Saimir Tahiri predikoi pa turp sot ligjin, besimin dhe etikën në polici, tre elementë për të cilat ky ministër duhej të kishte ikur me kohë nga detyra e të ishte përgjigjur para drejtësisë.
Saimir Tahiri ka shkelur ligjin, dhe këtë e di çdo shqiptar. Ai vetë pranoi se ka shitur në të zezë taksinë e drogës, makinën e tij private, dhe këtë shitje nuk e ka deklaruar. Ai vetë, publikisht deklaroi se nuk pranon të zbatojë një vendim gjykate në fuqi. Një shkelje e rëndë e ligjit.
Saimir Tahiri ka shkelur besimin publik që duhet të kenë qytetarët tek policia, pasi me makinën e tij personale private, banda e habilajve i është fshehur kontrolleve dhe ka kryer trafik droge.
Saimir Tahiri është një shkelës i madh i etikës, pasi megjithë skandalet që kanë ndodhur, me gjithë provat e faktet e përfshirjes së tij në trafik e lidhje me krimin, ai nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe ka vazhduar ti shërbejë bandave me postin e tij.
Një seri ekzekutimesh mafioze kanë ndodhur vetëm në muajin Janar. Dhe Tahiri nuk mban asnjë përgjegjësi.
Ai është ministri më i inkriminuar në Ballkan, dhe sa më shumë qendron në detyrë, aq më shumë stimulon krimin e trafiqet, dhe minon besimin e publikut tek policia.
Deklarata për mediat e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, 27 Janar 2016