Me një akt të turpshëm dhe të pastër korruptiv, Erion Veliaj vendosi dje të rrisë çmimin e biletës për qytetarët e Tiranës. Zgjodhi si kusar mesnaten të fuste serish duart në xhepat e qytetarëve dhe t’ju marrë dhe qindarkat e fundit që i kanë mbetur.  5.5 milionë dollarë më shumë në vit do t’i kushtojë qytetarëve të Tiranës rritja e çmimit të biletës në 33% nga 300 ne 400 lekë të vjetra.

Kjo është një vjedhje e pastër dhe skeme korrupsioni e Erion Veliajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij të njohur për afera të pista korruptive në të shkuarën dhe do bashkëndahen mes Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Qytetarët e mbajnë mend mashtruesin Veliaj se si doli vetëm 4 ditë më parë dhe premtoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës madje ai do të drejtonte vetë dhe autobuzin dhe shërbimi nuk do të ndërpritej. Kjo deklaratë e Veliaj s’ka qënë gjë tjetër veçse presion ndaj shoqatave të transportit për të rritur rryshfetin në skemën konspirative dhe korruptive që ndërtuan së bashku për të zhvatur qytetarët.

Veliaj mund ti kishte kërkuar qeverisë së tij të hiqte akcizën e naftës për transportin publik. Veliaj mund të kishte parashikuar një pjesë të 120 milionë dollarë taksa që kërkon të mbledhë për të financuar transportin publik. Por ai zgjodhi rrugën më të shkurtër dhe më të pisët. Ai vendosi të ngrejë çmimin e biletës për ju qytetarë. Ju genjeu  pa pikë turpi. Ju mori me një dorë 5.5 milionë dollarë në vit nga xhepat tuaj dhe nga buxheti i familjeve tuaja.

Po dje me arrogancën e kartonave miratuan rritjen dhe shtimin e 30 taksave dhe tarifave. Pra  50 milionë dollarë më shumë do t’u merren duke nisur nga janari qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës. S’ka investime, s’ka asnjë projekt për zhvillim ekonomik dhe punësim, vetëm abuzim dhe vjedhje me pasuritë dhe pronat publike.

Ne nuk mund ta pranojmë këtë vjedhje, këtë hajdutëri, këtë mashtrim e korrupsion.

Në emër të keshilltarëve të Partisë Demokratike ju bëj thirrje qytetarëve të Tiranes të reagojmë me të gjitha format e mosbindjes civile për të detyruar sprapsjen e këtij krimi të shëmtuar korruptiv.


Deklarata për mediat e anëtares së Këshillit Bashkiak të Tiranës, Reila Bozdo, 31 Dhjetor 2015