore, siç është ajo e pronës.
Kjo qeveri pronat e pronarëve dhe ato publike i përdor për një grusht biznesmenësh, që u jep titullin Investitor Strategjik. 30 milionë euro qeveria i hoqi nga Fondi i Kompensimit të Pronarëve për çështjen “Beçhetti”.
Zgjidhja e çështjes së pronës është angazhimi ynë kryesor, dhe me programin tonë të detajuar kemi parashikuar hap pas hapi masat për t’i dhënë fund kësaj çështje që është e rëndësishme dhe për zhvillimin e vendit.