Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në intervistën për Report TV, ka komentuar sulmet e fundit të Sali Berishës ndaj tij, duke i konsideruar ato si pjesë të një strategjie të përbashkët me Edi Ramën. Basha theksoi se Berisha ka zgjedhur aleatin e tij, Edi Ramën, dhe kjo është vënë re në bashkëpunimin e tyre në çështje të ndryshme, përfshirë ndryshimin e kodit zgjedhor dhe lirimin e të korruptuarve.

Ai shtoi se kjo aleancë përfaqëson një sistem që kërcënon aspiratat për ndryshim të qytetarëve shqiptarë. Basha shprehu besimin se shqiptarët do të kenë mundësinë të refuzojnë këtë dyshe në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Kohët e fundit zoti Berisha i është rikthyer sulmeve ndaj jush. Kishte një lloj qetësie që në shumë medium u interpretua si një qasje mes palëve, ndoshta komunikime për një bashkëpunim në zgjedhjet e 11 majit 2025. Për ta shuar një herë e mirë këtë diskutim që rikthehet në fakt kohët e fundit. Ka pasur komunikime mes jush dhe zotit Berisha apo është një kaputull i mbyllur politik dhe pse këto sulme të zotit Berisha që rikthehen ndaj jush?

Lulzim Basha: Zoti Berisha e ka zgjedhur partnerin e tij. Partneri i zotit Berisha është Edi Rama. A nuk ishte zoti Berisha që bashkoi votat me Edi ramën për të liruar 111 të korruptuar dhe pastaj e mohuan dhe e gënjyen publikun? Derisa doli kryeprokurori i SPAK dhe e konfirmoi zyrtarisht dhe më pas Bashkimi Europian e futi në progres-raport si një vepër të gjëmshme të Edi Ramës me Sali Berishën. Në çdo kancelari të botës dhe natyrisht në memorjen e qytetarëve shqiptarë, tashmë dihet që Edi Rama dhe Sali Berisha bashkuan votat për të liruar të korruptuarit e dënuar nga SPAK. Sali Berisha bashkëpunuan për të mbyllur listat zgjedhore dhe për të shkatërruar standartet zgjedhore, për të mos respektuar asnjë standard të vetëm zgjedhor. Pse? E kishte në dorë. Edi Rama nuk kishte votat për të ndryshuar kodin zgjedhor. Ndërkohë që kodi zgjedhor siç ishte, me vendim të Gjykatës Kushtetuese diktonte listat e hapura. Pse i bashkuan votat? Sepse janë bashkë. Janë bashkë në afera të panumërta ekonomike, ndajnë interesa të njëjta, ndajnë interest e tyre me oligarkë, me media, dhe me grupime kriminale. Interesi i tyre është ta mbajnë Shqipërinë peng të anktheve, halleve, problemeve të tyre personale dhe të interesave të tyre personale pasurore, familjare apo klanore. Pra zoti Berisha e ka zgjedhur aleatin, dhe aleati është Edi Rama. Dhe Edi Rama e ka zgjedhur aleatin, aleati është Sali Berisha. Pyetja është çfarë do të bëjnë shqiptarët. Më 11 maj kjo do të jetë pyetja: do të votoni për Edi Ramën dhe të merrni peshqesh dhe Sali Berishën, apo do të votoni për Sali Berishën dhe të merrni peshqesh Edi Ramën dhe 4 vite të tjera? Apo do t’i refuzoni të dy me votë dhe të zgjidhni një rrugë që ju çliron nga kjo zgjedhë e shumëfishtë. Prandaj sulmet ndaj meje janë pjesë e të njëjtës strategji. Si Edi Rama, si Sali BErisha e njohin potencialin tim politik. Edi Rama më ka patur përball, Sali Berisha për një kohë të gjatë e ka shfrytëzuar këtë potencial drejtpërdrejtë apo indirekt në veçanti në përballje të tilla që nga 2005-sa, 2009-ta apo 2011-ta. Dhe të dy e dinë fare mirë se qëndrimet jo thjesht të miat por të asaj që përfaqësoj unë, të aspiratave të Demokratëve Euroatlantikë dhe të qytetarëve shqiptarë për ndryshim kërcënojnë këtë ekosistem që kanë ndërtuar me njëri-tjetrin. Kërcënojnë këtë tango, këtë valle që heqin me njëri-tjetrin barkë më barkë për interesat e tyre kundër interesave të shqiptarëve.