Në një intervistë për televizionin MCN, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka theksuar se qëndrimet e tij dhe të partisë së tij nuk vijnë nga interesat e askujt, por janë parimore dhe të vërtetuara nga koha.

Ai ka akuzuar Sali Berishën për bashkëpunim me Edi Ramën për interesat e tij personale dhe kjo sipas tij u pa tek amnistia për të korruptuarit dhe mbyllja e listave duke e quajtur si një “pazar të ulët”.

Basha ka bërë thirrje për një bashkim të të gjithëve që duan të largojnë Ramën dhe të ndërtojnë një alternativë të vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë, duke ofruar programin dhe ekipin e Demokratëve Euroatlantikë si një mundësi për të zhbërë çdo marrëveshje të korruptuar.

Pjesë nga intervista:

Lulzim Basha: Së pari qëndrimet tona nuk varet nga humoret e askujt. Ato janë qëndrime parimore të cilat janë vërtetuar nga koha si të drejta, siç është vërtetuar tashmë në sytë e çdokujt, edhe të mbështetësve më fanatik të zotit Berisha. Zoti Berisha për interest e veta personale bashkëpunon haptazi me Edi Ramën, siç ishte rasti i amnistisë për të korruptuarit e Edi Ramës, siç ishte rasti për mbylljen e listave bashkë me Edi Ramën dhe raste të tjera në të kaluarën. Këto e kanë reduktuar fasadën e revolucionit dhe të mosbindjes civile në atë çfarë aktualisht është e vërteta. Për interesat e tij personale, zoti Berisha bashkëpunon me Edi Ramën me një ekuacion ku njëri i ka lëshuar të drejtën të marrë sërish pushtetin në tavolinë në zgjedhjet e ardhshme, me qëllim që ky të mbajë në tavolinë monopin mbi opozitën. Ky është një pazar i ulët. Sikur asgjë tjetër, ky pazar mjafton për të refuzuar çdo lloj afrimi apo bashkëpunimi me dikë, apo një grup njerëzish, të cilët për interest e tyre personale, kanë lënë peng demokratët tek Edi Rama. Ndaj thirrja jonë ndaj çdokujt që tashmë e ka kuptuar të vërtetën, është që nuk është vonë t’i bashkohet Demokratëve Euroatlantikë si alternative e vërtetë në programin tonë, me ekipin tonë për të larguar Edi Ramën dhe qeverisjen e tij të korruptuar dhe për të zhbërë çdo pazar aktual dhe të projektuar me djersën dhe sakrificën e tyre dhe të ardhmen e shqiptarëve me Edi Ramën.

Pyetje: Pra e përjashtoni në mënyrë kategorike?

Lulzim Basha: Kategorikisht.