Vizitën në Maqedoninë e Veriut, kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha dhe deputetja Oriola Pampuri e kanë përmbyllur në takimin me zvëndëskryeministrin, Izet Mexhiti.

Basha e ka uruar Mexhitin për detyrën e re, ndërsa ky i fundit e njohu me prioritetet e qeverisë që në focus ka zhvillimin ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i kushteve që të rinjtë të mos largohen nga vendi.

Gjatë bisedës, kreu i demokratëve euroatlantikë ka shprehur qëndrimin e tij për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, në frymën dhe në gërmën e saj, pasi sipas tij, është jetik për bashkëjetesën ndëretnike dhe funksionimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Postimi i plotë i Bashës:

Pata kënaqësinë të takohesha në Shkup me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, të cilin e urova për detyrën e tij, e cila ka një rëndësi të veçantë për sfidat që ka përpara vendi dhe rajoni ynë.
Pas anëtarësimit në NATO, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, përballen me sfidën e integrimit në BE, që është interesi kryesor i qytetarëve tanë. Uroj, që Maqedonia e Veriut të tejkalojë sa më shpejt pengesat dhe të avancojë në këtë proces, i cili gëzon mbështetje unanime nga shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë në vend.
Zoti Mexhiti më njohu me prioritetet e qeverisë si, zhvillimi ekonomik, rritja e standardit të jetesës, forca e shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i kushteve që të rinjtë të mos largohen nga vendi.
Duke u ndalur tek zhvillimet aktuale, shpreha qëndrimin tim se, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, në frymën dhe në gërmën e saj, është jetik për bashkëjetesën ndëretnike dhe funksionimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Është koha që vendet e rajonit të fokusohen tek e ardhmja dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët e vendeve të tyre, duke lënë pas fantazmat e së shkuarës që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin.