Plani i Edi Ramës për stadiumin Qemal Stafa, është një skemë e mirëfilltë korruptive, projekti ndoshta më fitimprurës për të, miqtë dhe klientelën e tij.
Edi Rama kërkon ta kthejë stadiumin kombëtar, në një qendër të madhe tregtare dhe biznesi dhe ta trajtojë si pronën e tij, duke shpërndarë hapësirat sipas interesave personale në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Për Edi Ramën nuk është prioritet fusha dhe sporti, por dyqanet, baret dhe njësitë tregtare që parashikon skema e tij.
Partia Demokratike lajmëron të interesuarit dhe sipërmarrësit që janë thirrur të bëhen pjesë e këtij plani korruptiv e financiar të Edi Ramës, se ne nuk e njohim dhe do ta anullojmë menjëherë këtë projekt hajdutërie, sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit.
Eshtë në rriskun e tyre personal dhe në përgjegjësinë e tyre nëse hedhin para në një projekt që Edi Rama kërkon ta trajtojë si pronën e tij, një projekt që do të hidhet poshtë nga Partia Demokratike.
Partia Demokratike është në favor të një stadiumi serioz, sipas të gjitha standarteve olimpike moderne, ku prioritet do të ketë loja, sporti dhe spektatori, dhe jo klientela e kryeministrit që kërkon të zaptojë hapësirat fitimprurëse të impiantit më të rëndësishëm në vend.
Do të ketë stadium për futbollin e për sportet e tjera, dhe jo stadium për bizneset e Edi Ramës, për tu majmur ai dhe miqtë e tij.
Deklarata për mediat e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, 24 janar 2016