Eksperti i ekonomisë prof. dr. Zef Preçi iu bashkua debatit të nisur nga Partia Demokratike mbi ekonominë, e cila shënon nisjen e një turi takimesh me profesionistë të fushave të ndryshme, për t’i njohur ata me programin e PD dhe për të dëgjuar propozimet e tyre.

Drejtuesi i ACER, komentoi pozitivisht propozimin e PD për taksën e sheshtë, që sipas tij i vendos bizneset në një pozitë “start-i”, duke ulur kostot e administrimit.

Ndërkohë Basha, shkruan në facebook se Programi i PD shënon një pikë kthese për ekonominë, duke ritheksuar nevojën për të rritur konkurrencën, që sipas tij prodhon mbyllje të bizneseve, varfëri dhe largim të rinisë.

Postimi i Bashës:

“Dëgjova me shumë vëmendje diskutimin e prof. dr. Zef Preçit, ekspert në fushën e ekonomisë, drejtues i ACER, organizata e parë jofitimprurëse dhe joqeveritare shqiptare. Me të bashkëndajë idenë se duhet mbështetur me të gjitha mjetet konkurrenca, e cila është motori i ekonomisë së tregut dhe viktima e parë e keqqeverisjes, duke shkaktuar mbyllje të bizneseve, varfëri dhe largimin e rinisë.

Prandaj programi i Partisë Demokratike shënon një pikë kthese për ekonominë.

Ne do t’i japim frymëmarrje sipërmarrjes përmes propozimeve tona që garantojnë mirëqeverisjen dhe taksës së sheshtë 9%, e cila ul informalitetin dhe siguron rritje ekonomike të ndjeshme për çdo familje shqiptare.

Ekonomia shqiptare meriton më shumë dhe ne po punojmë për ta arritur këtë!”

 

Fjala e Prof. dr. Zef Preçi:

“Ajo ç’ka unë shoh me interes në programin që keni shpallur, është mirë të demistifikohet, do të thotë të përkthehet për qytetarin, të përkthehet për atë që ka angazhime të tjera dhe lufton të sigurojë mjetet e domosdoshme të jetesës, të përkthehet për atë që është i lodhur nga retorika e vetëm denoncimeve, vetëm e konstatimit se sa i errët është mjedisi social ekonomik, politik e shoqëror përreth. Por të synojë që bashkë me demistifikimin e asaj çfarë premtohet të identifikohen dhe prioritete. E përmendi Selamiu, e shoh dhe unë si nevojë që jo thjesht të korrigjohet situata e sotme, por të ofrohen dhe ide. Përshembull kthimi në fushën fiskale tek taksa e sheshtë. Unë nuk mendoj se është e rëndësishme të bëhet debati 9 apo 10 sa ka qenë. Sepse ne duhet të kuptojmë që mbajtja në këmbë e shtetit bazohet në taksa, ska ndonjë mënyrë tjetër, por të synohet që të kuptohet që pse shtrohet ky problem. Unë e kam mbështetur edhe publikisht edhe kur është bërë për herë të parë eksperimenti dhe praktikisht zbatimi i taksës së shesht, sepse i vendos biznesit në të njëjtën pozitë starti, si ai që ka 20 vite në treg si ai që futet sot. Nga ana tjetër jep mundësinë për të ulur natyrshëm pa kosto për administratën fiskale evazionin. Sepse ne na ndodh që sa më shumë fraksionohen apo përshkallzohen bizneset, biznesi i vogël lind dhe vdes i vogël, i mesmi po kështu, i madhi po kështu, pra nuk ka rritje të tyre.
Viktiama e keqqeverisjes ka qenë dhe mbetet, e përmendi dhe zoti Basha, është konkurrenca në tregje. Nëse nuk mbështetet me të gjitha mjetet konkurrenca, nëse nuk shihet si motori i ekonomisë së tregut, i kapitalizmit që ëndërrojmë të funksionojmë më mirë, është e vështirë të mendohet që do dekurajohet braktisja e vendit dhe Shqipëria do shndërohet në atdheun e përbashkët të atyre që janë sot këtu dhe atyre që kanë marrë rrugët e botës.” Tha ndër të tjera Preçi.