Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në vend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si nxitës të kriminalizimit të institucioneve dhe dhunës publike. Në një postim në facebook, Basha e cilëson Ramën si “anti-modelin” e një shoqërie të mbërthyer nga arroganca dhe degradimi.

Ai më tej thekson se mbështetja dhe promovimi i individëve të lidhur me krimin, si dhe mbrojtja e ministrave të korruptuar, kanë dëmtuar rëndë institucionet dhe shoqërinë.

Basha më tej bën thirrje për rritje të fondeve për arsimin, forcimin e rolit të mësuesit, bashkëpunimin shkollë-familje dhe luftën kundër drogës në shkolla. Sipas tij, këto reforma kërkojnë një qasje të thellë dhe të përhershme, që nuk mund të vijë nga një qeveri e cila, siç shprehet ai, ka mbështetur individë me të kaluar kriminale.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Nxitësi i kriminalizimit të institucioneve, arkitekti i Parlamentit të Çyrbeve, kryeministri që dhunon verbalisht gazetarë, qytetarë, kundërshtarë, me fjalorin e frymëzuar nga ‘Noc Rroku’, që trumbetohet në media tradicionale e sociale, është anti-modeli i një shoqërire në të cilën ka pllakosur dhuna dhe arroganca. Legjitimimi i të fortëve të dalë nga llumi i shoqërisë përmes veshjes me kostumin e politikës, mbrojtja e ministrave të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar, janë dëmet më të mëdha që i janë bërë institucioneve dhe pëlhurës tonë sociale.

Reagimet vetëm pas ngjarjeve të rënda që kanë tronditur thellë familjet shqiptare, janë dëshmi e dështimit për t’u ofruar atyre zgjidhjet që meriton shoqëria jonë.
Barbarizimi i hapësirës publike që Rama ka frymëzuar përmes mbështetjes dhe promovimit të elementëve më degraduese në jetën publike në këto vite, nuk luftohet me aksione, por kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme, që nis nga detyrimet që politika ka ndaj qytetarëve.

Rritja drastike e fondeve për arsimin, zgjatja e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkollë, pasurimi me mjete didaktike, investimi për të forcuar rolin e mësuesit, forcimi i bashkëpunimit shkollë-familje, lufta frontale ndaj trafikut të drogës që gëlon fatkeqësisht në ambientet shkollore, rikthimi i autoritetit të uniformave blu, kërkojnë një ndryshim rrënjësor që nuk mund të vij nga ai që ekipin e tij “fitues” e ka pas hekurave.

Shqipëria meriton më shumë!