Zoti Kryetar,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Seanca e sotme është një seancë e vecantë. Ajo është e vecantë, sepse ka një rend dite që prek drejtpërdrejt cdo qytetar të vendit, cdo të re e të ri, cdo fëmijë, cdo nxënës dhe student, cdo prind, cdo familje, cdo pensionist, pra gjithë qytetarët e vendit. Rendi i ditës përmban projektligjin e buxhetit dhe gjithë paketën e ligjeve fiskale që e shoqërojnë atë. Në rend dite kemi edhe ndryshimet në ligjin e vetqeverisjes vendore.

Por seanca e sotme është e vecantë, sepse mijëra qytetarë po protesojnë përpara sallës së Parlamentit, jo vetëm kundër këtij buxheti të thellimit të krizës, por edhe kundër keqqeverisjes së kësaj maxhorance. Qytetarët që po protestojnë tani gati përditë, në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, po i thonë troc kësaj qeverie: vendin e ke cuar ne krizë të gjithanshme.

Po qëndroj tek projektligji që lidhet me vetqeverisjen vendore.

Cështja shtrohet, për cilën vetqeverisje vendore bën fjalë ky projektligj? Nga buron pushteti i tanishëm vendor? A është ai një pushtet i rrjedhur nga vota e lirë? A garanton pushteti aktual vendor pjesëmarrjen e vërtetë të qytetarëve në vetqeverisjen lokale?

Bashkëkryetarët e kësaj maxhorance mburren, kudo që flasin, se kanë bërë një reformë „të madhe“, „historike“, që emërtohet quasi reforma administrative – territoriale, e cila në fakt është, as më pak dhe as më shumë, një hartë e mirëfilltë elektorale territoriale. Si e tillë, ajo ka shkaktuar pasoja të rënda dhe afatgjatë, jo thjesht për hartën, apo numrin e njësive vendore, por për demokracinë shqiptare në tërësi. Këto pasoja sapo kanë filluar të shfaqen.

Partia Demokratike e deklaroi, që në momentin e diskutimit të reformës administrative-territoriale,  se kjo ndarje e re administrative nuk mund të jetë e qendrueshme dhe afatgjatë, sepse ajo është një hartë thjesht elektorale, e mirëkalkuluar nga maxhoranca për të marrë kontrollin e plotë të qeverisjes vendore në gjithë vendin. Projektligji që po diskutojmë sot vërteton më së miri synimin e qeverisë Rama për të vënë qeverisjen vendore tërësisht nën kontrollin direkt të qeverisë qendrore, në shkelje të plotë të Kartës Europiane për Autonominë Vendore.

Dhe rezultatet e zgjedhjeve të 21 qershorit vërtetuan absurditetin e kësaj të ashtuquajture reforme territoriale. Opozita fiton 15 bashki edhe pse ka grumbulluar në shkallë vendi 671.313 vota (ose 42.7 % te numrit total të votave), ndërsa maxhoranca fiton 45 bashki edhe pse ka grumbulluar 840.122 vota (ose vetëm 53.4 % të votave) në shkallë vendi. Nuk mund të pritej një raport tjetër, kur një Qark shumë i vogël në Jug të vendit ka 7 bashki dhe Qarku i Tiranës që ka 1/3 e popullsisë së vendit ka vetëm 5 bashki!

Ky kalkulim i pastër elektoral ishte qëllimi i juaj i vërtetë si maxhorancë në projektimin e ndarjes administrative. Me këtë kalkulim është nënvlerësuar dukshëm pesha e votës në zonat me shumicë të djathtë dhe është mbivlerësuar ajo në zonat me shumicë të majtë. Kjo ka bërë që sot të kemi këtë rezultat kaq diskriminiues për të djathtën në qeverisjen vendore. Madje, vetë Kryeministri u mburr se maxhorancës i është besuar të qeveris bashkitë e mbi rreth 80 % të popullsisë së vendit!

Sot, ju si maxhorancë, ju nuk mund të mburreni me këtë diskriminim ekstrem negativ të demokratëve të Shqipërisë. A mund të pranohet një fenomen i tillë në një vend që ka vendosur pluralizmin prej 25 vitesh? A mund të konsiderohet kjo barazi e qytetarëve të vendit për të marrë pjesë në vetqeverisjen vendore, në raport me votën e tyre reale që kanë dhënë, kur një votë ka peshë kaq të ndryshme në Gjirokastër nga një votë në Qarkun e Tiranës apo në atë të Shkodrës?!

Kjo hartë elektoralo – administrative ka cënuar rëndë të drejtën themelore kushtetuese të qytetarëve, të sanksionuar në  Kushtetutën tonë, atë të pjesëmarrjes në vetqeverisjen vendore. Ose e thënë më qartë: Ju keni përjashtuar një pjesë të madhe të votuesve të opozitës nga cdo mundësi për të marrë pjesë në vetqeverisjen vendore. Ky është një rrezik i vërtetë për të ardhmen e demokracisë shqiptare! Shihni pjesëmarrjen e opozitës në qarqet aktuale, ku në disa prej tyre nuk ka asnjë përfaqësues të pakicës!  Dhe ky projektligj, që diskutojmë sot, nuk e përmirëson këtë raport, përkundrazi e përkeqëson atë. Me këtë ligj opozita përjashtohet nga pjesëmarrja në organet vendimmarrëse në qark, sepse këshilli i qarkut nuk konstituohet sipas përqindjeve të këshillave bashkiake, por vetëm me këshilltarë të një force apo koalicioni të shumicës, cka bie ndesh me Kushtetutën (neni 110, pika 3). Ndërkohë, ky projektligj gati e shuan qarkun si një nivel të qeverisjes vendore, cka deformon tërësisht hierakinë e qeverisjes vendore në nivelin rajonal.

Si harta territoriale ashtu edhe ky ligj për funksionimin e qeverisjes vendore nuk realizojnë standardet europiane të decentralizimit. Dhe pse? Sepse Qeveria kërkon ta vë nën kontroll të plotë pushtetin vendor dhe jo të zhvilloj një decentralizim të vërtëtë të qeverisjes, për të mos folur pastaj për shkeljen e parimit të funksionimit të qeverisjes vendore, atë të subsidaritetit.

Reforma territoriale ka shkaktuar, në fakt, një anarki totale në qeverisjen vendore. Bashkitë e reja janë tërësisht të papërgatitura për të qeverisur gjithë territorin që mbulojnë. Kkëtu e kam fjalën kryesisht për ish komunat. Kjo ka bërë që të goditen rëndë shërbimet për qytetarin, ndërkohë që shërbimi për qytetarin përbën parimin bazë të Kartës së Autonomisë Vendore. Sot komunat janë thuasje në mëshirë të fatit. Dhe pse? Sepse ajo pseudoreformë u bë me arrogancë dhe diktat nga lart, jo vetëm pa përfshirë dhe pa dëgjuar realisht komunitetet locale, por edhe edhe pa asnjë lloj përgatitje për këtë zgjerim kaq të madh të territoreve që mbulojnë bashkitë e reja.

Bashkitë janë krejtësisht të paqartë dhe të papërgatitur për të administruar bashkitë e reja. Pra, ato nuk mund të manaxhojnë funksione normale, dhe jo më të jenë në gjendje të përmbushin funksionet e reja që parashikohet t‘u transferohen atyre.

U bë ndarja e re administrative, u rrit madhësia e bashkive, ndërkohë që asnjë punë përgatitore, absolutisht asnjë, nuk u bë për trajnimin e nëpunësve për bashkitë e reja. Pra, bashkitë e reja nuk kanë as kapacitetet njërëzore të mjaftueshme, në numra dhe në aftësim professional, për të përmbushur misionin dhe funksionet e bashkive të reja shumë më të mëdha.

Cfarë po bëjnë tani bashkitë e reja me nëpunësit dhe punonjësit e ndërmarrjeve në varësi? Po heqin profesionistët për bindje politike të djathta dhe po i zevendësojnë me militantë.

Ligji i buxhetit tregon qartë se e gjithë propaganda e qeverisë që do të kursente fonde (80 milion USD) nga krijimi i bashkive të mëdha dhe këto fonde do t‘i transferoheshin bashkive përmes transfertës së pakushtëzuar të pushtetit vendor. Në fakt kjo nuk ka ndodhur në buxhetin e vitit 2016.

Buxheti i vitit 2016 përcakton disa funksione që do të transferohen nga qeveria tek bashkitë. Por duke qenë bashkitë kaq të papërgatitur, sidomos me kapacitete njërëzore të kualifikuara, nuk ka asnjë siguri se ato do të jenë në gjendje të përmbushin funksionet e reja. Ku janë të përgatitura bashkitë për të manaxhuar arsimin parashkollor, këtë nivel bazë por shumë të rëndësishëm për gjithë sistemin e arsimit parauniversitar. Unë uroj që kjo kompetencë të mos katandisen thjesht në zëvednësimin e personelit të kopshteve, edukatoreve dhe personelit ndihmës, nga ana e bashkive. Po për manaxhimin e ujitjes dhe kullimit ku i kanë kapacitetet njërëzore bashkitë e reja? Po për mbrojtjen nga zjarri? E kështu me radhë.

Skema e buxhetimit të pushtetit vendor në ligjin e buxhetit 2016 nuk krijon asnjë siguri për një shpërndarje transparente të buxhetit për funksionet që transferohen. Ligji i buxhetit 2016 thotë që qeveria do t’i transferoj fonde bashkive për funksionet e reja. Dhe i vetmi kufizim është që sasia e këtyre fondeve nuk mund të jetë më shumë se 50% e transfertës së pakushtëzuar. Vetëm me këtë kufizim nuk krijohet asnjë siguri që qeveria nuk do të favorizoj bashkitë e veta dhe të diskriminoj bashkitë e fituara nga PD.

Edhe skema e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve ka hapësirë të madhe për një fianancim selektiv të bashkive sipas forcave politike që drejtojnë bashkitë respective, si dhe favorizim të klientelës.

Dhe po vi tek pyetja që shtrove pak më lart. Cili është burimi i qeverisjes së sotme të pushtetit lokal?

Juve nuk u mjaftoi harta tërësisht elektorale. Të etur për të sunduar një gjithë territorin, për të fituar sa më shumë bashki, ju përdoret gjërësisht mjete dhe metoda që shkatëruan institucionin themelor të një sitemi demokratik – VOTËN e lirë.

Nuk u mjaftuat me presionin e madh mbi cdo të punësuar në sektorin publik.

Por këtë radhë Ju i fituat bashkitë edhe përmes blerjes së votës. Ky fenomen u shfaq edhe në zgjedhjet e vitit 2013, u shfaq hapur në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Korcë dhe u bë masiv në zgjedhjet e këtij viti për pushtetin vendor. Për herë të parë edhe raporti i OSBE-ODëHIR u detyrua ta pasqyroj këtë fenomen, ndërkohë që Shqipëria ka statusin e vendit kandidat të BE. Këtë dukuri e pasqyron edhe Progresraporti i Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave të Europës.

Sot jemi 25 vjet pas fillimit të Lëvizjes Studentore për rrëzimin e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Studentët, intelektualët dhe qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë u cuan në këmbë në 8 dhjetor 1990 me kërkesën “Liri, demokraci”, “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Dhe ja ku jemi sot: Shqipëria nuk ka të sigurtë themelin e Lirisë dhe Demokracisë: VOTËN E LIRË!

A mund të ketë Liri të vërtetë kur vota e lirë nuk është e sigurtë?

A mund të ketë demokraci funksionale kur vota e lirë nuk është e sigurtë?

A ka pluralizëm të vërtetë kur vota e lirë nuk është e sigurtë?

A mund të ketë qeverisje qendrore apo vendore që janë zgjedhur mbi bazën e votës së cënuar, të blerë apo të shitur?

A mund të ketë Parlament kur nuk ështe e sigurtë vota e lirë mbi bazën e sëcilës zgjidhen deputetetët ?

Shkatërrimi i votës së lirë në zgjedhjet e këtij viti, përkeqësimi galopant i jetesës së qytetarëve nga varfëria dhe papunësia, kriza e thellë ku e keni zhytur vendin ju si qeveri, kanë bërë që qytetarët të ngrihen dhe të kërkojnë një zgjidhje për këtë krizë. Ata po protesojnë dhe po ju kërkojnë juve si qeveri të largoheni sa më parë dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Por, qytetarët nuk i besojnë kësaj qeverie garantimin e votës së lirë. Prandaj, qytetarët kërkojnë krijimin e një qeverie teknike që e con vendin në zgjedhje të parakohshme, ku ata të vendosin, me votën e tyre të lirë, për të ardhmen e tyre.


Fjalimi në Kuvend i deputetit të PD, Myqerem tafaj, 17 Dhjetor 2015