Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” ka theksuar se politikës shqiptare i është imponuar një kalcifikim i plotë, ndërsa ka kritikuar ashpër veprimet e kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai ka deklaruar se të ata dy bashkëpunojnë hapur, duke përpjekur të riciklojnë një elitë të kalbur që ka pasur ndikim të thellë në korrupsion dhe lidhje me krimin.
Basha e ka quajtur këtë situatë shqetësuese, duke theksuar se përveç pasurimit të papërshkrueshëm të këtyre grupeve, ata dominojnë ekonominë dhe median.
Ai foli edhe për të shkuarën, vitin 2005 kur erdhi në fillim në Partinë Demokratike. Basha deklaroi se nuk ka përfituar vetëm ai me ardhjen në PD, por tha se edhe Berisha kë përfituar prej tij dhe punës që ka bërë, madje deklaroi se ka fituar disa gara të cilat në finale i kanë shërbyer Berishës.
Basha gjithashtu është shprehur se PD duhet të hapë rrugën për një elitë të re dhe të shëndoshë për të mundësuar një rritje të vërtetë të politikës në Shqipëri.
Pjesë nga intervista:
Ylli Rakipi: Sali Berisha iu dha mundësi të panumërta dhe poste të panumërta, nga prona e vet, sepse edhe sot pronë e ka dhe ti ishe koshient. Lul Basha njeri i mençur dhe e kuptonte, që pa garë pa gjë, erdhi, të mori dhe të dha të gjitha. Ngjitja juaj në PD ishte e rrufeshme sepse kështu kishte vendosur Ai. A e keni pyetur ndonjëherë veten, përse i duheshit ju Sali Berishës kur ju thirri?
Lulzim Basha: Vokacioni im nuk ka qenë në raport me një individ, por në raport me atë që mund të bëja për vendin. A kam bërë diçka për vendin dhe për PD-në? Apo më janë dhënë gjëra? Sigurisht propaganda në fillim e Nanos dhe pastaj Ramës dhe pastaj e Berishës, përpiqet ta rivizatojë të kalurën siç u intereson atyre, i ka marrë thonë. E vërteta është krejt ndryshe. Unë kam bërë garë mazhoritare, kokë më kokë, me të famshmin Arben Ahmetaj, që atëherë ishte një nga yjet në ngjitje të Fatos Nanos dhe e kam mundur në një zonë elektorale që PD e kishte fituar për herë të fundit në vitin 92’. Kam drejtuar në 2009 garën e Elbasanit dhe kam sjellë 7 nga 14 deputetë, ndërkohë që në legjislaturën e mëparshme kishte vetem dy deputetë PD.
Ylli Rakipi: Nuk tha njeri që nuk ke punuar por ti po thua përgjigje tjetër. Jo po nuk të pyeta për këtë.
Lulzim Basha: Jo se the më janë falur gjëra. Kam mundur Edi Ramën për Bashkinë e Tiranës.
Ylli Rakipi: Ky vend do të vazhdojë të shkojë për lesh nëse ne nuk themi të vërtetën. Unë nuk të pyeta për këto, të pyeta, që ai të ka marrë ty… Ku ka patur garë?
Lulzim Basha: Berisha ka marrë prej meje një mandat në Tiranë, që ndryshe nuk do ta merrte në 2005. Ka marrë 5 mandate në Elbasan që nuk do ti merrte. Ka marrë Bashkinë e Tiranës. Por nuk i ka marrë Berishë dhe as demokratët, por shqiptarët, sepse kam sjellë një model të ri që shkallmoi modelin e instaluar në Shqipëri, qoftë në përballje me Ahmetajn, qoftë në Elbasan dhe në garën për kryetar bashkie.
Ylli Rakipi: Nuk them se ti nuk ke punuar. Por, ty të ka thirrur në çifligun e vet, doktor Berisha, sikundërse ndodh edhe me këta të tjerët. Nuk je i vetmi, je njëri prej tyre, por më i rëndësishëm.
Lulzim Basha: Ti the atë natë, njëri prej nesh…
Ylli Rakipi: Po njëri prej nesh, pse ti mendon se në këtë botë qesharake 32 vjecare, ti mendon se unë dua të përjashtoj veten? Bëhem qesharak po përjashtova veten. Ne kemi qenë 30 e ca vjet qesharake të gjithë, kjo qe kemi ndërtuar këtu, nuk është ndërtuar në asnjë vend të botës.
Lulzim Basha: Kjo që është ndërtuar këtu nuk është për të qeshur, por për të vënë duart në kokë. Kjo ka sjellë në këtë kalcifikim total të politikës, këta njerëz janë pasuruar në mënyrë marramendëse, janë lidhur me krimin, dominojnë ekonominë, dominojnë median dhe gjithçka. Më e keqja, është betonizuar, që këto dy anë bashkëpunojnë haptazi me njëra tjetrën. Qeveria e korruptuar e Edi Ramës, e vërtetuar nga përgjimet, që është në bashkëpunim me krimin dhe tani edhe me Sali Berishën.
Ylli Rakipi: Ju e kuptuar që ai po ju thërriste, për të projektuar njeriun e ardhshëm të partisë, kryetarin. Nuk të ka vajtur mendja?
Lulzim Basha: Kam dëgjuar një thashethem të tillë, me thënë të drejtën të filluar jo nga miq dhe dashamirës por nga njerëz që kishin frikë.
Ylli Rakipi: Se ti erdhe dhe u fute nëpër “gara” këtu dhe mbetën të tjerë poshtë…
Lulzim Basha: Nuk thashë këtë, por rrugëtimin tim nuk e kam nisur asnjëherë me ngërçin e brendshëm se dua të kap këtë dhe jam gati të thyej gjithcka për të kapur këtë.
Ylli Rakipi: Marshalli, sic e quante ndjesë pastë Azem Hajdari Berishën, të thirri ty, që ti të bëheshe kryetar i ardhshëm. Ti e dije këtë, por mirë mos e prano.
Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë. Nga momenti kur unë jam zgjedhur kryetar i PD, janë tetë vite, nuk mund të thuash, që erdhe në 2005 për t’u bërë kryetar në 2013.
Ylli Rakipi: Ai tjetri, që është në burg tani (Meta) më tha mua, a e pe cfarë ka gjetur? Sa njeri të zotin… Ti ishe me karizmën më të madhe atje, nuk kishte burrë me karizëm më të madhe aty. Edhe kështu tha Ilir Meta, shiko çfarë njeriu. Të presim i thashë unë. Por, që ai të kishte sjellë me një ide, që ti do të bëheshe udhëheqësi, kjo nuk ka pikë dyshimi.
Lulzim Basha: Gjërat në këtë botë i shkruan zoti. Nuk e mohoj se hapja e PD në 2005, që edhe u njoh, edhe u shpërblye nga elektorati, më dha mundësinë mua dhe një grupi njerëzish që të angazhoheshim dhe të merrnim përgjegjësi, pastaj të gjithë sipas talentit, mundësisë edhe fatit, kanë patur rrugëtimin e tyre. Mësimi i vlefshëm i 2005, është se sa herë formacionet politike hapen dhe ka qarkullim elitash, i shërbejnë jo vetëm kauzës së tyre, ardhjes në pushtet, por edhe interesit publik. E kundërta po ndodh sot, përpiqen të riciklojnë një elitë të kalbur.