Kjo është seanca e fundit për këtë vit dhe përpara se viti i ri të hyjë duhet të bëjmë dhe ne një bilanc të asaj çfarë përcolli kjo aulë dhe mbi të gjitha qeveria. Gjykoj që jo vetëm për ne, por mbi të gjitha për të gjithë ato shqiptarë që ishin në 8 dhjetor në shesh duhet të themi diçka në këtë vigjilje të vitit të tretë të Aleancës së shumë të mirave dhe vitin e dytë të rilindjes së vendit!

Për të shpresuar mbi të gjitha se do të ketë ende njerëz në këtë mazhorancë që do të lënë tej, dashurinë e verbër dhe t’i vijnë në ndihmë një vendi që po lëngon nga mungesa e demokracisë, drejtësisë dhe së fundi ekonomisë.

Si pasojë e këtyre të trejave, sot gjendemi përballë këtij kaosi që thellohet akoma më shumë nga indiferenca dhe kokëfortësia qeveritare që të vendosur në llogoret e tyre këmbëngulin për një botë imagjinare. Që veç ato e shohin dhe e jetojnë.

Nuk mund të nisim një vit të ri, me të njëjtat simptoma problematike për demokracinë, siç po mbyllim këtë vit.

Qeveria e reformave të mëdha ka aprovuar në këtë kuvend dy prej reformave që mbysin demokracinë dhe mundësinë e zhvillimit të saj. Ka aprovuar në mënyrë të njëanshme një reformë territoriale që është në fund të fundit një reformë elektorale, që nisi dhe bitisi si një lojë letrash ku kryeministri de juro dhe ai de facto të ndanin zonat e tyre të influencës.

Ka aprovuar po në mënyrë të njëanshme dhe po aq antikushtetuese edhe reformën në arsimin e lartë që nuk prodhon vetëm se mjerim në fushën akademike dhe një demokraci të cunguar universitare. Duke i kthyer universitetet në laboratore që kjo mazhorancë të elaborojë mendimet dhe qëndrimet e saj.

Në përfundim të këtyre reformave sot vendi gjendet përballë disa të emëruarve politikë, që jo rrallë janë edhe persona me precendentë penalë. Ndërkohë që fakultetet publike gjenden përballë rrezikut të mbylljes sepse shteti ka vendosur që arsimin publik t’ia japë me koncension privatit.

Këto janë arsye që ne nuk mund të nisim vitin e ri parlamentar me një papërgjegjshmëri të prodhuar nga një qeveri llogoreje që për asnjë moment nuk pranoi jo vetëm qëndrimin e opozitës, të cilën tanimë e dimë që e ka damkosur si të prapambetur, por as qëndrimin e vetë qytetarëve madje as realitetin që jo pak herë i është përplasur në fytyrë.

Përpjekja e saj për të kërkuar justifikimin tek Saliu, është kthyer tanimë në një alibi që as tuajët nuk e besojnë më.

E përse duhet ta besojnë këtë alibi kur kriminelët për të cilët votuam një ligj vetëm katër ditë më parë, erdhën në këtë kuvend prej kësaj mazhorance në 23 qershor të Erës Meta-Rama? Përse duhet të besojnë shqiptarët tek një mazhorancë që i vuri mbi krye të qyteteve disa kriminelë të tjerë, pasi kishte krijuar një hartë elektorale sipas orekseve të saj?

Prandaj shumë sot nuk i blejnë më demagogjitë e propagandës së përditshme e po shohin se sa e vërtetë është devotshmëria juaj për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, për të bërë shtet. Sot shumë po e kuptojnë se këtij shteti i vjen era tender, koncesion, pabarazi e kështu me rradhë! Se ky shtet që gjuan të dobëtin e mbron të fortin, nuk është shteti që ne duam sot! E nuk besoj se ka të djathtë a të majtë që të më kundërshtojë në këtë!

Përditë e më shumë, gjatë këtij viti, shqiptarët e kanë kuptuar se sa besnik i keni qëndruar ideologjisë “të vjedhim me stil”.

Përditë e më shumë, e kanë të qartë se si prokurimet publike i shkojnë deputetëve të mazhorancës që kanë shërbyer me meritokraci në debatin e përbaltjes së kundërshtarit në kuvend.

Përditë e më shumë, ata e kanë kuptuar se sa idealistë janë ministrat e sotshëm që kanë hequr dorë nga kompani që u bënë miliardere pas qershorit 2013.

Por ndonëse jua justifikojnë gjithë këtë idealizëm në emër të të bërit shtet ato e kuptojnë që nuk mund të vazhdohet kështu.

Nuk mund të vazhdohet me një qeverisje të papërgjegjshme që ka prodhuar 700 mln euro dëme në buxhetin e shtetit.

Nuk mund të vazhdohet me një qeverisje të ngarkuar në plotësimin e dëshirave të bizneseve pranë oborrit ndërkohë që qytetarëve të thjeshtë u shtrëngon lakun në fyt!

Nuk mund të vazhdohet me të njëjtat politika të papërgjegjshme dhe aspak vizionare të një mazhorance që flet në tymnajë mbi atë çfarë pret.

Ka folur sa e sa herë këtu Ministri i Ekonomisë për 200 mijë vende të reja pune në dy vjet ndërsa 200 mijë shqiptarë aplikojnë për llotarinë amerikane vetëm për vitin 2014.

Nga ana tjetër Ministri i Financave duket se nuk është i shqetësuar as për borxhin që po e kalon nivelin 73% e as për 73 mijë biznese që mbyllin qepenat e tyre.

Kryeministri i angazhuar për të shpjeguar disa shifra ekonomike, të cilat i kupton nëpër të, nuk lexon që investimet në këtë vend kanë rënë me 10%.

Një kryeministër që këmbëngul që falë drejtimit të tij ekonomia dhe shqiptarët po shohin dritë në fundin e tunelit pa e kuptuar që ajo dritë që ai po sheh është drita e një treni që po vjen përballë nesh.

E një treni që quhet stanjacion dhe që rrezikon ta çojë në spirale deflacioni ekonominë e brishtë të këtij vendi.

Përballë një qeverie që është e paaftë të shpjegojë se sa borxh ka marrë dhe se sa do të marrë për t’i sqaruar qytetarët e saj se çfarë investimesh reale do të kryejë.

Këtë qeveri nuk e shpëtuan dot nga dështimi as demagogët e këtij viti dhe zorr se do ta shpëtojnë ato të vitit tjetër.

Mirëpo problemi më i rëndësishëm sot është si të shpëtojmë shqiptarët duke qenë se kësaj qeverie kurën ia kemi gjetur tek demagogët, tek propaganda.

Si të shpëtojmë shqiptarët të cilët enden në dyert e Gjermanisë dhe Evropës për pak më shumë dinjitet dhe respekt. Ndërkohë që qeveritarët e tyre i kalojnë aty pranë dhe nuk i hedhin as vështrimin.

Si të shpëtojmë shqiptarët që po humbasin vendet e punës sepse investitorët nuk vijnë të investojnë në Shqipëri megjithëse qeveria jonë pretendon se i ka krijuar kushte.

Si të shpëtojmë shqiptarët të cilët nuk dëshirojnë të jenë militantë partie për të patur një jetë normale.

Këto shqiptarë, që janë dhe shumica, nuk mundet të shpëtojnë nga një qeveri e tillë.

Nuk mund ta shpëtojë një qeveri dy standartesh, që arreston një qytetar të thjeshtë për pamundësinë e tij në pagimin e energjisë elektrike ndërkohë që drejtorin e OSHEE të kapur me vjedhje e lë të lirë.

Nuk mund ta shpëtojë një qeveri që vendos të institucionalizojë vjedhjen dhe krimin madje edhe duke dekoruar kriminelët e të djeshmes, si e si për të legjitimuar vjedhjet dhe kriminilazimin e të sotmes.

Nuk mund ta shpëtojë një qeveri e cila vendos t’i dhurojë vetes makina luksoze ndërkohë që u shkurton paratë njerëzve në nevojë.

Nuk mund ta shpëtojë një qeveri e tillë, një pronar, të cilit jo vetëm që vendos t’ia marrë tokën njësoj si Partia e Punës, por mbi të gjitha i tregon atij se arka e shtetit është e fundme kur vjen fjala për t’i plotësuar atij të drejtën që i takon në kompensim por është e pafundme për koncensionet dhe tenderat miliardere për oborrtarët e saj.

Një qeveri që mendon se ekonomia ecën mirë nëse ministrat e saj dalin e flasin se ekonomia është në gjendje të mirë, kur ajo në fakt lëngon, dëshmon se kjo qeveri nuk ka vizionin për ta shpëtuar këtë vend!

Një qeveri që angazhohet në luftën anti-informalitet dhe dështon me një gropë 31 miliardë lekë dhe këtij dështimi i akordon një bonus ndërkohë që pensionistëve, të varfërve dhe të pamundurve u ka hequr të drejtën për të patur një shpërblim në fund të vitit.

Është një qeveri që nuk ofron shpëtim.

Megjithëse e kuptoj që shumëkush nga ky krah, mban shpresën se vitin e ardhshëm qeveria do të kuptojë se fjalët e tepërta nuk e heqin fukarallëkun, as përmisojnë ekonominë, as demokratizojnë vendin!

E kuptoj dhe këtë shpresë që disa prej jush, mbase dhe shumë prej jush e kanë, por duhet të kuptoni që shpresa juaj sado legjitime nuk ka arsye pse duhet ta mbajë peng këtë vend.

Nuk ka asnjë arsye të mbajmë peng këtë vend me shpresën se kjo qeveri do të krijojë politika më të mira ekonomike.

Sepse fakti vetë e tregoi që kanë arrnuar një paketë fiskale qesharake për vitin e ardhshëm si e si që t’i bëhej qejfi kryeministrit de facto të vendit.

Nuk ka asnjë arsye që të mbajmë peng këtë vend me shpresën se kjo qeveri do të përmisojë treguesit makroekonomik, kur përballë kemi një realitet dy vjeçar të mbushur me sofizma.

Nuk ka asnjë arsye të mbajmë peng këtë vend me një kryeministër që ka akoma mentalitetin e ndarjes të alpinëve dhe jo alpinëve!

Nuk ka asnjë arsye të mbajmë peng këtë vend me një qeveri që krijon institucione burokratike si e si për t’i hequr mundësinë të zgjedhurve të qeverisin popullin.

Nuk mund të shpresojmë pafundësisht se kjo qeveri vitin tjetër do të bëhet më e mirë, kur nuk ndodhi as këtë vit!


Fjalimi në Kuvend e deputetes së PD, Jorida tabaku, 21 Dhjetor 2015