Mirëmbrëma të dashur miq
Është bërë zakon qe mbrëmja e 5 Janarit – dhe shpeshherë është evenimenti i parë publik i Tiranës tonë – na mbledh së bashku siç na ka mbledhur edhe sot, gazetarë, analistë, opinionistë, redaktorë, kryeredaktorë, të televizioneve e gazetave, operatorë, nuk e di nëse kemi montazhierë…sigurisht kemi pronarë të mediave e gazetave, faqeve online, arstistë, shkrimtarë, njerëz të lidhur me median dhe politikanë demokratë e aleatët e tyre.
Së pari, të mos bëjmë asnjë gabim të gjithë këtu jemi njerëz të pushtetit. Ne të pushtetit të fjalës sot, pushtetit moral,sepse jemi opozita. Dhe ju të shtyllës së katërt dhe më të rëndësishme të pushtetit pa të cilën nuk mund të ketë liri, nuk mund të ketë demokraci, s’mund të ketë dinjitet njerëzor, dhe ky është pushteti i medias.
Prania jonë më 5 Janar lidhet me Rilindjen Demokratike, gazetën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, por edhe gazetën e parë të lirë që shënoi me themelimin e saj edhe ditën e shtypit të lirë në Shqipëri. Kjo është domethënia e pranisë këtu dhe e nderimit për 5 Janarin e çdo gazetari, e çdo njeriu aktiv në median shqiptare pavarësisht prej orientimit të tij apo të saj politik. Sepse pavarësisht orientimeve politike ne jemi këtu për të nderuar një moment të jashtëzakonshëm në historinë e këtyre 25 viteve dhe në historinë moderne të Shqipërisë, që lidhet dhe kulminon me dy momente të tjera që sapo i lamë pas: 8 Dhjetorin e Levizjes Studentore që i parapriu shpalles së pluralizmit politik dhe themelimit me 11 dhjetor të partisë së parë antikomuniste opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Këto janë 3 ngjarje të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra tjetrën në histori.
Ndaj, duke iu referuar nderimit që është njëra anë e pranisë tonë këtu, solemnitetit që na ka mbledhur, më lejoni edhe mua si kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë të shpreh respektin tim, nderimin tim, mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në lidhjen e gazetës së fjalës së lirë, Rilindjes Demokratike dhe që vazhduan të kontribuojnë duke e mbajtur atë edhe në ditët e sotme si një monument të fjalsë së lirë dhe lirisë së shprehjes.
Padyshim që Rilindja Demokratike i hapi rrugë lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së mendimit, lirirsë së fjalës në Shqipëri. Dhe ky reflektim ka të bëjë pikërisht me udhëtimin drejt standardeve të cilat ishin të panjohura, të pakuptueshme por shumë të dëshiruara nga ne.
Si mund tia përkthej, si mund tia përcjell brezit të ri, 25 vjeçarëve, 24 vjeçarëve, 18, vjeçarëve, 16 vjeçarëve e gjysëm sa ç’ isha vetë kur doli numri i parë i Rilindjes Demokratike, emocionin e asaj dite. T’ju them – duke spekuluar – se është i barabartë me emocionin e dhënies falas të biletave për kampionatin europian në Francë, mendoj se mbivlerëson kampionatin. Sepse emocionin që ngërtheu çdo shqiptar e në veçanti ne të rinjve ishte dhe mbetet i papërshkrueshëm.
Por sot në 25 vjetorin e gazetës unë nuk dua të ndalem vetëm tek historia për të cilën floën fjalën e tyre protagonistët e kohës.
Në këtë 25 vjetor të gazetës së guximtarëve të parë unë kam kënaqësinë të konstatoj dhe të pohoj diçka që qendron pavarësisht, e me gjithë kritikat e artikuluara këtu sot që sidoqoftë janë të pakrahasueshme si në vëretësi, edhe në qëllim nga ato që jeni mësuar të dëgjoni në oborrin qeveritar. Faktin që kurajoja për të thënë të vërtetën dhe për tu përballur me të keqen, me skandalet në seri të qeverisë, me korrupsionin qeveritar, me dhunën qeveritare, me mafien e ngritur në sistem mbetet një nga virtutet më të çmuara të gazetarëve shqiptarë, të shtypit shqiptar, të medias shqiptare në tërësi.
Viti 2015, siç është shkruar edhe këtë fillimviti, ka hyrë në histori si një vit i mbrapshtë për shumë arsye. Por ka qënë po kështu një vit i mbrapshtë për median e lirë dhe për lirinë e medias.
Ka qenë viti kur qeveria e Edi Ramës u investua për mbylljen e një televizioni kritik ndaj qeverisë siç ishte Agon Channel, ka qenë viti kur kryeministri propozoi ligjin për burgosjen e gazetarëve, kur shpalli aksionin antiinformal dhe dhe vazhdimësinë e aksionit për gjoja mbledhjen e faturave të prapambetura, duke e ilustruar pikë së pari si instrumente presioni ndaj mediave të vendit. Ka qëenë viti kur krimi me mbështetje dhe lidhje qeveritare kërcënoi dhe dhunoi haptas gazetarë e operatorë si në rastin e Artan Hoxhës në Neës 24, kur banditë me uniformën e shtetit kërcënuan dhe dhunuan gazetarë e operatorë si në rastin e e Eni Shehut dhe grupit të tij të ABC Neës, viti kur gazetarëve, fotoreporterëve, kameramanëve të opozitës iu desh të përballen me presione, kërcënime, me djegie të makinave e dhunë fizike siç ishte rasti i korresnpondentit tonë në Burrel gjatë fushatës zgjedhore. Ka qenë viti kur përfaqësuesit më të lartë të pushtetit u filmuan duke kërcenuar median dhe gazetarët siç ishte rasti i Qazim Sejdinit në Elbasan. Pra, një vit me bilanc të thellë negativ.
E gjitha kjo është prodhim i një njeriu që etiketon media e lirë si një kënetë mediatike ndërkohë që shpenzon miliona dollarë për median e tij paralele, për të krijuar realitetin e tij paralel dhe virtual, miliona dollare të taksapaguesve të varfër për të krijuar zyrë propagande dhe për të punësuar në konsulenca korruptive lobistë që kanë për qëllim fshehjen dhe varrosjen e të vërtetave të tmerrshme të keqqeverisjes.
Ne kemi një qeveri të korruptuar, të inkriminuar dhe të mbrapshtë. Por kemi një komunitet gazetarësh profesionistë, të ndershëm dhe kurajozë, shumë prej të cilëve ndodhen sot këtu dhe të tjerë që nuk janë këtu, që as mashtrohen, as joshen, as blihen, as tremben, as frikësohen e që janë spartanët e demokracisë tonë të re. Dhe me rastin e 5 Janarit, themelimit të gazetarës së parë të lirë, themelimin e shtypit të lirë, dua ti përshëndes nga zemra e ti falenderoj me mirënohje për kurajon e treguar në këto kohë të vështira.
Ndonëse qeveria ka investuar e po investon, ka shpresuar e vazhdon të shpresojë që ta vërë në gjumë shtypin e lirë, ta komandojë shtypin e lirë, ta vërë nën thundër shtypin e lirë, ta shurdhojë e asgjesojë shtypin e lirë, për të ngritur në sistem pa u denoncuar nga shtypi krimin e lidhur drejtpërdrejtë me qeverinë, për të ngritur korrupsionin në kuotën më të lartë që ky vend ka njohur në 25 vite dhe për tu shitur shqiptarëve sapunin për djathë pa u denoncuar nga shtypi i lirë. Megjithatë, mediat dhe gazetarët kanë qendruar dhe unë kam besim që do të vazhdojnë të qendrojnë sepse ata kanë një qendrim, një besim dhe një fe; të vërtetën. Kjo qeveri e ka të vërtetën kundër saj dhe për rrjedhim e konsideron edhe shtypin armik.
Dua tu them sot të gjithë pranishmëve dhe miqve e dashamirësve që nuk ndodhen në këtë sallë, punonjës të medias, që Partia Demokratike dhe unë personalisht e çmojmë lart këtë kontribut. E inkurajojmë këtë shembull. E mbështesim me të gjitha mjetet tona këtë kulturë, kulturën europiane të shtypit të lirë, të pavarur, të drejtë, të guximshëm, etik, profesional dhe të pamanipulueshëm.
Por të jeni të sigurtë sde këtë kontribut e çmojnë lart qytetarët shqiptarë, publiku i gjerë dhe besoj se ky është dhe duhet të jetë sadisfaksioni më i madh për një media dhe për një gazetar si një misionar.
E kam thënë dhe dua ta përsëris se pavarësisht se çfarë mendojmë në momente të veçanta për njeri tjetrin, media e lirë dhe opozita janë në një varkë. Në varkën e denoncimit, në varkën e shpalosjes të së vërtetës, në varkën e guximit për të thënë realitetin ashtu siç është.
Këtë radhe kjo aleancë e nartyrshme e të dy palëve e opozitës politike dhe e medias është më e fortë se para një viti dhe do të bëhet vetëvetiu edhe më e fortë dhe ditët, javët, muajt e ardshëm. Jo si një konspiracion, por si një kusht themelor dhe si një standard i një shoqërie të lirë moderne e europiane.
Kush mund ti pranojë e ti gëlltisë realitetet e dhimbshme të keqqeverisjes sot?! Kush mund ti pranojë tenderat korruptivë që i kanë kushtuar shqiptarëve 1.2 miliardë dollarë në një vit?! Ne jo. Opozita jo. As media e lirë. Kurrë.
Kush mund të pranojë që personat me rekorde të tmerrshme kriminale që i nxorrëm nga dera me ligjin për dekriminalizimin, Edi Rama ti kthejë nga dritarja duke i emëruar në funskione të larta koordinimi dhe drejtimi të forcës së tij politike. Ne jo. Opozita jo. Partia Demokratike jo. Jam i bindur edhe media e lirë jo.
Kush mund të pranojë demagogjinë e shtetformimit, një megademagogji në zemër të Europës, qytetarët e këtij vendi vdesin apo vetëflijohen në shekullin e 21-të për shkka të mungesës së energjisë, mungesës së një strehe mbi kokë. Kur shqiptarët ikin nga sytë këmbët si në kohët më të këqia të eksodit masiv. Ne se pranojmë. Partia Demokratike nuke pranon. Opozita nuk e pranon. Media e lirë nuk e pranon.
Kush mund të pranojë që ministri i Brendshëm i vendit, njeriu përgjegjës për rendin dhe sigurinë të jetë i dypunësuar, edhe në qeveri edhe në krimin e organizuar.
Kush mund të pranojë që pas 25 vitesh zig zake por që kanë shkuar dhe e kanë çuar Shqipërinë si një anetare të plotë të NATOS-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, të rikthehemi tek sfida e madhe e votës së lirë. Ne jo. Opozita jo. Partia Demokratike jo. Jam i bindur edhe media e lirë jo.
Këto janë sfida të mëdha, sfida të vërteta që ngërthen mes tyre histori njerëzore, dhimbje të mëdha të familjarëve, kryefamiljarëve, e fëmijëve të këtij vendi. Sfida të mëdha të cilat kërkojnë zgjidhje. Ndërkojë sfida e vetme që qeverisja bën është hedhja e dorashkës për jetë a vdekje mediave përmes presioneve të krimit të lidhur me qeverinë dhe korrupsionit në nivele më të larta.
E pra, sot me 5 Janar, unë dua të përkulem me nderimin më të madh edhe para 25 gazetarëve dhe stafit aktual të Rilindjes Demokratike të cilët pas 25 viteve histori të kësaj gazete e kanë rikthyer Rilindjen Demokratike aty ku e nisi rrugëtimin e saj. Si një tribunë e fjalës së lirë, e të vërtetës, e denoncimit, e përkushtimit dhe e guximit sypatrembur dhe si një standard elementar për tu ndjekur e për t’u konsoliduar nga gazetarët shqiptarë anembanë vendit.
Gëzuar 25 vjetorin e Rilindjes Demokratike. Gëzuar Vitin e Ri 2016 dhe suksese në misionin tuaj të shenjtë si gazetarë dhe njerëz të medias.


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në 25 vjetorin e krijimit të gazetës Rilindja Demokratike, 5 Janar 2015