Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka prezantuar ofertën e forcës së tij politike për rininë shqiptare.
NextGen është pjesë e programit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme, i cili parashikon trajnime dhe praktikë punë të paguar 1 vjeçare për të marrë një profesion per 10 mijë të rinj pas shkollës së mesme, për ata që nuk vazhdojne universitetin, por edhe për student të sapo diplomuar, si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e programit parashikon ngritjen e 4 Kampuseve kombëtare, ku do të trajnohen 25 mijë te rinj në fusha prioritare të teknologjisë së informacionit dhe programimit, duke i dhënë hov një ekonomie të re për brezin e ri, që sipas Bashës kanë qenë eksporti më i madh i qeverisë Rama.
“Eksporti më i madh i Edi Ramës është rinia shqiptare. Me programin e demokratëve euroatlantikë, do nxisim një ekonomi të re për brezat e rinj. Një urë lidhëse midis botës së punës dhe arsimit, ku asnjë i ri dhe e re nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike. Ky është plani ynë NextGen për rininë shqiptare, e cila meriton më shumë”- shkruan Basha.
Në videon e shpërndarë nga kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Basha shprehet se asnjë i ri dhe e re shqiptare nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike.
“Një komb që nuk garanton rininë vdes. Kombi shqiptar do të përparojë e do të zhvillohet përmes zhvillimit dhe përparimit të rinisë shqiptare. Asnjë i ri dhe e re shqiptare nuk do të mbetet pa studiuar, për shkak të pamundësive ekonomike të familjes së tij, apo të saj. 10 000 të rinj do të përfitojnë stazhe me pagesë pas përfundimit të shkollës së lartë, si një urë mes shkollës dhe tregut të punës. Angazhimi ynë është që rinia shqiptare të ketë të drejtën dhe mundësinë të arsimohet të marrë profesione konkurruese në një treg të zhvilluar dhe të garantojë një jetë të mirë për veten e tyre, familjet e tyre dhe mbarë shoqërinë” – u shpreh Basha.