Në muajin prill, Partia Demokratike i kërkoi shpjegime të qarta kryeministrit Edi Rama për vizitën e tij të menjëhershme e të papritur në Stamboll të Turqisë.

I kërkuam Ramës të përgjigjej po bënte apo jo negociata të fshehta e të paligjshme për të dhënë pa garë e pa transparencë projektin më të rëndësishëm energjitik në Shqipëri, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës,  një kompanie turke, Suzer & Nurol Group.

Siç bën gjithmonë kur do të fshihet dhe është në siklet, kryeministri reagoi duke akuzuar opozitën por sërish pa i dhënë asnjë llogari, asnjë përgjigje qytetarëve shqiptarë.

Por para disa javësh, i gjendur në presion, Ministri i tij Ahmetaj pohon vetë se Skavica i është dhënë një kompanie turke.

Në emisionin Zonë e Lirë, duke u gjendur keq që në Shqipëri nuk ka asnjë investitor të huaj, Ahmetaj shprehet se tashmë Skavica i është dhënë kompanisë turke.

Ja video e emisionit:

Arben Ahmetaj:”Më thoni një emër që është larguar?! Ju them unë një që ka ardhur. Skavica. Suzer & Nurol Group”.

Sot, pyesim kryeministrin Rama se çfarë gare zhvilloi për projektin më të rëndësishëm energjitik të shqiptarëve?

Skavica ka përfunduar si gjithë të tjerat dhe siç ne paralajmëruam pa garë e transparencë ashtu siç Rama u ka dhënë miqve të vetë koncensionet në shëndetësi, ashtu siç jep tenderat dhe u hap traun e doganës, ashtu siç negocioi fshehtas vjedhjen e shekullit, aferën CEZ ku iu mori shqiptarëve 600 milionë euro nga xhepat dhe taksat e tyre.

Kjo është skema e Edi Ramës në ndarjen e parave dhe copëtimin e pasurisë të shqiptarëve. Mos u habisni kur të merrni vesh që pazari i radhës i Edi Ramës me pasuritë publike është mbyllur në Majami.

Kjo skemë korruptive dhe kriminale e zhvatjes dhe vjedhjes së pasurive kombëtare është arsyeja pse sot shqiptarët janë më të varfër, më të papunë e më të pashpresë, ndërsa Edi Rama citohet në raportet e OSBE-së për pasurinë e tij prej 200 milionë euro, dhe ministrat e tij janë zgjuar milionerë brenda natës.

Ky korrupsion do të ndalet me çdo kusht dhe qytetarët shqiptare do ta ndalin.


Deklarata për mediat e Sekretares për Marrëdhënien me Publikun, Grida Duma, 5 Janar 2015