Të dashur qytetarë

Kolegë deputetë

Vijmë sot në Kuvend e Shqipërisë, në këtë seancë plenare, teksa jashtë tij shqiptarët janë duke protestuar kundër kësaj qeverie e kësaj tiranie të re,

profesionistë, studentë, mësues, mjekë e infermierë, punonjës të profesioneve e zanatave të ndryshme që i shtohen ushtrisë të të papunëve dhe të të pashpresëve, janë cdo dite në protesta duke kërkuar përmbysjen e kësaj mazhorance dhe të këtij kryeministri,

shqiptarët e çdo ngjyrimi politik, demokratët anembanë vendit, por jo vetëm ata, janë së bashku kundër këtij pushteti që jo vetëm i varfëron, jo vetëm i dhunon në liritë e të drejtat e tyre themelore, por i ka çuar në kufijt e pamundësisë për të rritur fëmijët e çuar para familjen,

shqiptarët sot më shumë se kurrë në këto 25 vite kanë të drejtë të bashkojnë zërin e zemrat e tyre, sepse ëndrra e lirisë vazhdon mes nesh, kjo qeveri me represionin e derën e burgut, po na rikthen si për ironi të fatit tonë, në dhjetorin e 1990.

Të dashur qytetarë,

vijmë sot për të diskutuar projektligjin “për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” i cili vjen në këtë moment, si për t’u konfirmuar shqiptarëve që kjo qeveri bën vetëm gjysëm–punë ose me mirë me thënë që kjo qeveri nuk ka një punë të vetme të çuar deri fund, në këto dy vite e  gjysëm qeverisje.

Reforma territoriale dhe administrative ka qenë nga më të kundërshtuarat nga opozita, e cila nuk pranoi gjatë vitit 2014 të bëhej pjesë e tryezave ku u diskutua një gjoja reformë, e cila u quajt administrative e territoriale, por i mëshoi veç të dytës, me një qëllim të qartë, ndarjen e territorit të  Shqipërisë në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit 2015.

E ndërsa me zgjedhjet kryen punë, e rezultatin e sajuan siç e deshën ca nga ndarja territoriale, ca nga të fortët e ca nga paratë e pushtetit që janë bërë aq shumë nga korrupsioni e mbërthimi i shtetit në çdo cep të tij, dhe tani vendosën të sjellin reformën administrative, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me shërbimin ndaj qytetarit, por për këtë mazhorancë, qytetari është i fundit,  se i pari është veç pushteti i tyre.

Pushteti lokal, 6 muaj pas zgjedhjeve të qershorit, duket që e ka patur të vështirë të bëjë ndonjë punë, se për administrim lokal as që bëhet fjalë, e sot këtë situatë e njohin deputetët e mazhorancës, e njohin dhe Rama e Meta, po arroganca e pushtetit të tyre bëhet më e dukshme dhe për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie, e delirit të  kryeministrit që ka vendosur të  bëjë monolog të përditshëm live,  të nxjerrë mbrockulla nga goja, e në vend që të udhëheqë e bashkojë, përçan e plas skandale, një ditë dekoron e një ditë kërkon të falur, një ditë shan veriorët e ditën tjetër sqaron që nuk e ka me të gjithë alpinët, qep e shqep, bën e çbën …..e rezultati,…. kjo Shqipëri e pashpresë që kemi sot, e një rini me sytë nga Gjermania e Amerika.

Qëllimi duket që më së miri justifikon mjetin e këtë e dinë mirë ziliqarët e çakenjtë e këtij pushteti, ndërsa opozita ka fjalën, po ka dhe protestën, dje, sot e në ditët që vijnë, se kjo qeveri ka nis numërimin mbrapsh, prej nesh, jush të dashur qytetarë, po dhe ndërkombëtarve që kanë vendos të na flasin më shqip se shqipja që flasim ne mes nesh.

Kolegë deputetë,

diskutimi për projektiligjin nis duke patur në konsideratë që  ligji i pushtetit lokal në Shqipëri është hartuar në vitin 2000 dhe që prej 6 muajsh ndodhemi në situatën ku nga 308 njësi vendore kemi vetëm 61, ndërkohë që 247 të tjera janë sot me shërbime të cënuara e me një status të paqartë.

Gjithashtu, një çështje duhet të jetë e qartë mes nesh, ligji duhet hartuar në mënyrë të tillë që t’i rezistojë sa më gjatë kohës, sepse gjithë arnimet apo amendimet që bëhen në funksion të interesave të momentit të qeverive që ikin e vijnë nuk i shërbejnë mirëfunksionimit të pushtetit lokal, konsolidimit të praktikave të tij e shërbesës më të mirë ndaj qytetarit.

Por çfarë duhet patur mirë parasysh në këtë projektligj :

  1. Rekomandimi 349 i vitit 2013 i Kongresit të Autoriteteve lokale dhe Rajonale të KE, i cili nuk është marrë në konsideratë;
  2. Projektligji apo reforma e propozuar nuk prek nivelin e dytë të qeverisjes vendore, qarqet, për t’i orientuar ato drejt krijimit të rajoneve. Arsyeja e kësaj mangësie është e qartë,  një ndryshim i tillë do të kërkonte ndërhyrjen në Kushtetutë me votat e 2/3 së kuvendit, pra dhe me votat e opozitës. Konsensusi është një fjalë që nuk ekziston në fjalorin e kësaj qeverie dhe kjo qasje i udhëheq sa mendohet e flitet që do të shkojnë drejt shkrirjes së qarqeve dhe gjurmët e kësaj mendje të mbrapshtë gjenden tek neni 15 i projektbuxhetit të vitit 2016, ku qartazi përcaktohej që personeli i qarkut nuk duhet të kalojë 10 persona, një akt në kundërshtim flagrant me ligjin 8652 – neni 54/D, ku shprehimisht thuhet që këshilli i qarkut miraton strukturën e tij.
  3. Projektligji i hap rrugë centralizimit të pushtetit apo thënë më shqip, vënien e pushtetit lokal në thundrën e qeverisë, për aq kohë që një pjesë e funksioneve të qarkut që kanë të bëjnë me kanalet ujitëse, administrimin e pyjeve, mbrojtjen nga zjarri, etj ia kalojnë bashkive, ajo çka u mbetet të administrojnë është veç fondi i tyre i pagave;
  4. Projektligji në nenin 51.1, çvlerëson figurën e këshilltarit lokal të forcave politike, duke hequr shpërblimin modest që ata merrnin për këtë angazhim publik e politik, e kjo është jo të tallesh me ta, por më keq se kaq, të mos i marrësh  po, fare fare në konsideratë. Arrogancën e prirjen drejt pushtetit të unit, Ramës, dhe Enver Hoxha do ja kishte zili, se megjithë diktaturën që instaloi ca organizma e ca pushtete, qoftë dhe ato lokalë i la të funksiononin e madje të gëzonin të mirat që pushteti jep.

Ky zotëri, Edi Rama vazhdon të mendojë si kryebashkiak i Tiranës e Shqipërisë, për të pushteti nis dhe përfundon nga zyra e tij, kushdo tjetër kot merr frymë e punon në këtë vend.

Ky zotëri, Kryeministri shqiptarëve siç i pëlqen të thirret, harron që këshilltarët janë deputetë lokalë, vendimet e tyre ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e zonave të tyre, në mirëqënien e popullsisë që jeton aty, puna, mendja dhe angazhimi i tyre nuk matet sigurisht me aq para sa ata merrnin, por nuk mund të jetë dhe 0 lekë, se Edi Rama, Cani apo Cuçi kështu duan.

Të dashur qytetarë

Kjo qeveri e ky kryeministër tashmë kanë hyrë në vitin e tretë, e një punë të mirë nuk duket ta kenë bërë. E teksa sillet si drejtor i inspektoriatit të ndërtimit, drejtor i legalizimeve, kryebashkiak i çdo qyteti të madh e të vogël, kryeurbanist, kryepiktor dhe së fundi dhe si drejtor i gjendjes civile dhe adresave, ka vetëm një punë që nuk po din ta bëjë, atë që i dhanë 1 milion votat, të qeverisë e të çojë në prosperitet ata që e votuan.

E teksa nuk mund të mos them dy fjalë për qytetin nga vij, Durrësin, në këto dy vjet e gjysëm Rama jo vetëm që bllokoi planin urbanistik të hartuar me fonde të Bankës Botërore,  por nuk investoi një shkollë, një rrugë, nuk bëri një rikonstruksion të qenësishëm, madje nuk bëri aq sa Gjushi bëntë nën qeverisjen e demokratëve, e vetmja që ka lënë pak  gjurmë e ka bërë pak punë është ministria e kulturës.

E ndërkohë që bën krybashkiakun në cdo qytet, pushteti lokal tjetër nuk ka  çfarë i duhet, prandaj bën projektligje si ky që rreket të votojë sot, e për ta mbyll këtë diskutim shprehja i gjithë pushteti sovjetëve Ramës i duket si i gjithë pushteti për  Ramën, por ….mos harroni ora e lirisë po troket, ora e opozitës po troket, shqiptarët të gjithë bashkëdo e përmbysin këtë qeveri antishqiptarësh

Ju faleminderit


Fjalimi në Kuvend i deputetit të PD, Igli Cara, 17 Dhjetor 2015