Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përshëndetur aderimin e Kosovës si anëtare e Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se ky është një lajm i mirë për të për Rajonin dhe për Europën.
Kreu i PD, shprehet se kjo arritje dëshmon hapat e drejtë dhe të sigurtë të Kosovës në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik dhe vullnetin e pamposhtur të një shteti që në pak dekada po kthehet nga një konsumues i sigurisë, në një shtet që kontribon në paqen dhe stabilitetin e Rajonit.
POSTIMI i PLOTË
Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Kosova, Anëtare e Asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, është një lajm i mirë për të, për Rajonin dhe për Europën.
Hapat e drejtë dhe të sigurtë të Kosovës në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik dëshmojnë vullnetin e pamposhtur të një shteti që në pak dekada po kthehet nga një konsumues i sigurisë, në një shtet që kontribon në paqen dhe stabilitetin e Rajonit.
Tani është koha që vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë formalizuar njohjen e Kosovës ta hedhin këtë hap, duke i hapur rrugë anëtarësimit të saj në Aleancë, si kontribut për paqen dhe stabilitetin e Europës. Duke mësuar nga gabimet e të shkuarës të ndërtojmë një të ardhme të sigurt e të begatë për rajonin dhe Europën.