Të riflasësh për pushtetin vendor e lidhjen me reformën Territoriale dhe Administrative, një vit pasi nga kjo foltore ke përmendur të metën e saj kryesore; është më shumë se sa një e vërtetë e hidhur. E sot me Ligjin e Vetqeverisjes Vendore nuk mbetet shumë për të thënë përveçse e gjithë ajo që ndodhi ka pasur një qëllim, zaptimin e të gjithë pushteteve në një dorë.

Të riflasësh për ligjin e Pushtetit Vendor dhe paratë që Buxheti i Shtetit i jep atij, një vit pasi i ke kërkuar kësaj mazhorance përditë që të ulemi bashkarisht për të ndërtuar një proces të vërtetë decentralizimi është si t’i flasësh dikujt që nuk ka dashur të të dëgjojë.

Dhe nuk mund të ishte ndryshe kjo reformë, bazuar me atë çfarë sytë e shqiptarëve kanë parë nga aksionet e bujshme qeveritare, asnjë kursim e reduktim shpenzimesh, terror e vetëm terror ana shoqërore.

Sot të gjithë e kuptojnë se nuk kemi ç’të flasim më për decentralizim, se nuk ka të majtë e të djathtë që të jetë i kënaqur me këtë ligj e me buxhetin për pushtetin vendor. Se sot përgjegjësitë, kompetencat, autoritetet e të gjitha fjalët e bukura të reformës ishin thjesht ëndërr e një nate vere! Thjesht një mënyrë tjetër për të kapur dhe një pushtet, atë lokal.

Sot jemi përballë pasojave të pashmangshme:

Ky ligj ndjek reformën territoriale,

Ky ligj është i detyruar të përballet me këtë realitet territorial,

Ky ligj nuk e udhëheq më procesin e decentralizimit por thjesht heq disa kompetenca që vetë qeverisja qëndrore nuk i realizon dot,

Dhe se ky ligj dështon në qëllimin e tij duke mos reflektuar atë frymë që ne kërkuam. Duke qenë tërësisht jashtë realitetit që ka sot PV dhe duke vulosur sot dështimin e Reformës Territoriale!

Duke qenë se me këtë reformë praktikisht nuk kemi më as zgjedhje e as përfaqësim. Duke e denatyruar tërësisht pozicionin e Kryetarit të Bashkisë dhe duke e kthyer atë në një zgjatim qeveritar.

Prandaj edhe ky ligj i shoqëruar nga buxheti i shtetit, vetëm reflekton dëshirën e paepur të kësaj mazhorance për pushtet por mbi të gjitha reflekton fytyrën e vërtetë të Reformës Territoriale. Hartën e pikturuar në zyrat qeveritare duke pasur interes vetëm një ndarje pushteti brenda mazhorancës.

Dhe kjo katrahurë, që e pagëzoni si reformë, vjen si pasojë e mungesës së dëshirës të kësaj qeverie për të bashkëpunuar me opozitën në ndërtimin e një reforme decentralizuese të prekshme dhe reale. Që do t’i shërbente të gjithë shqiptarëve, por juve vendosët të prodhonit këtë reformë gjysmake, që nuk mund të kryejë as funksionet për të cilat ajo u krijua. Degradoi në një reformë partiake që e ka zhbërë qarkun dhe konceptin juridik të tij të sanksionuar në Kushtetutën e vendit.

Megjithëse amendimet në Ligjin e Qeverisjes Vendore nuk prekën qarqet por vetëm komunat, duke prodhuar kështu qarqe të tilla bashkiake që nuk mund të përfaqësojnë tërësisht numrin e qytetarëve që këto bashki kanë. Mungesa e një filozofie bashkëpunuese në nivelin e demokracisë përfaqësuese, rezultoi kështu edhe në heqjen e të drejtës së qytetarëve për të qenë të përfaqësuar në qeverisjen vendore.

Gjëma e këtij veprimi ka prodhuar qarqe të cilat nuk kanë asnjë përfaqësues nga opozita, megjithëse është vetë kushtetuta garante në këtë pikë. Neni 110, pika 3 i përcakton këshillat e qarqeve si të përbërë nga përfaqësues të subjekteve të ndryshme, proporcionalisht me rezultatet zgjedhore.

Dikush këtu mund të thotë se e gjithë kjo skemë funksiononte edhe nëpër komuna një herë e një kohë. Por pikërisht këtu qendron ironia e kësaj reforme territoriale, ajo lindi si një domosdoshmëri për të zhdukur pikërisht këto forma të mungesës së demokracisë për të krijuar një komunikim më në shërbim të qytetarit.

Pasoja reale e kësaj reforme është se pas 25 vjetëve demokraci ajo arriti të vinte në jetë me dhunë, për fatin tonë të keq, thënien e famshme të Leninit “I gjithë pushteti Socialistëve”.

Tani, t’i hedhim një sy argumentit më të dëgjuar gjatë debatit për Reformën Territoriale. Ajo çfarë avokatët e kësaj reforme duke nisur nga kryetari i saj z. Fino e deri tek ministri Çuçi qe argumenti se ajo do t’i kursente buxhetit të shtetit rreth 80 mln USD.

Kam qenë shumë kureshtare për të parë buxhetin e vitit 2016 dhe mbi të gjitha aneksin sa i takon PV. Megjithëse kureshtare nuk u habita aspak kur alibinë e kursimit të 80 mln USD që i keqpërdornin komunat dhe bashkitë e djeshme, e gjeta të pavërtetë.

(Diferenca mes shpenzimeve të vitit 2015 me atë të akorduar nga Buxheti 2016 për PV është +6.7 milion lekë. Kjo diferencë të krijon përshtypjen se bashkitë nesër do të marrin më shumë para se sa sot, por kur lexon detajet dhe detyrimet që i shkojnë këtyre bashkive atëherë kupton se e gjithë kjo shumë shtesë nuk vlen kurrgjë.)

Buxheti i ri i jep qeverisë vendore para dhe më pas i ngarkon disa përgjegjësi të cilat ajo nuk ka mundësi t’i elaborojë sipas nevojës së saj. Në thelb funksionet e deleguara tek PV vazhdojnë të funksionojnë me sistemin e vjetër legjislativ duke u përcaktuar saktësisht se si dhe se ku do të përdoret çdo qindarkë nga paratë që qeveria pretendon se ka shtuar në buxhetin për to.

Për të kuptuar nëse realisht kemi apo jo rritje të fondeve nga qeveria qendrore për atë vendore duhet të marrim në konsideratë dy faktorë të rëndësishëm.

Së pari, a kemi shtim të Transfertave të Pakushtëzuara nga qeveria? Paradoksalisht kjo qeveri ka ndryshuar filozofinë e Transfertave të Pakushtëzuara duke i Kushtëzuar ato pothuajse totalisht që me buxhetin e këtij viti. Por edhe për vitin e ardhshëm kjo filozofi është e zbatuar në praktikë, zëri i Transfertave të Pakushtëzuara është më i ulët se sa viti 2015.

Së dyti, a kemi një shtim në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve?! Edhe këtu kemi më pak fonde të parashikuara, rreth 4 miliardë lekë, të cilat nuk vijnë aspak si pasojë e logjikës se po kursejmë para nga buxheti i shtetit. Ky fond që me ardhjen në pushtet të kësaj mazhorance tenderohet nga KM, duke paracaktuar (siç edhe buletinët e prokurimeve dëshmojnë) fituesin dhe duke mos i dhënë asnjë liri apo vendimmarrje Pushtetit Vendor, por duke ia ndrshuar totalisht konceptin e funksionin këtij fondi, duke e përdorur dhe këtë për fasada, fundja si të gjithë investimet e pakta që kjo qeveri po bën!

Dy arsyet e mësipërme janë argumenta të qarta për të kuptuar se nuk kemi patur as rritje të fondeve për Pushtetin Vendor por në të kundërt kemi një rënie të këtyre fondeve dhe mbi të gjitha më pak kompetenca, e as kursim. Pra, më pak autonomi dhe liri vendore!

Dikush mund të thotë që kjo nuk është një gjë e re, fundja kjo qeveri ka gënjyer aq shumë në këto dy vjet e pak sa që çfarë bëri një gënjeshtër më shumë apo më pak?

Vlen për t’u theksuar se vështirësitë që sot banorët e qyteteve të mëdha po hasin në mungesën e shërbimeve si edhe në degradimin e bashkive të tyre do të vijë pikërisht si pasojë e këtij operacioni të kryer qorrazi dhe me synimin e vetëm për të patur pushtetin!

Vlen për të qenë në qendër të vëmendjes që kjo mazhorancë si e si për të shmangur një proces gjithëpërfshirës dhe demokratik në vetvete, vendosi të atrofizojë dhe zhbëjë konceptin e qarqeve duke vendosur të krijojë struktura, të cilat sot po i lë pa fonde dhe pa asnjë rol, struktura të krijuara vetëm për të mbushur numrin!

Pra një reformë që as nuk i vjen në ndihmë qytetarëve dhe që hedh në koshin e plehrave Kushtetutën. E trajton si diçka të pashenjtë që mund ta shkelë kushdo dhe kurdo!

Por, fatmirësisht ka në këtë vend dhe në këtë sallë deputetë dhe mbi të gjitha qytetarë që e kanë më të shenjtë se sa kryeministri Kushtetutën e kësaj republike. Prandaj nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë që kjo qeveri të centralizojë rishtazi punën reale duke decentralizuar vetëm daljet mediatike të zyrtarëve vendorë.

Një filozofi tërësisht absolutiste e cila errëson tërësisht konceptin e ndarjes së pushteteve dhe atribuimit të çdo pushteti një funksion të rëndësishëm. Aktualisht, ky ligj e buxheti bashkë me të zhduk tërësisht dhe atrofizon punën e qarqeve duke krijuar pikërisht të kundërtën e asaj çfarë është ligjëruar këtu nga qeveria.

Ky ligj e buxheti, nëse miratohen në këtë formë për Pushtetin Vendor, me këto agjensi që janë në duart e një njeriu të vetëm i jep pushtet të paimagjinueshëm vetëm një njeriu të vetëm.

Ky ligj është gjysma tjetër e dëmshme sa i takon Reformës Territoriale e cila e ndërtuar nën dëshirën e verbër dhe të dhunshme për pushtet absolut, krijoi një hartë kungulleshash për ta ndarë kjo mazhorancë. Duke cënuar tërësisht jo vetëm autonominë vendore por mbi të gjitha cënoi drejtë për drejtë demokracinë dhe Kushtetutën.

Kjo nuk është dhe nuk ka qenë kurrë një reformë që do të përmisojë jetën e shqiptarëve.

Ky ligj nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë në shërbim të demokracisë vendore!

Nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë një reformë që përcjell shërbime më të mira, përfaqësim më të mirë dhe mbi të gjitha nevojat dhe domosdoshmëritë e Pushtetit Vendor.

Por atëherë çfarë synon të përcjellë ky ligj?!

Njësoj si një vit më parë jam e bindur që ky ligj që vjen sot përcjell thjesht salamandrën elektorale që firmosët vjet. Dhe duke qenë se pushteti i madh korrupton gjithnjë e më shumë, kjo mazhorancë dëshiron që tani të kontrollojë çdo frymë që lëshon PV prandaj ka vendosur të kontrollojë si taksat dhe sistemin e tyre, ashtu edhe transfertën e pakushtëzuar, transfertën për financimet e funksioneve të reja, fondit për zhvillimin e rajoneve.

Ky ligj nuk është vetëm se vazhdimi i shkatërrimit të Pushtetit Vendor.

Vazhdimi i shkatërrimit të demokracisë vendore.

Vazhdimi i uzurpimit të pushteteve nga një dorë e vetme që do të vendosë tanimë edhe për fatin e tyre.


Fjalimi në Kuvend e deputetes së PD, Jorida Tabaku, 17 Dhjetor 2015