Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka dhënë një intervistë të veçantë në emisionin “Fit” në Neës24, ku ka ndarë kujtime nga jetën e tij studentore në Hollandë. Basha u shpreh se studimet në Fakultetin e Juridikut ishin një zgjedhje që e kishte pasion, ku përveç lëndëve të detyrueshme, ai ishte i fokusuar në fushën e Drejtësisë Ndërkombëtare.

Ai theksoi se eksperienca e tij universitare ishte një periudhë e bukur, e pasuruar me njohuri mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në këtë fushë, duke përmendur aktet madhore si incidenti i Kanalit të Korfuzit dhe aktin e pavarësisë së Kosovës.

Basha shtoi se jeta studentore, përveç aspekteve akademike, ka qenë po ashtu një periudhë shumë e bukur e jetës së tij.

“Lëndët që kam zgjedhur të studioja në Fakultetin e Juridikut, kanë qenë lëndë për të cilat kisha pasion. Kishte dhe lëndë që ishin të detyrueshme, por nuk i kisha pasion. Juristët apo studentët e juridikut e dinë për çfarë e kam fjalën. Fjala vie tek detyrimet. Por në tërrësi studimet i mbaj mend si një kohë shumë të bukur. Edhe nga ana e Universitetit, pra asaj që kam studiuar, ka qenë si me thënë një botë e tërë që hapej para meje, bota e të Drejtës Publike Ndërkombëtare, marrëdhënieve mes shteteve, se si impaktonte kjo jetët e njerëzve, fatet e njerëzve, historia e këtyre marrëdhënieve ku Shqipëria ka një rol të veçantë në doktrinën e të Drejtës Ndërkombëtare. Që nga incidenti i kanalit të Korfuzit që është një nga aktet e para të jurisprudencës, të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e deri tek akti i pavarësimit të Kosovës dhe opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Të dyja janë akte madhore në doktrinën e jurisprudencës ndërkombëtare, të drejtës publike ndërkombëtare. Siç e shikoni e kam pasion, i jam rikthyer pjesërisht këtij pasioni vitin e kaluar kur u emërova reporter për çështjen e konfiskimit, e ligjshmërisë së konfiskimit të aseteve të ngrira ruse për t’ia vënë ato në dispozicion Ukrainës. Pra, ana profesionale, domethënë ana përmbajtësore e studimeve e mbaj mend si një kohë shumë shumë të bukur. Por do të isha i pavërtetë po mos të thoja që po kaq bukur, në disa aspekte edhe më e bukur ka qenë jeta studentore.” – u shpreh Basha.