Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në tryezën e zhvilluar me partitë politike dhe këshilltarët bashkiakë të forcave të Harkut Opozitar Euroatlantikë, është shprehur se qeveria teknike mes Ramës dhe Berishës është funksionale. Kjo sipas Bashës, shihet te Rama dhe Veliaj që nuk marrin vendime pa u konsultuar me Sali Berishën.
Ai gjithashtu pati kritika për deputetët e PD që i shkojnë nga pas marrëveshjeve të Ramës dhe Berishës, të cilët sipas tij e shohin në optikën e interesave personale, kundër qytetarëve dhe demokratëve shqiptarë.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Nga i pari Sali Berisha, tek i fundit kanë futur kokën poshtë tavolinës. Njëri bën sikur nuk e sheh atë që nesër bëhen gati ta votojnë bashkërisht dhe dërdëllit akoma përralla për qeveri teknike, kur në fakt qeverinë teknike e ka formuar. Se mesa duket as Edi Rama, as Erion Veliaj nuk marrin vendime pa u konsultuar me Sali Berishën. E kam fjalën për vendimet e rëndësishme, aty ku ndahen fatet e demokracisë. Por po kështu dhe aty ku ndahet paraja publike dhe lejet e ndërtimit. Prrallisin për pamundësi të reformës zgjedhore, askush nuk i del për zot pazarit të mbrëmshëm. Mundohen ta shtynë tek njëri-tjetri për t’ia lënë njëri-tjetrit në derë. Por në fakt kjo nuk bën gjë tjetër veçse i demaskon si të vetëdijshëm për krimin që po bëhen gati të kryejnë për interesat e tyre meskine personale, kundër qytetarëve shqiptarë, kundër opozitarëve shqiptarë, kundër demokratëve shqiptarë.
Të gjithë betejën pra nuk e kanë pasur për parime, këtë e denim fare mirë. Madje nuk e kanë pasur as për bindje apo luajalitete personale politike siç deklaronin në filimi dhe pastaj rradhë rradhë siç shkuan si “cjapi tek Sali Berisha”. E kanë pasur për të siguruar një vend për veten e tyre. Natyrisht, kurr rri e mendoj këtë, edhe mua më kap turpi, siç edhe duhet të më kap për këta paçavure, për këta karikatura që u dhamë mandatin e deputetit. Për çfarë? Që të lironin të korruptuarit e Edi Ramës, që të shkatërronin shanset për t’iu imponuar Edi Ramës të paktën për aq sa dikton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për t’i dhënë shqiptarëve votimin preferencial, apo siç njihet ndryshe, listën e hapur që vetë qytetarët të zgjedhin se kë do të dërgojnë në Parlament dhe kush do t’i përfaqësojë.