Ekzekutimi mafioz mbrëmë në Durrës nuk është vetëm tregues i përkeqësimit të rendit në shkallën më të lartë, por më e renda është përfshirja e drejtpërdrejtë e një pjese të strukturave të Policisë.
Viktima Çollaku, ishte nga të ndaluarit e parë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen që ndodhi në Durrës në mes të qytetit, në fund të dhjetorit, ku u ekzekutua Ervin Kodra dhe miku i tij.
Policia jo vetëm e shoqëroi viktimën e mbrëmshme për vrasjen e Kodrës, por po e mbante gjithë kohës nën vëzhgim.
Megjithëse ishte nën mbikqyrjen e policisë, megjithëse policia kishte informacion për përfshirjen e mundshme të Çollakut në vrasjen e dyfishtë të dhjetorit, sërish 4 vetë të armatosur e të veshur me uniformë policie e rrëmbejnë në mes të qytetit viktimën, e lidhin dhe e ekzekutojnë, duke larë hesapet e tyre.
Këto lloj rrëmbimesh dhe ekzekutimesh, si në rastin e Stafukës në Fushë-krujë, kanë firmën e kokave të krimit në vend, kanë firmën dhe vulën e miqve të Saimir Tahirit.
Lehtësia me të cilën bandat rrëmbejnë e vrasin, vjen nga lidhja e tyre e drejtpërdrejtë me Ministrin e Brendshëm.
Nuk mund të ketë lehtësi më të madhe për krimin dhe mafian, se sa një ministër i brendshëm që bën ndërmjetësin e vrasësve me pagesë, që dërgon oficerë në shërbim të shullazëve, që vë makinën e tij personale në dispozicion të trafikantëve, që djeg provat e drogës, që fsheh kërkesën e interpolit, që shfajësohet para baronëve të narkotikut se dëmin nuk ua bën kurrë ai.
Ky është Saimir Tahiri, i cili ka firmën e vulën pas këtij ekzekutimi, pas këtyre vrasjeve, pas trafikut të drogës dhe inkriminimit të policisë.
Partia Demokratike i bën thirrje trupës së ndershme të policisë, burrave dhe grave në uniformë, të bëjnë maksimumin e tyre e të punojnë me përkushtim, sepse koha e çlirimit nga ky ministër i lidhur me krimin nuk do të jetë e largët.
Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 7 Janar 2016