Anëtari i Kryesisë së Demokratëve Euroatlantikë, Myzafer Elezi, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Tropojës, ku një person u vra dhe një tjetër u plagos. Me anë të një postimi në facebook, Elezi shprehet se kjo ngjarje ndodh në mes të sezonit turistik kur qyteti duhet të jetë një vend i sigurtë dhe mikpritës për të gjithë.

Sipas tij, është e qartë që qeveria aktuale ka dështuar në mënyrë të përsëritur në detyrën e saj kryesore, të vendosjes së rendit dhe sigurisë publike për qytetarët.

Si ekspertë sigurie, Elezi më tej i kërkon qeverisë përforcim të patrullave policore sidomos në zonat turistike, hetimin e paanshëm të aktit kriminal, rritjen e burimeve dhe trajnimet për forcat e rendit , si dhe transparencë nga ana e qeverisë për çdo hap që ndërmerr në luftën kundër krimit.

Reagimi i plotë i Myzafer Elezit:

 

Të nderuar qytetarë,

Sot, Tropoja është tronditur nga një akt i tmerrshëm dhune ku një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur. Kjo ngjarje tragjike ndodh në mes të sezonit turistik, kur qyteti duhet të jetë një vend i sigurt dhe mikpritës për të gjithë. Kjo ngjarje tragjike është vetëm një nga shumë raste të krimeve të rënda që kanë tronditur vendin tonë kohët e fundit.
Është e qartë se qeveria aktuale ka dështuar në mënyrë të përsëritur në detyrën e saj kryesore: të vendosjes së rendit dhe sigurisë publike për qytetarët e Shqipërisë. Paaftësia për të kontrolluar situatën e krimit dhe për të mbrojtur jetën e njerëzve është e papranueshme dhe tregon një mungesë të theksuar lidershipi dhe përgjegjshmërie.
Qytetarët e Tropojës dhe turistët që vizitojnë vendin tonë meritojnë më shumë. Meritojnë të ndihen të sigurt në rrugë, në shtëpitë, në mjediset pubkile dhe gjatë pushimeve të tyre. Është koha që qeveria të marrë përgjegjësi për këtë situatë të papranueshme dhe të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe efektive për të rikthyer rendin dhe sigurinë në qytetin tonë.
Në emër të Partisë Demakratike – Demakratët euroatlantikë, kërkoj nga qeveria:
* Përforcimin e patrullave policore dhe praninë e tyre të shtuar në zonat turistike dhe të ndjeshme ndaj krimit.
* Hetime të plota dhe të paanshme për këtë akt kriminal dhe të gjitha aktet e tjera të dhunës, duke siguruar që fajtorët të nxirren para drejtësisë, në mënyrë që të marrin dënimin që meritojnë.
* Rritjen e burimeve dhe trajnimet për forcat e rendit për të përballuar më mirë situatat e kriminalitetit në vend.
* Transparencë dhe llogaridhënie nga ana e qeverisë për çdo hap që ndërmerr në luftën kundër krimit.
Siguria e qytetarëve shqiptarë dhe e turistëve të huaj është e panegociueshme. Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin deri sa të shohim një ndryshim real dhe të qëndrueshëm.
Koha për fjalë boshe ka mbaruar. Kërkojmë veprime të qarta dhe të vendosura nga qeveria tani.
Me respekt
Myzafer ELEZI