Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në foltoren e Kuvendit pas votimit për mbylljen e listave nga deputetët e Ramës dhe Berishë, u shpreh se konkubinat votuan pazarin e kryeministrit më të korruptuar në Europë dhe ish-kryeministrit të sankaioniar për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Sipas tij, ky është një pazar kundër SPAK, një pazar kundër Shqipërisë.
Basha tha se ata janë bashkë, sepse pa njëri-tjetrin nuk qëndrojnë dot në këmbë, ndërsa tani që perdja e revolucionit ra, pazari doli në shesh. Ai u bëri thirrje qytetarëve që pazarin ta ndëshkojnë me votë, e t’i japim vendit ndryshimin që meriton!
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE – DEMOKRATËT EUROATLANTIKË, LULZIM BASHA, NË KUVEND
Zonja kryetare më lejoni ta nis dhe unë fjalën time duke ju ofruar urimet më të mira për shëndetin tuaj dhe familjen tuaj. Të nderuar bashkëqytetarë, edhe amendamenti që ju kam paraqitur ka të njëjtin qëndrim si amendamenti i sapo hedhur poshtë i paraqitur nga një grup deputetësh dhe i prezantuar nga zoti Mediu. Me pak fjalë, amendamenti mundëson që forcat politike që kështu dëshirojnë të garojnë me lista 100% të hapura siç është aktualisht edhe për pak minuta ligji dhe Kushetetuta me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por, më është thjeshtuar goxha puna nga sjellja që sapo pamë e kartonave në këtë sallë. Sepse siç ju thashë paradite, pazari është mbyllur jo sot. Pazari është mbyllur më 12 shtator të vitit 2021 dhe ka përthithur brenda vetes pazari i Edi Ramës me Sali Berishën, një nga një shumicën dërrmuese të deputetëve në këtë sallë. Për të gjitha padiskutim, edhe për kullat, edhe për oligarkët, edhe për mediat. Megjithatë unë nuk e bëj këtë për asnjë motiv personal. Shifrat flasin vetë, ndaj nuk e bëj sigurisht as për fatin tuaj personal, edhe pse një pjesë prej jush, apo më mirë të themi për një pjesë prej jush kjo do të thotë se do t’ia fusni vetes e do ta hani keq. Dhe për shumëkënd e keni merituar. Por në lojë është diçka më e madhe. Me këtë që po bëni sot po çimentoni pushtetin personal të një njeriu të vetëm, s’ka rëndësi se si quhet, quhet Edi Rama. Po çimentoni pushtetin e tij personal në bashkëpunim dhe me ndihmën e Sali Berishës jeni nisur t’i dhuroni mandatin e katërt. Dhe së dyti po tregoni që skeni mësuar asgjë, ose që sdoni të mësoni asgjë. Ju kam paralajmëruar nga kjo foltore mos votoni amnistinë, të mos i besoni sharlatanëve uriahip dhe se po ju gënjejnë kur ju thonin që nuk do të liroheshin të korruptuarit e Edi Ramës. Shkuat dhe e votuat. Liruat, siç ju tha Dumani 117 të korruptuar të Edi Ramës me votat tuaja. Mbajtët për turpin tuaj dhe mbani në ndjekje penale protestuesit e Partisë Demokratike. Pra, u bëtë një me Ramën, më keq. Se ai ka të korruptuarit e tij të paktën, po ju pse i bashkuat votat me të. Ca prej jush thanë se nuk e dinim, votuam se nuk e dinim, tani nuk ka më justifikim. Nuk ka më nuk e dija, ndaj ky është shansi i fundit që mos ta votoni këtë rrënim, këtë gërrmadhë, këtë qelb me shpresën se do të çukisni diçka nga ju. Ky është me të vërtetë dhe prej ca kohësh fundi i Republikës. Është fillimi i një nate të zezë ku politika ndalon së qenuri një instrument për të ndryshuar gjërat për mirë dhe kthehet në një zgjedhë në duart e kryeministrit dhe ish kryeministrit, të oligarkëve të tyre të përbashkët, të bandave të tyre kriminale. Dhe ju ktheheni në konkubina të tyre, pra qenie të marra rob që paguheni për shërbimet tuaja. Me çfarë fytyre do t’i dilni përpara demokratëve që iu premtuat që për 6 muaj do të hidhnit poshtë Edi Ramën? Por doni ta mbani dhe katër vite të tjera vetëm për të siguruar vendin tuaj. Ju mund ta keni dorëzuar prej kohësh çdo nocion të moralitetit politik dhe njerëzor dhe ta keni pranuar prej kohësh rolin prej konkubine. Por nuk është e drejta juaj të jepni fund me një të rënë të lapsit nocionit minimal të demokracisë në këtë Republikë dhe as nuk do ta jepni dot. Shikoni, ky popull ka parë shumë, populli më i vuajtur i Europës, është përplasur shumë dhe prap është në këmbë. Unë nuk jam duke u lutur ju, s’ju lus. Unë po ju paralajmëroj mos votoni për mbylljen e listave. Mos mendoni se ju do të jeni përjashtimi nga ata që përplasen me popullin e vet dhe qëndroni ju në këmbë, e bëhet populli pluhur. Mos mendoni se do t’i mbijetoni këtij teatri të shëmtuar, dita do të vijë, do të merrni atë që meritoni, populli prap do të qëndrojë në këmbë, ju do të bëheni pluhur.