Të nderuar bashkëqytetarë
Dua të përshëndes sot kalimin e paketës së Dekriminalizimit, pra ligjin për dekriminalizimin dhe amendamentet shoqëruese të Kushtetutës të kaluara me konsensus unanim dje në Parlamentin e Shqipërisë.
Dekriminalizimi është një arritje e madhe për vendin, për qytetarët shqiptar.
Vlera më e madhe e këtij parimi është se arriti të sanksionohet, doli në krye, u kthye në ligj e normë të detyrueshme për zbatim, si një ide që lindi nga opozita në pakicë në parlament, si një ide që i mbijetoi të gjithë luftës së ashpër dhe pa parim kundër saj, të gjithë intrigave dhe makinacioneve të Edi Ramës.
Triumfoi si një ide që u rrit, u zmadhua, u bë e madhe nga mbështetja juaj, nga mbështetja popullore e mbështetja e partnerëve të çmuar amerikanë dhe europianë, aq sa para saj u dorëzua në fund shumica që polli e përhapi pikërisht inkriminimin, shtratin kryesor nga ku u ngjiz kjo keqeverisja e sotme.
Kjo ide e madhe e pastrimit të politikës nga trafikantët, banditët, vrarësit, të dënuarit për vepra të rënda penale, është sot një paketë e plotë ligjore me efekt të menjëhershëm.
Votimi dje me unanimitet në parlament do të mbahet mend si dita që e mira fitoi mbi të keqen.
Dua ta përshëndes këtë arritje, dhe dua të falenderoj sot bashkëpunëtorët e mi që punuan papushim, të falenderoj partnerët ndërkombëtarë, Presidentin e PPE Joseph Daul dhe Presidentin e Parlamentit Europian Martin Schultz, eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorin Donald Lu pa ndihmën e të cilëve sigurisht nuk do të kishim arritur deri këtu.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj qytetarëve shqiptarë, gazetarëve, analistëve, medias së lirë për mbështetjen që na dhanë duke besuar në drejtësinë dhe domosdoshmërinë e kauzës tonë kombëtare të dekriminalizimit.
Garantoj sot çdo qytetar, se paketa e dekriminalizimit, do të zbatohet pikë për pikë nga unë nga Partia Demokratike në çdo hap, me funksionarët e të zgjedhurit tanë.
Ky është një vullnet i padiskutueshëm, vullnet që e kemi provuar me shembuj konkret dhe në zgjedhjet e fundit lokale.
Për fat të keq, ka shenja të qarta se Edi Rama as nuk ka ndërmend të bëjë të njëjtën gjë.
Ndaj u bëj sot thirrje edhe socialistëve të ndershëm, të mos lejojnë që ata që paketa e dekriminalizimit i nxjerr si skarcitete jashtë qeverisjes, parlamentit dhe pushtetit vendor, të diktojnë e të bëjnë ligjin në familjen e tyre politike, sipas skemës që po zbaton sot Edi Rama.
Edhe sot që flasim, kjo skemë është në funksion.
Persona të dënuar, me precedentë të tmerrshëm kriminalë, diktojnë ose kanë marrë në dorë Partinë Socialiste në Lezhë, në Shkodër e Malësi të Madhe, në Krujë, Fushë-Krujë e Kurbin, në Has, Fushë-Arrëz, Pukë e Mirditë, në Kavajë, Lushnjë, Divjakë, Tepelenë e Këlcyrë. Dhe me gjasë, këtë Edi Rama ka ndërmend ta shtrijë në gjithë vendin.
Kjo dëshmon se ai nuk ndahet dot nga krimi, se pakti me krimin vazhdon.
Inkriminimi i Partisë, është njësoj i dëmshëm. Promovimi i banditëve, vrasësve e trafikantëve në parti, është garanci se ai stan atë bulmet do të nxjerrë.
Kjo sigurisht është metoda e Edi Ramës, kalkulimi i tij për zgjedhjet e ardhshme. Eshtë e qartë se me keqeverisjen e tij të mashtrimeve dhe dështimeve, me korrupsionin galopant në çdo nivel, me hajdutërinë e pafre, me kërbaçin e arbitraritetin, ai nuk garon dot, nuk përballet dot me kundërshtarin. Nuk ka as ide, as parime, as alternativë, as zgjidhje për ta shpëtuar vendin, pasi është në fakt vetë varrmihësi i tyre.
Të vetmen shpresë që ka, është se me banditët dhe kriminelët që ka strehuar e po transferon tashmë në parti, pasi ligji për dekriminalizimin i ka skarcuar e i nxjerr automatikisht jashtë qeverisjes, të vazhdojë të godasë votën e lirë, të kapë, dhunojë e manipulojë zgjedhjet.
Por ne, Partia Demokratike dhe qytetarët, nuk do ta lejojmë.
Beteja për votën e lirë është beteja tjetër e madhe e Partisë Demokratike, e shoqërisë, e mbarë vendit dhe e gjithë shqiptarëve. Ne do t’i prijmë kësaj beteje.
Sepse vetëm me votën e lirë nesër, do të shërohen të gjitha plagët që Edi Rama i ka shkaktuar vendit dhe qytetarëve.
Ndaj dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës e më tej që ju bashkuan dje protestës para parlamentit. Protestat dhe mosbindja civile do të shtrihen në mbarë vendin.
Beteja për votën e lirë, për zgjedhjet e lira si zgjidhja e krizës së gjithanshme që ka mbërthyer Shqipërinë nuk do të ndalet.
Deklarata për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 18 Dhjetor 2015