Lulzim Basha, kreu i demokratëve euroatlantikë, ka komentuar zhvillimet e fundit politike duke shpalosur atë që sipas tij do të shtrohet si zgjidhje përpara shqiptarëve në fushatën e ardhshme.

Gjatë një bisede me të reja dhe të rinj, Basha deklaroi se asgjë nuk e bashkon me kastën e vjetër, duke shtuar se Rama dhe Berisha duan të vazhdojnë “tangon edhe për 4 vite të tjera”, në një marrëveshje mes palëve, ku kryeministri mban pushtetin dhe ish-kryeministri monopolin mbi opozitën.

Sipas Bashës vendit i duhet një alternativë ndryshe nga ajo e ofruar na Rama dhe Berisha.

Fjala e Lulzim Bashës:

Me këtë kastë të vjetër nuk na bashkon asgjë. Nuk na ka bashkuar edhe kur kemi qenë bashkë, përkundrazi, kjo është ajo që na ka ndarë kulturalisht, shpesh herë edhe politikisht, dhe sot përballja është më e qartë se kurrë. Thënë shkurt dhe prerë, kryeministri dhe ish-kryeministri duan të vazhdojnë tangon dhe 4 vjet të tjera. Qartësisht pjesë e pazarit është që Rama të ruan pushtetin, ish-kryeministri ruan monopolin mbi teatrin opozitar, dhe në kuadër të këtij teatri bëhen gati t’i servirin shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme pyetjen: Kush është më pak i korruptuar, Edi Rama apo Sali Berisha?
A është kjo pyetja që zgjidh hallet e shqiptarëve?
As njëri dhe as tjetri nuk janë zgjidhje për shqiptarët.
Pyetja për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme do të jetë: A do të vazhdojmë dhe 4 vjet të tjera, e të shtrojmë rrugën për 30 vite të tjera, me dyshen e vjetër, që ka 34 vjet në politik dhe në pushtet?
Apo do të hapim një rrugë të re, një kulturë të re, një të ardhme të re për Shqipërinë?
Kjo është përballja, ku jemi përballë Edi Ramës, kryeministrit të qeverisë më të korruptuar, por dhe përballë Sali Berishës, që është aseti i vetëm i Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme.