Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka parë nga afër situatën e përmbytjeve në Sukth, në Katund të Ri në Qerret dhe ne Fllakë ku mbi 1200 familje janë përmbytur. Niveli i ujit në shumë raste arrin mbi 1,5 metër dhe situata vazhdon të përkeqësohet. Banorët thanë se uji ka vërshuar rreth orës 03:00 të mëngjesit. Dhjetëra familje janë evakuuar ndërsa të tjerët bëjnë apel për furnizim me ujë të pijshëm dhe ushqime, pasi janë të izoluar nga prezenca e madhe e ujit.

Banore: Që në orën dy kam kërkuar ndihmë, as nuk dilte policia në telefon, as nuk dilte asnjë lloj kanalesh në telefon.  Unë me  katër kalamaj dhe me një plakë 56 vjeç. Ju lutem shumë pse me ju do merremi ne? Po me kë do merreni kur nuk merreni me mua që jam vetë i gjashtë brenda aty.

Basha: Aty i ke njerëzit?

Banore: Jo! Unë i kam nxjerrë sepse kanë ardhur njerëzit e mi.

Basha: Shyqyr!

Banore: Shyqyr që i kam sepse sa për shtetin këna maru, jemi mbyt mrenë. Le t’i ngelet çdo njërit qefi këtu. Katastrofë, të marrësh në telefon për ndihmë. Unë kalamanin më të madh e kam 6-vjeç. Me kë do të merren ata kur nuk merren me ne. Me cilin do të merren ata?

Banor: E kam marrë policinë nuk e hap telefonin fare, e kam marrë tre herë rresht, më del herë thotë jam zjarrëfikësja, herë jam policia, herë jo nuk jam policia. Nuk ka bë vaki kshu, jo !

Banore: Shteti për këtë punë duhet, më shpëtu popullin, njerëzit.

Basha: Në çfarë ore ka ardhur ujë?

Banore: Ka ardhur që në tre të mëngjesit. Erdh kjo kohë, asgjë më  e vogla. Ça shteti është kshu? Ne jemi njerëz të marum.

Banor: Në krejt zonën këtu nuk ka bë vaki prej 70-80 vjetësh. Ky është ujë liqeni, është hap liqeni, janë hap digat për të shpëtu Tiranën dhe për të shpëtu si duket interesat e veta, ta pësojë gjithë kjo zonë.

Banor: Unë jam 50 vjeç, nuk kam parë në jetën time këtë ujë. Kjo nuk është nga Zoti, kjo është dorë e njeriut. Një pasuri që e kemi vu me djersën e ballit. Nuk e di.

Banor: Ky është lum. Nuk ka ndodh në jetën tonë. Kjo është fatkeqësi e madhe!

Banor: As në kohën e Enver Hoxhës  nuk ka ndodh kjo histori kshu, qysh ka ndodh sot këtu. Është tmerr i gjallë.

Banor: Kjo është nga dora e njeriut, perëndia bën punën e vet. Ka ra shi me dhjetëra ditë dhe nuk  ka arrit me bë këtë gjë.

Banor: Në Fllak janë duke u mbyt tani, tani morën  në telefon dhe nuk kanë ujë me pi. Kanë hyp në kat të dytë tani. Kam qenë unë në katër e gjysmë dhe prita me nxjerrë vëllain, erdh ushtria, mora varkën, nxora vëllain. Tani më merr në telefon dhe më thotë jemi duke vdek për pikë të ujët.

Banor: Dëm të madh ka bë qysh natën. Kush ka pas blegtori, ja ka marrë gjithë ushqimin. Gjithë natën ia kemi prit dengun.  Gjithë natën kemi nejt çuet.

Kryetari i Partisë Demokratike ka kontaktuar dhe me forca te ushtrisë ku është interesuar për situatën e përmbytjeve. Zoti Basha u ka bërë apel banorëve që të evakuohen menjëherë duke nisur me largimin e fëmijëve nga shtëpitë e përmbytura.

Basha: A i ke nxjerrë njerëzit? Fëmijët a i ke nxjerrë?  Si, s’keni ujë ? Mirë, ja një sekondë se po të kaloj kolonelin që është këtu me forcat e ushtrisë. S’kemi as ujë me pi thotë.

Koloneli: Do të bëjmë të pamundurën që t’ju ndihmojmë edhe me ushqime dhe po pati nevojë edhe për të transportuar njerëzit që ke brenda.

Basha: Është e domosdoshme të nxjerrë fëmijët, ti largojë dhe të evakuohen banorët.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Janar 2016