Në ditën e Alfabetit, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, vlerësoi Kongresin e Manastirit si një moment historik për gjuhën dhe kombin shqiptar.

Ai thekson se njëhsimi i alfabetit 116 vjet më parë ishte vendimtar për bashkimin kombëtar dhe për të shmangur asimilimin.

Basha apelon për mbështetje ndaj mësimit të shqipes nga emigrantët dhe theksoi se ky duhet të jetë një prioritet kombëtar.

Postimi i Bashës:

Kongresi i Manastirit është një ndër momentet madhore të historisë sonë kombëtare. I mbajtur 116 vjet më parë, ai është hapi i fundit i Rilindjes Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar.

Të mbledhur nga të gjitha trojet, pa dallime fetare dhe krahinore, intelektualë të shquar arritën njëhsimin përfundimtar të alfabetit shqip, si një domosdoshmëri edhe për bashkimin e kombit. Kongresi i Manastirit nuk qe vetëm Kongres i alfabetit të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe ishte mjeti i zgjimit dhe i thellimit të vetëdijes kombëtare dhe i unitetit kombëtar, mospërdorimi i gjuhës shqipe, po sillte asimilimin e shqiptarëve.

Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë, kujtojmë figurat e shquara të patriotëve dhe intelektualëve që udhëhoqën këtë Kongres, duke marrë frymëzim prej tyre për të ndërtuar një Shqipëri të denjë në gjirin e Europës.

“Alfabeti i vetmi mjet me të cilin kombi do të përparojë” këto fjalë të At Gjergj Fishtës janë edhe sot një këmbanë alarmi për të bërë gjithçka që shqiptarët që janë emigrantë nëpër botë, të kenë mundësi të mësojnë dhe të mos e harrojnë gjuhën shqipe. Ky duhet të jetë një prioritet kombëtar sot, për çdo shqiptar.