Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në komunën e Preshevës ku është takuar me kryetaren e kësaj Komune, Ardita Sinani dhe me nënkryetarin Ragmi Mustafa.
Basha i ka përgëzuar për vendosmërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë me të cilat përballen si përfaqësues të bashkëkombasve tanë. Ai më tej thotë se spastrimi i heshtur etnik është një shqetësim i madh që duhet të adresohet nga çdo shqiptar, në çdo institucion ndërkombëtar.
Sipas tij, sa nuk është vonë duhet që politika shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut e diasporë të ngrejë zërin për këtë sjellje kriminale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Metvegjë.
Reagimi i plotë i Bashës:
Kënaqësi që të takohesha në komunën e Preshevës me Kryetaren e Komunës, Ardita Sinani dhe nënkryetarin, Ragmi Mustafa.
I përgëzova për vendosmërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë me të cilat përballen si përfaqësues të bashkëkombasve tanë. Sfidat janë të mëdha, por puna e jashtëzkonshme e Kryetares Sinani dhe e nën Kryetarit Mustafa është një shembull inkurajuese përkushtimi politik dhe kombëtar.
Pasivizimi i adresave, ose spastrimi i heshtur etnik është një shqetësim i madh që duhet të adresohet nga çdo shqiptar, në çdo institucion ndërkombëtar.
Ndërsa presidenti i Serbisë me mbështetjen e të cilit një vit më parë u krye një agresion ndaj Republikës së Kosovës në Bajnskë, bërtet për të drejtat e serbëve të Kosovës dhe pse kanë më shumë të drejta së çdo pakicë tjetër në Europë, diskriminon shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Metvegjës
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u mohohet përdorim i simbolit, tekstet mësimore në gjuhën amtare, nuk u njihen diplomat e republikës së Kosovës, nuk u jepet mundësia të punësohen në institucione shtetërore apo të kënë mundësi punësimi e shërbimi shëndetësor.
Zonja Sinani më shprehu shqetësimin edhe për vendimin e fundit të Vuçiç për Shërbimin e detyrueshëm ushtarak si dhe mungesën e investimeve në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturë.
Serbia po bën gjithçka që shqiptarëve në Luginë të Preshevës t’u vështirësohet jeta dhe të emigrojnë duke ndryshuar me metoda kriminale të heshtura ndryshimin demografik në këto zona.
Prandaj sa nuk është vonë duhet që politika shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut e diasporë të ngrejë zërin për këtë sjellje kriminale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Metvegjë.
Koha, energjia dhe përkushtimi im për shqiptarët e Luginës të Preshevës nuk do të mungojnë kurrë!