Anëtari i kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një postim në facebook, Elezi shprehet se dorëheqja e Muhamet Rrumbullakut ngre shumë pikëpyetje mbi motivacionin dhe mënyrën e largimit. Sipas tij, procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm është thjesht një farsë pasi emri i pasardhësit është i paracaktuar njësoj si procesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.
Ai gjithashtu thotë se deklarata e parë publike e ministrit të Brendshëm nuk i jep asnjë zgjidhje gjendjes së rënduar kriminale në vend, por më shumë ishte një retorikë për konsum politik. Elezi më tej shprehet se policia prej vitesh është kthyer në një vegël të ministrave të radhës, duke braktisur misionin e saj të vërtetë që është mbrojtja e qytetarëve dhe sigurimin e rendit.
Më poshtë reagimi i plotë:
Reforma e Policisë së Shtetit – skepticizëm mbi premtimet e Ministrit të Brendshëm.
Të nderuar qytetarë,
Dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një zhvillim që ngre shumë pikëpyetje mbi motivacionin dhe mënyrën e largimit të tij. Ndërkohë, Ministri i Brendshëm ka shpallur një proces të ri për konkurim për pozicionet kryesore brenda Policisë së Shtetit, përfshirë edhe drejtuesit vendorë.
Përballë këtyre ngjarjeve, unë dua të ngre disa çështje të rëndësishme:
* A është dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm e imponuar nga eprorët e tij apo është bërë me dëshirë dhe vetëdije? Deri më tani nuk është dhënë asnjë arsye konkrete për largimin e tij.
* A do të mjaftojë ikja e Drejtorit të Përgjithshëm për të përmirësuar sigurinë publike dhe për të luftuar krimin? A nuk duhet të largohet edhe struktura e drejtuesve që prej vitesh nuk kanë sjellë rezultate të prekshme?
* A ka lidhje aktuale mes disa drejtuesve të policisë dhe krimit të organizuar? A do të garantohet që drejtuesit aktualë të mos jenë të përfshirë në procesin e konkurimit për pozicionet e reja, përderisa disa prej tyre mund të jenë nën hetim nga SPAK?
* A do të reformohet realisht Policia e Shtetit, apo do të bëjmë thjesht një rrokadë të emrave? Shqiptarët nuk presin rotacione brenda sistemit, por një reformim rrënjësor të organizatës, duke shkëputur çdo lidhje të mundshme me krimin e organizuar.
* Pse ka ngecur procesi i vetingut në Polici? Ky është një proces jetik për të rikthyer besimin në organet e sigurisë.
Deklarata e Ministrit të Brendshëm nuk i dha përgjigje asnjërës prej këtyre pyetjeve. Përkundrazi, ishte më shumë një retorikë propagandistike, pa adresuar akuzat e rënda të bëra më parë nga kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që ka theksuar lidhjet mes kupolës së policisë dhe krimit të organizuar.
Shqiptarët kërkojnë një polici të depolitizuar dhe të besueshme. Fatkeqësisht, prej vitesh Policia e Shtetit është përdorur si një mjet politik për interesat e ministrit të radhës. Qytetarët meritojnë një nivel më të lartë sigurie, diçka që deri tani nuk është arritur.
Policia ka nevojë për reformim të vërtetë, jo rotacion të emrave.
Në lidhje me reformën e Policisë së Shtetit të paralajmëruar nga Ministri i Brendshëm, kam arsye të dyshoj se procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm është thjesht një farsë. Ekziston një mundësi reale që emri i tij të jetë paracaktuar ende pa u dorëhequr drejtori aktual. Fatkeqësisht, qeveria ka precedentë të ngjashëm për veprime të tilla.
Një shembull i qartë është ai i Gardës së Republikës. Para disa muajsh, qeveria ndryshoi ligjin që rregullonte përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës, duke përshtatur kriteret për një kandidat të paracaktuar, që erdhi nga jashtë strukturave të Gardës, ndryshe nga sa parashikohej në ligjin në fuqi. Opozita ngriti alarmin se ky ishte një ligj me porosi, i bërë enkas për të favorizuar një kandidat të lidhur me qeverinë. Ashtu ndodhi, dhe sot, ai emër i përfolur prej muajsh, u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës.
Kjo situatë më bën të dyshoj se skenari i paracaktimit do të përsëritet edhe në përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nuk dua të paragjykoj aftësitë profesionale të asnjë kandidati të përzgjedhur, dhe madje uroj suksesin e tyre në detyrë, por shqetësimi i madh mbetet:
A do të jenë këta drejtues gardianë të ligjit, apo do të jenë thjesht ushtarë të bindur të urdhrave politikë?
Policia e Shtetit kërkon reformim të thellë dhe depolitizim, jo thjesht rotacion emrash.
Shqiptarët presin një organizatë të ndershme dhe të depolitizuar, e cila të rikthejë besimin e humbur tek qytetarët. Për fat të keq, kjo organizatë prej vitesh është kthyer në një vegël të ministrave të radhës, duke braktisur misionin e saj të vërtetë – mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurimin e rendit.
Krimi dhe korrupsioni kanë marrë përmasa të frikshme, ndërsa niveli i sigurisë publike ka rënë në nivelet më të ulta ndonjëherë. Besimi publik te Policia e Shtetit është në pikën e tij më të ulët. Qytetarët shqiptarë dhe vizitorët tanë meritojnë siguri për jetën, shëndetin dhe pronën e tyre.
Shpresoj që Ministri i Brendshëm të ketë vullnetin dhe kurajon të realizojë reformat e vërteta që presin shqiptarët në fushën e sigurisë.
Shqiptarët meritojnë më shumë!
Ju faleminderit.