Buxheti 2016 sjell një rritje të re të taksave, të cilat do të paguhen të gjitha nga qytetarët shqiptarë. Ky është buxheti i plotë i vitit të fundit të kësaj qeverie, pasi viti që vjen do të jetë sërish një vit elektoral. E gjithë kjo procedurë konsiston në vendosjen e 430 milion dollarëve taksa shtesë mbi qytetarët pa llogaritur këtu efektet që vijnë nga rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Dhe ç’ndodh me këtë?
Në 430 milion dollarë të rritjes së taksave shtesë që kjo qeveri programoi dhe gostiti qytetarët me premtimin e saj se do të vendoste drejtësi dhe barazi në shoqërinë shqiptare, rreth 90% e tyre janë të gjitha taksa që do të paguhen nga qytetarët dhe vetëm 10% janë taksa që i janë shtuar bizneseve.
Sigurisht që qeveria e ka më të thjeshtë që këto taksa t’i marrë tek qytetarët dhe është gjithnjë e më e vështirë për të pritur kontribute tek bizneset për shkak të situatës së vështirë ekonomike që po kalon ekonomia e vendit. Fakti i vitit 2015 dëshmon se kemi të bëjmë jo thjeshtë vetëm me një pamundësi për të paguar më shumë taksa nga ana e biznesit dhe e qytetarëve, por edhe për një rritje të evazionit fiskal. Në vitin 2015 u vendosen 160 milion dollarë taksa të reja, por deri tani dhe deri në fund të vitit efekti i tyre do të jetë tërësisht i shuar pasi deri në fund të vitit 2015 në bvuxhet do të ketë të njëjtin vëllim të ardhurash nga taksat (tatime dhe dogana) që kanë qenë në vitin 2014. Pra 160 milion dollarë shtesë avulluan sikurse avulloi edhe shtesa e të ardhurave që do të vinin në buxhet për shkak të rritjes ekonomike dhe që kjo do të ishte në nivelin e 200 milion dollarëve. Ne, në muajin korrik të këtij viti, ulëm programin e të ardhurave të qeverisë me plot 230 milion dollarë. Pra pakësuam të ardhurat nga taksat, pasi qeveria nuk i mblidhte dot më ato dhe tani vijmë tek situata që kemi që deri në fund të këtij viti do të kemi edhe 200 milion dollarë taksa më pak nga sa ka programuar qeveria. Pra kemi një pakësim me 430 milion dollarë të të ardhurave përgjatë vitit 2015. Dhe për vitin 2016 programohen që të ketë sërish një rritje taksash dhe të ardhurash që nuk do të sjellin asnjë gjë. Qeveria në vend që të adaptonte një politikë më miqësore dhe një sistem taksash që të ishte i përshtatshëm për biznesin , të luftonte me mjete dhe me reforma informalitetin dhe jo me fushata plicore siç ka bërë deri më tani, prej të cilës në vend që të realizonin 300-400 milion euro më shumë të ardhura humbën edhe 400 milion euro të tjera në këtë proces. Qeveria vijon të këmbëngulë përmes dhunës dhe rritjes së taksave se do t’ia dalë për të grumbulluar ato që humbi për këtë vit. Të gjitha këto qeveria kërkon që t’i kompensojë për vitin 2016. Dhe kjo është premisa e parë e keqe që rëndon mbi qytetarët , bizneset dhe mbi ekonominë e vendit.
Rritja e represionit, dhunës, ndëshkimit, të cilën po e bën qeveria përmes forcimit të dispozitivit ndëshkues mbi biznesin dhe qytetarët nuk do të sjellë gjë tjetër veç se humbjen e mëtejshme të kapaciteteve që ka vendi për të investuar më shumë dhe për të punësuar më shmë. Rezulati është ai që dihet!
Gjatë vitit 2015 sipas statistikave të qeverisë kemi dhe një humbje prej rreth 70 mijë vendeve të reja të punës dhe INSTAT konfirmon edhe një herë atë që FMN analizoi për gjysmën e parë të vitit 2014 dhe gjysmën e vitit 2015 se, Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropën Qendrore dhe Lindore që kishte humbur vende pune dhe bashkë me Bjellorusinë e Lukashenkos ishte i vetmi vend që kishte ulur të ardhurat nga puna e qytetarëve. Dhe kjo përbën bazën e asaj që po ndodh në jetën e qytetarëve në atë reagim që ka tek ata në jetën e tyre të përditshme, në protestën e tyre, në reagimin e tyre masiv ndaj qeverisë se varfërimi dhe rënia ekonomike po vijon me ritme të shpejta.
Qeveria po deklaron se nuk po rrit rrogat dhe pensionet, pasi inflacioni është i ulët, por vetë deklaratat e qeverisë, vetë publikimet e INSTAT-it thonë se në harkun e vitit 2015 çmimet e mallrave të shportës së konsumit, nga e cila preket pikërisht dhe pjesa më e ekspozuar e qytetarëve nuk është rritur me 2.2% sa ç’është norma e inflacionit por është rritur me 6.4% dhe kjo do të thotë se qeveria nuk merr përsipër asgjë për të kompensuar rritjen e të papunëve dhe në rritjen e varfërisë. Të dhënat e këtij buxheti që ka programuar qeveria për vitin 2016 për këto shtresa janë të pashpirta, sepse të ardhurat për këto zëra vijojnë të ulen në në krahasim me 2015. Edhe të dhënat për ndihmën ekonomike, për pagesën e aftësisë së kufizuar të qytetarëve, pagesave të tjera shoqërore janë në rënie në krahasim me ato që kanë marrë në vitin 2015. Dhe e gjitha kjo vjen në një kohë kur kemi rritje të numrit të papunëve, shtimit të problematikave të tjera të familjeve më të ekspozuara në nevojë. Pra të gjitha problematikat për këto zëra gjatë vitit 2016 vijnë duke u rritur më tej, ndërsa ulen fondet.
Por kush përfiton nga ajo politikë dhe nga ajo çfarë parashikon buxheti i shtetit?
Në fakt, përfitojnë vetëm shpenzimet qeveritare. Investimet publike në tërësi janë në minimumin e tyre historic, me plot 4%. Nuk ka ndodhur asnjëherë që investimet e qeverisjes qendrore të jenë në këtë nivel. Shto këtu edhe 0.4-0.6% që kanë vajtur grantet e qverisjes vendore shkojnë në total 4.6% investimet publike për vitin 2016. Më lejoni të them se asnjëherë investimet nuk kanë qenë në këto nivele dhe parametra. Janë më pak se 15%v e shpenzimeve të buxhetit që destimohen për investime. Ndërkohë, 85% e tyre si asnjëherë tjetër në të gjithë historinë e vendit destinohen për shpenzime operacionale të qeverisë. Investimet publike nuk destinohen për të shkuar pranë komuniteteve lokalë për rrugë apo për ujësjellësa, apo për investime në sektorin e bujqësisë, për shkolla, apo për shëndetësi, por janë të gjitha shpenzime që destimohen për të riparuar apo për të lyer ministri, si dhe për të bërë fasadat e qyteteve. Kjo histori ashtu si edhe një vit më parë do të vazhdojë sërish me buxhetin 2016 dhe kjo në një kohë kur qeveria nuk parashikon as asfaltim, kanalizim të ri, shkolla të reja. Pra asgjë nuk është bërë në harkun e tre viteve ede ky është viti i tretë dhe vendimtar i mandatit të kësaj qeverisjeje. Por qeverisja nuk është e interesuar dhe nuk kujdeset se çfarë po bën. Kjo qeverisjej është e interesuar për të krijuar imazhin e sundimtarit që ka marrë në dorë dispozita të tilla ligjore për të ndëshkuar këdo, vetëm për të gjunjëzuar njerëzit.
Viti që vjen do të jetë një viti edhe më i vështirë, pasi përtej optimizmit të kësaj qeverie se do të ketë një rritje ekonomike në terma nominalë 6%, sigurisht që as burimet financiare dhe asgjë nuk ekziston. Statistikat e shpallura ditën e djeshmë qoftë nga INSTAT-i, apo nga Banka e Shqipërisë janë dëshpëruese. Investimet e huaja direkte gjatë këtij viti në mënyrë të përmuajshme kanë qenë më të ulëta në krahasim me një vit më parë, si dhe janë rreth 5% më të ulëta në krahasim me periudhën 10-mujore. Importi i makinerive dhe i pajisjeve është 7% më i ulët në krahasim me një vit më parë. Indeksi i konsumit të qytetarëve ka rënë me rreth 6% në krahasim me një vit më parë. Gjithçka është e zymtë. Gjithçka është pa perspektivë dhe kjo deklamohet edhe në mënyrë të shpallur, të cilën kjo qeveri nuk e sheh. Kjo qeveri në mënyrë krenariste dhe të pandreqshme vijon dhe thotë se jemi në rrugën e duhur të rritjes ekonomike, bërjes së investimeve, etj. Ajo çfarë po përceptojnë qytetarët ka të bëjë me faktin se po i kin me vrap në vende të tjera. Janë 300 mijë qytetarë që kanë lënë apo që kërkojnë ta lënë Shqipërinë në këmbim të një jete më të mirë. Dhe lista e këtyre qytetarëve që duan të largohen nga vendi i tyre, shtohet çdo ditë e më shumë. Prandaj ky ligj nëse do të kishte njëfarë efekti zbutës duhej të ishte konceptuar ndryshe. Kjo qeveri në vend që të ishte me psikologjinë e sundimit duhej të psikolgjiste një qeverisje të përbashkët qoftë me komunitetet lokale dhe t’u linte këtyre të fundit më shumë kompetenca, hapësira dhe fonde në drejtim të zgjidhjes së më shumë problemeve, të cilat sa vijnë dhe agravohen. Për këtë arsye, pra ne jemi kundër votimit të këtij projektligji të formatuar në këtë formë nga ana e qeverisë.
Faleminderit!
Fjalimi ne Kuvend i deputetit te PD Ridvan Bode, 17 Dhjetor 2015