Në mbledhjen e dytë të komisionit të ekspertëve u diskutua thelbi i reformës në drejtësi. U diskutua për çështjet që ka ngritur Komisioni i Venecias. Ajo ç’ka konstatuam, vullneti me të cilin shkuam, ishte që ti bindemi fjalës, germës, pasazheve, opinionit dhe vullnetit të Komisionit të Venecias.
Konstatuam që për një nga çështjet më thelbësore që Komisioni i Venecias ka thënë dhe që është pikërisht depolitizimi i sistemit, moskapja e sistemit e që përkthehet në draftin e atakuar nga Komisioni i Venecias tek përdorimi i shumicës së tre të pestave, pati një mosreflektim total, kryeneçës, këmbëngulës, nga ana e atyre të cilët e draftuan draftin e parë të amendamenteve kushtetuese e që u atakua nga Komisioni i Venecias.
Ne shkuam me vullnetin qe të japim zgjidhje teknike dhe jo vetëm kaq, por nga ana jonë u ofrua zgjidhja që për çeshtje të tilla, çështje që kanë sensibilitet politik të orientuar drejt frymës së Komisionit të Venecias për moskapjen e sistemit të drejtësisë përmes shumicave që kjo mazhorancë i ka, shumicës prej 3/5, të jetë një zgjidhje e cila ti kalojë atyre, të cilët kanë vullnetin dhe autoritetin për ta zgjidhur, krerëve të mazhorancës.
Ftesa që unë kam bërë në komision ka qenë pikërisht kjo. Këto çështje të kalojnë për të gjetur një kompromis politik midis atyre që përfaqësojnë dhe flukset politike në Parlament. Thirrja e ekspertëve të PD ka qenë që krerët politike të mazhorancës Rama dhe Meta të jenë ata të cilët ti ofrohen dhe të përqafojnë zgjidhjen që i kanë dhënë opinioni i Venecias.
3/5 është një shumicë e cila kap sistemin e drejtësisë, e kap sot, e kap edhe më vonë dhe që është një zgjidhje e cila është e atakuar fuqimisht nga Komisioni i Venecias, e cila ka thënë shprehimisht; aplikimi i një shumice prej 3/5 në kushtet aktuale kur kjo shumicë është sot e kontrolluar nga mazhoranca çimenton kapjen politike.
Kështu që në këto kushte, megjithë vullnetin tonë të mirë për të ofruar bashkëpunimin teknik për të gjetur zgjidhje teknike, kam dhënë si zgjidhje në tryezën e ekspertëve që çdo hap tjetër pa tejkaluar këtë lloj ngërci, që mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis aktorësh politikë, drejtuesish kryesor, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë.
Këmbëngulja që konstatova sot përgjatë gjithë debatit për të qëndruar fort, këtyre formulave që kapin politikisht sistemin e drejtësisë më ka dhënë të kuptoj sinjalin që nga mazhoranca nuk ka një dëshirë për të përqafuar dhe për të qenë konform atyre urdhërimeve, udhëzimeve, orientimeve, këshillave që Komisioni i Venecias ka dhënë.
Kjo ishte pra ajo çfarë ka ndodhur sot. Pa zgjidhur këtë çështje pjesëmarrja jonë do të ishte vetëm dhe thjesht kozmetikë. Nuk jemi për kozmetikë në komisionin ekspertëve dhe jo vetëm kaq, ne kemi treguar gjatë gjithë kohës që jemi të hapur të ofrojmë kontributin tonë më të lartë në këtë komision.
Prononcimi për mediat e anëtarit të komisionit të ekspertëve për Reformën në Drejtësi, Enkelejd Alibeaj, 5 Janar 2015